Edhe 6 hapa deri te liberalizimi i vizave

Politika

Edhe 6 hapa deri te liberalizimi i vizave

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 8 mars 2019 Në ora: 08:06
Foto ilustruese

Nga opozita konsiderojnë se liberalizimi i vizave nga qeveria aktuale është harruar. Sipas tyre, me këtë lloj qeverie vendi edhe me tej do të mbetët i izoluar. Ndërsa, njohësit e kësaj fushe kanë thënë se pavarësisht se është deklaruar nga Komisioni Evropian se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret, vendit i kanë mbetur edhe 6 hapa që duhet të plotësohen deri te heqja e vizave.

Përkundër premtimeve të vazhdueshme të krerëve më të lartë të institucioneve, Kosova i ka humbur pothuajse të gjitha shpresat që ta fitojë liberalizimin e vizave nga Bashkimi Evropian (BE) gjatë vitit 2019.

Ministrja e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha, ditë më parë ka thënë se liberalizimi i vizave nuk varet më nga Kosova, por nga shtetet anëtare.

Sipas Hoxhës, Kosova i ka plotësuar kushtet, por liberalizimi nuk ndodhi.

“Pak vështirë të japim përgjigje për punët me viza, jo pse nuk kemi por për shkak se tani jemi në hapin e fundit, hap i cili nuk varet nga Kosova por nga shtetet anëtare, nga këshilli i ministrave. Për momentin, besoj që është një rast i mirë nëse shtetet anëtare vendosin që ta fusin në agjendë në mbledhjen e këshillit në qershor, pas zgjedhjeve në parlamentin evropian”, tha Hoxha.

Në lidhje me këtë, nga opozita konsiderojnë se liberalizimi i vizave nga qeveria aktuale është harruar. Sipas tyre, me këtë lloj qeverie vendi edhe me tej do të mbetët i izoluar.

Ndërsa, njohësit e kësaj fushe kanë thënë se pavarësisht se është deklaruar nga Komisioni Evropian se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret, vendit i kanë mbetur edhe 6 hapa që duhet të plotësohen deri te heqja e vizave.

Rugova: Nuk do të ketë liberalizim të vizave

Image
Naser Rugova

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, ka thënë se çështja e liberalizimit të vizave nga Qeveria Haradinaj është harruar.

Rugova është  mendimit se as në vitin 2019 nuk do ketë liberalizim të vizave këtë vit.

“Liberalizimi i vizave tani u harrua si temë, ishin premtime pompoze të kryeministrit dhe partnerëve të koalicionit, por ja që nuk ndodhi liberalizimi. Për mendimin tim nuk do ketë liberalizim të vizave këtë vit”, ka thënë Rugova.

Me tej, deputeti i opozitës ka ripërsëritur qëndrimin e Bashkimit Evropian se më të tilla qeverisje Kosova do mbetët e izoluar.

“Mesazhi i BE-së për popullin e Kosovës është i qartë: me këso lloj qeverie, qeveritarëve dhe me këtë mentalitet qeverisës do mbeteni të izoluar”, deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova për gazetën “Bota sot”.

Tahiri: S’ka viza, arsyet janë të ndryshme

Image
Ramush Tahiri

Politologu, Ramush Tahiri, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se liberalizim të vizave nuk do të ketë as këtë vit.

Sipas Tahirit, arsyet se pse nuk po ndodhë lëvizja e lirë për qytetarët e Kosovës janë të shumta

“S’ka liberalizim të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës as këtë vit. Arsyet janë të ndryshme e tash pengesë është politika izolacioniste e institucioneve shtetërore të Kosovës e tash konkretisht tarifa doganore ndaj mallrave të Serbisë e të Bosnjës e të Hercegovinës që Kosova e ka vënë njëanshëm”, ka thënë  Tahiri.

Politologu Tahiri, konsideron se po të ishte në vullnetin dhe në dëshirën e kryeministrit Haradinaj, liberalizimi i vizave do të kishte ndodhur përpara dhjetë vitesh.

“Po të ishte në vullnetin dhe në dëshirën e Kryeministrit Ramush Haradinajt liberalizimi i vizave do të kishte ndodhur përpara dhjetë vitesh. E pse ai ka premtuar është e kuptueshme se ka qenë dhe është fushatë elektorale edhe partiake edhe personale. Pengesë formale juridike për liberalizim është mos mundësia e vendosjes në forumet e institucionet e Bashkimit Evropian nga fakti se pesë vende anëtare end nuk e kanë njohur Kosovën si shtet”, ka thënë politologu.

Në fund, ai shton se më një rast si Kosova, Bashkimi Evropian nuk është ballafaquar asnjëherë.

“Me një rast tillë nuk është ballafaquar Bashkimi Evropian në historinë e tij dhe nuk ka ndonjë dakordim si të kapërcehet kjo dhe që qytetarëve të Kosovës viza të mos u jepet minus pesë vendeve”, ka thënë në fund Ramush Tahiri për gazetën “Bota sot”.

“Duhet të plotësohen edhe 6 hapa deri te liberalizimi i vizave”

Image
Taulant Kryeziu

Taulant Kryeziu, nga instituti “Epik”, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka potencuar se të gjithë duhet të jenë të përmbajtur dhe të mos luajnë me emocione dhe me pritshmëri të qytetarëve.

“Sa u përket afateve kohore unë mendoj që të gjithë duhet të jenë të përmbajtur dhe të mos luajnë me emocione dhe me pritshmëri të qytetarëve, siç kanë bërë dhe me këtë e kam fjalën kryesisht te politikanët, te liderët institucionalë dhe te bartësit e këtyre përgjegjësive, të cilët gjithmonë e kanë përdorur këtë proces për poenë politik, proces ky i cili në fund ka qenë dëshpërues për qytetarët dhe ka ngrit frustrimin tek ta ajo çka po e stagnon procesin e liberalizimit është mungesa e rezultateve në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit të profileve të larta dhe shembujt negativë që institucionet tona kanë treguar vitin e kaluar”, ka thënë Kryeziu, për gazetën “Bota sot”.

Tutje, Kryeziu është shprehur se element vital krucial është guximi për t’i hetuar dhe për t’i ndjekur kryerësit e veprave penale.

“Të gjitha raportet kredibile ndërkombëtare prej raportit të vendit, strategjisë së zgjerimit, raporti i Departamentit të Shtetit thonë që sistemi ynë i drejtësisë është i ndikuar nga politika. Prandaj element vital krucial për institucionet tona është krijimi i një sistemi të drejtësisë kredibile me njerëz me integritet, të cilët janë të aftë dhe kanë guxim për t’i hetuar dhe për t’i ndjekur kryerësit e veprave të tilla penale, të cilat i përkasin profileve të larta politike”, është shprehur me tej ai.

Kryeziu nënvizon se në kuptimin procedural kanë mbetur edhe gjashtë hapa që duhet të plotësohen deri te heqja e vizave.

 “Ky trialog duhet të përfundojë në një marrëveshje të përkohshme joformale, kjo marrëveshje për t’u formalizuar do një votim në komitetin LIBE, një votim në seancë plenare të Parlamentit, mbështetje nga ana e ambasadorëve dhe kulmon me vendimmarrjen finale në Këshillin e Bashkimit Evropian, ku kërkohet ajo shumica e dyfishtë që nënkupton 55% të vendeve anëtare që përfaqësojnë 65% të popullsisë së Bashkimit Evropian”, deklaroi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat