Gjatë vitit 2018 janë raportuar 1541 raste të dhunës në familje, rreth 300 raste më shumë se në vitin 2017

Politika

Gjatë vitit 2018 janë raportuar 1541 raste të dhunës në familje, rreth 300 raste më shumë se në vitin 2017

Nga: D. B Më: 12 mars 2019 Në ora: 11:53
Naim Qelaj

Ajo që mund të thuhet se nuk është bërë aq sa duhet në Kosovë është ri integrimi i viktimave të cilat kanë rënë pre e dhunës në familje se dhe fuqizimin ekonomik i tyre në shoqëri.

Kështu ka vlerësuar Naim Qelaj, zëvendësministër i Drejtësisë dhe Koordinator Nacional për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, i cili në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se rrjedh në mungesë të kapaciteteve për të plotësuar nevojat dhe kërkesat që viktimat kanë  në këtë drejtim.

“Këtë vit kam planifikuar që në kuadër të autorizimeve që kam të mobilizojë të gjitha institucionet për zbatimin e Strategjitë kombëtare për mbrojte nga dhuna në familje, në përmbushje të detyrave që dalin për ri integrim dhe fuqizim ekonomikë të viktimave. Për ndryshe qëndrojmë shumë mirë sa i përket parandalimit dhe vetëdijesimit, mbrojtjes dhe koordinimit si dhe hetimit dhe procedimit të rasteve në gjykata, kjo si rezultat i qasjes shumë serioze dhe me përkushtim nga ana e policisë, që janë institucioni i parë ku raportohen rastet, pastaj mbrojtësit e viktimave, prokuroria dhe gjykata” ka thënë Qelaj.

Sipas tij, në janar të këtij vitit në bashkëpunim dhe mbështetje me zyrën e BE dhe agjencive të Kombeve të bashkuara kemi funksionalizuar Bazën e Integruar e të dhënave për evidentimin e rasteve të dhunës në familje.

“Përndryshe, deri në fund të vitit 2018 statistikat kanë qenë jo mirë të koordinuara, shpesh herë kontradiktore me njëra tjetrën që kanë paraqitë pasqyrë jo reale sa i përket numrit të rasteve të dhunës por edhe trajtimit të tyre, në publik. Krijimi i një Bazës së integruar i të dhënave për rastet e dhunës në familje, është kërkesë e kamotshme. Kjo do i jep mundësi edhe informimit më cilësor për publikun, por në anën tjetër u mundëson institucioneve që të bëjnë një analizë dhe vlerësim më të detajuar të kësaj problematike”, është shprehur Qelaj.

Ai ka thënë se dhuna në familje ka qenë prezentë në Kosovë gjatë gjithë kohës por ajo nuk është raportuar.

“Kjo dukuri e keqe e shoqërisë nuk mund të luftohet pa raportim në institucionet kompetente që kanë për obligim ligjor të ndërmarrin masa përkatëse. Ajo që po them unë, është fakti se bazuar në raportet e agjencive që trajtojnë rastet e dhunës në familje, prezenca e dhunës në familje është shqetësuese. Vetëm gjatë vitit 2018 janë raportuar 1541 raste të dhunës në familje, rreth 300 raste më shumë se në vitin 2017”, ka thënë Qelaj.

Sipas tij, rritja e numrin të rasteve të raportuara nuk është vetëm indeks që matë prezencën e dhunës, por në të njëjtën kohë është tregues edhe i ngritjes së vetëdijes në përgjithësi në shoqërinë tonë që dhuna duhet të raportohet dhe padyshim është tregues i besimit që viktimat kanë në institucione.

“Ngritja e vetëdijes shoqërore, rritja e besimit tek institucionet, raportimi i dhunës, zbatimi efikas i ligjit dhe procedurave në këto raste ndikon jo vetëm në parandalim të dhunës por eviton edhe rastet që fatkeqësisht mund të përfundojnë me pasoja shumë të rënda” ka thënë Naim Qelaj zëvendësministër i Drejtësisë dhe Koordinator Nacional për Mbrojtje nga Dhuna në Familje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat