Britania e Madhe për të tretën herë konfirmon se Kosova është një dhe e pandarë

Politika

Britania e Madhe për të tretën herë konfirmon se Kosova është një dhe e pandarë

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 11 mars 2019 Në ora: 17:09
Foto ilustrim

Dhoma e Përfaqësuesve e Parlamentit britanik ka zhvilluar javën e kaluar një debat për marrëdhëniet e Britanisë së Madhe me Kosovën.

Për të tretën herë në 20 vitet e fundit kjo dhomë debatoi për Kosovën.

Kështu, Ministri britanik për Evropë, Sir Alan Duncan, ka thënë paraqitur qëndrimin kundër prekjes së kufijve në kuadër të një marrëveshjeje mes Kosovës e Serbisë.

“Arritja e marrëveshjes e bazuar në ndryshimin e kufijve, rrezikon stabilitetin në Kosovë-Serbi dhe rrezikon të vendos një precedent që mund të shfrytëzohet nga palët e treta në rajon dhe më tej", ka thënë Duncan, ndër të tjera.

Në këtë debat është përfshirë edhe deputeti laburist, John Grogan, i cili edhe e drejtoi atë.

Grogan ka thënë se për çështjen e ndryshimit apo korrigjimit të kufijve janë shpenzuar shumë para në Londër dhe kryeqendra tjera.

“Jam i kënaqur që javën e kaluar Presidenti i Kosovës (Hashim Thaçi) tha se këmbimi i territoreve nuk do të ndodhë kurrë. Para një viti ai fliste për korrigjim kufijsh me Serbinë, por kjo ishte qasje e gabuar. Janë shpenzuar para bukur të mëdha për lobim në Londër dhe gjetiu për këtë çështje, por jam i kënaqur që Presidenti e ka ndërruar qasjen. Kryeministri dhe Parlamenti (i Kosovës) me të drejtë kundërshtonin këmbimet territoriale, korrigjimet e kufijve apo çfarëdo të quhen ato. Këto mund të jenë shumë destabilizuese në Ballkan”, ka deklaruar ai.

Rugova: Britania e Madhe për të tretën herë konfirmon se Kosova është një dhe e pandarë

Image
Naser Rugova

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, ka përshëndetur reagimin e  Britanisë së Madhe, duke thënë se shtetet mike të Kosovës janë meritore për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Shtetet mike të Kosovës që janë meritore për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës e respektojnë dhe e njohin Republikën e Kosovës me të gjitha atributet e një shteti sovran të deklaratës së pavarësisë e miratuar me 17 shkurt 2008. Britania e Madhe për të tretën herë konfirmon se Kosova është një dhe e pandarë dhe se nuk ka lojë me kufij shtetesh në Ballkan”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Po ashtu, deputeti i LDK-së se ka shtuar se shkëmbimi i territoreve është ide Ruso-Serbe dhe nuk do të ketë sukses

“Çdo përpjekje për prekje të sovranitetit të Kosovës do të jetë e kot dhe vetëm sa tensionon marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe rajonin në përgjithësi. Shkëmbimi i territoreve është ide Ruso-Serbe dhe nuk do të ketë sukses. Shteti i Kosovës dhe karakteri unitar i tij nuk do të ndryshoj. Plot fat që partneret tanë strategjik SHBA, Britania e Madhe, Gjermania janë  në anën tonë dhe ëndrra ruso- serbe nuk do realizohet”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Millaku: Lëvizja e Kufijve është e pandashme

Image
Drita Millaku

Ndërkaq,  deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se Kosova duhet të ketë kujdesë që të mos fus në “tregti” sovranitetin e vendit.

“Situata e krijuar rreth dialogut me Serbinë ka një emërues të përbashkët kënaqjen e interesit serb i cili do të arrihej me lëvizjen e kufijve e cila në asnjë rast nuk shkon në dobi të Kosovës. Kosova është një shtet i ri dhe duhet të ketë kujdes të madh që të mos fus në pazar sovranitetin e vendit pasi qe kjo është arritur me shumë gjak e mund nder gjenerata pra Kosova me këta kufij është produkt brezash dhe nuk ka askush te drejte te luan me ta”, ka deklaruar deputetja e VV-së.

Për më tepër, Millaku është shprehur se duhet t`i mbrojmë interesat e vendit dhe ndryshimin e kufijve nuk e duan as aleatët ndërkombëtar.

“Pra ne nuk duhet të kënaqim interesat Serbe, por duhet ti mbrojmë interesat e vendit tonë . Lëvizjen e kufijve nuk e dëshiron shumica dërmuese e popullit shqiptar(mbi 92%) por edhe faktori ndërkombëtarë i cili është aleat tradicional i shqiptareve ku hyn edhe Anglia Gjermania dhe SHBA”, ka theksuar deputetja Millaku për “Bota sot”.

Vata: Slogani i ndarjes territorialë ka ndezjen e një konflikti të ri

Image
Ilir Vata

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Ilir Vata ka deklaruar për “Bota sot” se fjala, ndarje territoriale, duhet hequr nga fjalori në bisedime, Kosovë-Serbi për të finalizuar paqen.

“Marrëveshja në thelb kërkon në fund dakordësinë mes palëve, pra Kosovë-Serbi dhe pavarësisht kërkesave të palëve dhe pretendimeve që ata kanë në fund mjafton vetëm njëri shtet të mos pranojë dhe marrëveshja nuk mund të nënshkruhet. Në këtë rast Kosova nuk mund të pranojë një gjë të tillë dhe kjo ka rëndësi në proces.

 “Kjo marrëveshje është fryrë më shumë seç duhet, pra shumë palë e kanë sjellë këtë marrëveshje si makth, si kobi, si kriza e madhe kur në fakt është një domosdoshmëri për Kosovën, Serbinë dhe vetë rajonin, pra marrëveshja duhet të ndodh dhe do të finalizohet më shpejt sa çmendojnë skeptikët. Në këtë tymnajë, është hedhur ndarja territoriale, pikërisht ajo gjë që ka përgjakur Ballkanin shkuj me radhe, një slogan bolshevik i vendeve diktatoriale e që ushqehet nga nacionaliztët primitiv dhe qarqe dashakeqe të shqiptarëve që mjerisht rrojnë edhe ne botën shqiptare, pra mes nesh”, ka thënë Vata për “Bota sot”.

Gjithashtu, Vata ka shtuar se në thelb slogani i ndarjes territorialë ka ndezjen e një konflikti të ri, pra frynë në kah të destabilizimit dhe jo të paqes në Ballkan.

“Bota perëndimore, shtete e aleancës së atlantikut të veriut, shtete më të fuqishme të Evropës janë për një marrëveshje për të mos prekur sovranitetin e Kosovës dhe kjo do të ndodhë.

Kosova do të arrijë marrëveshje me Serbinë pa prekur territore legjitime të sovranitetit të saj dhe kjo është edhe rruga e dialoguar dhe me të drejtë qeveria britanike ka kundërshtuar sërish prekjen e kufijve të Kosovës, ajo gjermane dhe vetë BE dhe SHBA nuk kërkojnë tensione të reja në rajon, por paq dhe në kuptim të stabilitetit dhe paqes çështje e ndarjes së kufijve duhet hequr nga fjalori në bisedime”, ka thënë Vata për “Bota sot”.

Burjani: Nuk pozitive as përmendja e shkëmbimit të territoreve apo korrektimi i kufijve

Image
Blerim Burjani

Ndërkaq, njohësi i çështje politike, Blerim Burjani, për “Bota sot” është shprehur se çështja e shkëmbimit të territorit është problematike.

“Nuk është aspak pozitive as përmendja e shkëmbimit të territoreve apo korrektimit të kufijve, askush nuk e ka menduar se propozimi i tillë do e vijë nga Kosova për këto tema, mjaft problematike , kjo i bien gjithçka në gjendje për të bërë vetëm për  të arrit marrëveshje për normalizim e vështirë shumë”, ka potencuar ai për “Bota sot”

Për më tepër, ai ka thënë se Evropa është e ndarë rreth idesë për korrigjimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Evropa e ndarë edhe e befasuar nga Thaçi, e aspak nga Vuçiçi. E pa pritshme ishte jo serioziteti i Thaçit apo serioziteti i tij për të mbërri marrëveshje me çdo kusht, tash me Britania, Gjermani, Zvicra janë kundër shkëmbimit territoreve e disa shtetet  Franca , Austria dhe SHBA janë të hapura nëse palët  e pranojnë çfarë do që është”, ka përfunduar Burjani  “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat