Krimi i organizuar “kancer” për të ardhmen e Kosovës

Politika

Krimi i organizuar “kancer” për të ardhmen e Kosovës

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 9 mars 2019 Në ora: 07:53
Foto ilustruese

“Natyrisht se reagimi i ambasadorëve britanik dhe atij amerikan, dëshmon se edhe miqtë tanë tashmë janë të bindur se qeverisja aktuale, por edhe ato qeveri të kaluara që janë drejtuar nga ish kryeministri Thaçi, tani president i vendit, nuk janë asgjë më shumë se sa qeverisje e tipit mafioz. Këto veprime të kësaj qeverie natyrisht se do të kenë pasoja për vendin dhe qytetarët, pasi asnjë investitor serioz nuk do të vije të bëjë investime në një vend të kapur nga krimi i organizuar, e që për fat të keq kokat e saja janë që nga Presidenti, Kryeministri, krye parlamentari”, ka thënë opinionsti Nexhat Haziri.

Kuvendi i Kosovës ka emëruar Naser Shalën në postin e drejtorit të sekretariatit ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

E ky emërim ka nxitur reagime të shumta të Ambasadave të vendeve mike të shtetit të Kosovës.

Ambasada e Britanisë së Madhe, ajo e SHBA-së dhe Ambasada e Gjermanisë, e kanë konsideruar si shkelje.

Sipas trye, kjo është një shkelje e qartë e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Ambasadës Britanike dhe Kuvendit të Kosovës.

“Fatkeqësisht, javën e kaluar Kuvendi dështoi të zgjidhte kandidatin e vetëm të identifikuar si përmbushjen e kritereve për emërim dhe në vend të kësaj emëroi një kandidat i cili nuk u caktua sipas vlerësimit profesional”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Ambasadës britanike, pas emërimit të Shalës.

Rugova: Kjo logjikë qeverisëse po i kushton Kosovës

Image
Naser Rugova

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së Naser Rugova, ka thënë se shqetësimet e ambasadorit amerikan dhe britanik do duhej të merreshin shumë seriozisht nga institucionet e shtetit të Kosovës.

“Fatkeqësisht kjo është logjika dhe mentaliteti qeverisës i këtyre partnerëve të koalicionit. Kjo logjik qeverisëse po i kushton shumë Kosovës në rrugën e saj, drejt konsolidimit të shtetit ligjor dhe proceseve integruese”, ka thënë deputeti Naser Rugova.

Salihaj: Njerëz të krimit të organizuar do të emërojnë në pozita kyçe gjithashtu njerëz të krimit të organizuar

Image
Adem Salihaj

Ndërkaq, ish deputeti i LDK-së Adem Salihaj, ka thënë për “Bota sot” se, askush nuk duhet të habitet me emërimin e Naser Shalës në këto pozita kaq të rëndësishme, sepse ata që e kanë emëruar, sipas tij, e kanë emëruar shokun e tyre.

Për Salihajn, ky emërim nuk bën ndonjë përjashtim, është në kuadër të një rregulli, sipas të cilit, njerëz të krimit të organizuar do të emërojnë në pozita kyçe gjithashtu njerëz të krimit të organizuar.

“Kjo strukturë e pushtetit e ka bërë të njëjtën gjë gjatë gjithë kohës, sa herë që e pati mundësinë. Të gjitha segmentet e pushtetit, përfshirë ministritë, agjencitë dhe kompanitë publike, janë stërmbushur me njerëz të tillë. E kuptoj shqetësimin e ambasadës britanike dhe të asaj amerikane, e shoh pozitiv reagimin e tyre, por kjo nuk po mjafton, sepse segmentet e pushtetit po vazhdojnë tash, e do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, ta bëjnë këtë”, ka thënë ish deputeti i LDK-së Adem Salihaj.

Makolli: Shkelja e momerandumit dëmton imazhin e Kosovës

Image
Vesel Makolli

Kurse, sekretari i Përgjithshëm i AKR-së Vesel Makolli, ka thënë se, është koha që të flaken të gjitha negativitetet në shoqërinë tonë duke filluar nepotizmi, ndikimet partiake, grupore dhe konflikti i interesit.

“Më të merituarit për krijimin e shtetit tonë janë miqtë tonë ndërkombëtarë sidomos : SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe aleatet e tyre. Faktori ndërkombëtarë ka investuar në të gjitha fushat e sistemit shtetërorë nëpërmes ndihmave materiale dhe kadrovike. Memorandumi i mirëkuptimit midis Ambasadës së Britanisë së Madhe dhe Kuvendit të Kosovës është një ndër shumë projektet të cilat kanë për qëllim ndihmën në përzgjedhjen e kuadrove duke u bazuar në përvojën e demokracisë britanike perëndimore. Mos respektimi i këtyre marrëveshjeve gjegjësisht zgjedhja e kuadrove të cilët nuk i plotësojnë kriteret e parapara apo zgjedhjen me anë të ndikimeve të jashtme është shkelje e marrëveshjes si dhe ndikon shumë në humbjen e imazhit tonë të miqtë tonë ndërkombëtare dhe jo vetëm”, ka thënë Makolli.

Ai ka pohuar se rasti i fundit i zgjedhjes se Naser Shalës në krye të Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës(AKKVP) ndikon drejtpërdrejtë edhe në marrëdhëniet me shtetet gjegjës.

“Andaj duhet ti respektojmë kriteret e parapara për këto emërime, dhe të respektojmë marrëveshjet ndërkombëtare si dhe të zgjedhim njerëzit e duhur dhe të merituar duke krijuar parakushte për zhvillimi e institucioneve tona në frymën demokratike dhe liberale. Duhet të jemi racional dhe pragmatik në veprimet tona, që gjatë përzgjedhjes të kemi primare interesin e institucionit shtetëror, duke respektuar kushtet e parapara me konkurs, në suaza demokratike liberale dhe para se gjithash humane e njerëzore”, ka potencuar Makolli.

Krasniqi: Që dy dekada emërimet në këtë mënyre janë bërë

Image
Faik Krasniqi

Politologu Faik Krasniqi ka pohuar se, kur Ambasada Britanike pati nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi me Kuvendin e Kosovës, frika se i njëjti nuk do të respektohej ishte mjaft evidente.

“I pata sugjeruar që s'do ketë sukses nënshkrimi i këtij Memorandumi, sepse do ketë probleme me partitë politike që emërimet nëpër borde dhe agjenci publike gjithmonë i kanë bërë me njerëzit që janë të partisë. Ambasadori britanik nuk e mirëpriti atë sugjerim timin, dhe në njëfarë mënyre më tha që nuk qëndron ajo që i thashë, edhe pse ai i njeh shumë mirë këto gjëra, prandaj as nuk shqetësohem e as nuk trishtohem, sepse që dy dekada emërimet në këtë mënyre janë bërë. Jo për shkak të aftësisë së individit, por për shkak se është i partisë ose është mik e familjar i x liderit, politikanit apo dikujt të fuqishëm”, ka potencuar Krasniqi.

Haziri: Asnjë investitor serioz nuk do të bëjë investime

Image
Nexhat Haziri

Kurse, opinionisti Nexhat Haziri, ka thënë se emërimi i Naser Shalës, në krye të Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës (AKKVP), përveç asaj që dëshmon vazhdimësinë e kapjes së shtetit nga partitë në pushtet, ka të bëje edhe me interesat që kanë grupet e krimit të organizuar me pronat e të cilat po bashkëvarësinë me partitë në pushtet.

Sipas tij, kjo është edhe një dëshmi më shumë se ky koalicion qeveritar të vetmin qëllim ka kapjen e shtetit dhe zhvatjen e buxhetit dhe keqpërdorimin e pronës shoqërore për interesat e tyre të ngushta dhe të oligarkëve të ndryshëm të cilët i sponsorizojnë partitë në pushtet.

“Natyrisht se reagimi i ambasadorëve britanik dhe atij amerikan, dëshmon se edhe miqtë tanë tashmë janë të bindur se qeverisja aktuale, por edhe ato qeveri të kaluara që janë drejtuar nga ish kryeministri Thaçi, tani president i vendit, nuk janë asgjë më shumë se sa qeverisje e tipit mafioz. Këto veprime të kësaj qeverie natyrisht se do të kenë pasoja për vendin dhe qytetarët, pasi asnjë investitor serioz nuk do të vije të bëjë investime në një vend të kapur nga krimi i organizuar, e që për fat të keq kokat e saja janë që nga Presidenti, Kryeministri, krye parlamentari”, ka thënë opinionsti Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat