Adem Salihaj: Tradhtarit Hashim Thaçi, familja Jashari ka vite që ia mbylli derën pas fyerjeve të tij

Politika

Adem Salihaj: Tradhtarit Hashim Thaçi, familja Jashari ka vite që ia mbylli derën pas fyerjeve të tij

Nga: D. B. Më: 6 mars 2019 Në ora: 21:04
Adem Salihaj

Ish deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, ka thënë se, ka shumë vite që në familjen Jashari nuk hyn më këmba e Hashim Thaçit.

“Ne të gjithë e dimë se Hashim Thaçi e përdori sakrificën e familjes Jashari për ta rritur votën e tij dhe të PDK-së dhe njëkohësisht për ta sulmuar LDK-në dhe presidentin Rugova. Në emër të sakrificës së familjes Jashari dhe gjakut të derdhur, u shpallën tradhtarë dhe u vranë shumë veprimtarë të devotshëm të LDK-së, të cilët ishin patriotë dhe dhanë kontribut të çmueshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Salihaj.

Sipas tij, ka disa vite që po shihet se LDK-ja, presidenti Rugova dhe gjithë ata veprimtarë të saj nuk qenë tradhtarë, por patriotë të vërtetë.

“Tash po shihet se tradhtari në të vërtetë paska qenë vetë Thaçi, i cili jo vetëm që e ka shitur edhe gjakun e derdhur dhe sakrificën e familjes Jashari, por edhe të gjithë atyre që luftuan dhe ranë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por po mundohet ta shesë edhe tokën e Kosovës, të larë me gjak. Ka disa vite që familja Jashari e pa fytyrën e vërtetë të Hashim Thaçit dhe më nuk e lë që ta shkel pragun e saj, sepse kjo ka qenë me vite fyerja më e madhe, që i është bërë kësaj familjeje”, ka thënë ish deputeti i LDK-së Adem Salihaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat