Kërkohet veprim urgjent, Kosova mund ta humbë përkrahjen ndërkombëtare

Politika

Kërkohet veprim urgjent, Kosova mund ta humbë përkrahjen ndërkombëtare

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 12 mars 2019 Në ora: 15:52
Foto ilustrim

“Në një pushtet dhe në një drejtësi të korruptuar deri në majat e tyre, nuk ka asnjë gjasë as të luftohet e as të zvogëlohet korrupsioni”, është shprehur ish deputeti i LDK-së Adem Salihaj.

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, ka thënë se kësaj radhe dëshiron të jete më i drejtpërdrejtë, duke pyetur politikanët e Kosovës, se a do të kenë përkrahjen ndërkombëtare.

Ai ka thënë se, korrupsioni në Kosovë, sidomos ai i nivelit të lartë, nuk është duke u luftuar. Ka pyetur se si është e mundur që ende nuk ka një të dënuar për korrupsion, të nivelit të lartë.

“Përgjegjësia bie tek ju prokurorë e gjyqtarë. Ligjet janë duke u përmirësuar në vazhdimësi, por nuk po zbatohen. Kosova nuk guxon të jetë vatër e krimit dhe korrupsionit. Është tejet e rrezikshme për juve, por edhe për neve. Dhe tani dua t’ju bëj një pyetje - edhe sa mendoni se do ta keni përkrahjen ndërkombëtare? Është momenti i fundit ta tregoni veten dhe t’i luftoni këto dukuri”, ka thënë ambasadori.

Salihaj: Shembull eklatant janë 53 milionët për Bektel-Enkën

Në lidhje me këtë çështje ish deputeti i LDK-së Adem Salihaj, ka thënë për

“Bota sot” se, korrupsioni i niveleve të larta në Kosovë nuk mund të luftohet, sepse ata që duhet ta luftojnë janë në krye të shtetit dhe ata vetë janë më të korruptuarit.

Sipas tij, sa më i lartë niveli i pushtetit, korrupsioni është më i madh, pasi është e kuptueshme se ata nuk do ta arrestojnë apo dënojnë vetveten.

Image
Adem Salihaj

“Edhe nivelet e larta të shtyllës së gjyqësorit janë njerëz të emëruar nga nivelet e larta e të korruptuara të pushtetit. Në situatën, në të cilën gjendet Kosova nuk ka asnjë gjasë që të luftohet korrupsioni, përkundrazi ai jo vetëm që nuk po ndalet, por edhe po shënon rritje. Shembull eklatant janë 53 milionët për Bektel-Enkën, si penalizm ndaj qeverisë për vonesën e pagesave, si dhe mbi 100 milionë të tjera, që po i falen kësaj kompanie, për mosrealizimin e vonesave të saj në kryerjen e punimeve sipas afateve. Në një pushtet dhe në një drejtësi të korruptuar deri në majat e tyre, nuk ka asnjë gjasë as të luftohet e as të zvogëlohet korrupsioni”, është shprehur ish deputeti i LDK-së Adem Salihaj.

Veseli: Pas kësaj vërejtjeje duhet urgjentisht të reflektojmë

Kurse, sekretari i Përgjithshëm në AKR-së Vesel Makolli, ka thënë se, as pesimisti më i madh nuk do ta paramendonte që do të arrijmë në një situatë sikur kjo që e kemi tani, ku kemi të bëjmë me mos koordinimin me miqtë tanë, apo mosrespektimin e sugjerimeve e më mirë me thënë mos respektimin e këshillave të miqve tanë.

Image
Vesel Makolli

“Miqtë tanë në krye me SHBA-të dhe NATO-n nuk janë thjesht vetëm miq por janë më meritorët për lirinë dhe shtetformimin që e kemi sot, si dhe janë shpresa për ndërtimin e një shteti juridik dhe demokratik, si dhe për një zhvillim dhe prosperitet ekonomik dhe kulturor. Nuk duhet harruar se nuni i shtetësisë sonë SHBA-të dhe aleatët kanë bërë investime të mëdha materiale kadrovike dhe njerëzore. Andaj është në ndërgjegjen tonë që në çdo sugjerim apo këshill të miqve tonë ta marrim si këshillë apo sugjerim prindëror. Duhet të dalim nga "getoja" folkloriste dhe popullsitë dhe të reflektojmë racionalist, duke respektuar ndihmën dhe qëndrimin e miqve tanë pa të cilët Kosova ndoshta do të ishte një Çamëri e dytë”, ka thënë Makolli.

Sipas tij, vërejtja e Ambasadorit britanik O'Conell duhet të merret shumë seriozisht duke u konsideruar si vërejtja e fundit.

“Pas kësaj vërejtje nga Ambasadori O’ Conell mendoj se duhet urgjentisht të reflektojmë të gjithë duke lënë anash interesat partiake, grupore, individuale dhe duke gjetur një zgjidhje e cila do të na nxjerrtë nga kjo situatë. Ruajtja e raporteve miqësore me SHBA-të dhe aleatet është jetike për shtetin tonë. Në asnjë mënyrë dhe për asnjë arsyeje nuk duhet t`i ftohim marrëdhëniet tona, e aq më pak ta humbim përkrahjen e miqve tonë”, ka thënë Makolli.

Ai konsideron se, historikisht po përsëritet situata, që në mes liderëve tonë të ketë kakofoni politike, e kjo shkon në dëm të qytetarëve të vendit.

“Siç thotë populli "po qojmë ujë në mulli të huaj", sepse sa më shumë që vonohemi me dal nga kjo situatë duke aplikuar këshillat e miqve tanë aq me shumë do të na zgjatën proceset e anëtarësimeve në organizmat relevant ndërkombëtar, si dhe procesi i liberalizimit të vizave. Fatmirësisht Kosova është gjeografikisht në pjesën e sferës toke ku gërshetohen interesat e fuqive relevante ndikuese botërore, andaj rreshtimin e drejt në konstelacionin e forcave botërore që e kanë bërë Ibrahim Rugova dhe UÇK- ja duhet ta ruajmë dhe kultivojmë si sytë e ballit, dhe assesi nuk guxojmë të vijmë në pikëpyetje perspektivën e gjeneratave të ardhshme. Atyre që mendojnë me përfituar favore politike nga kjo situatë do të ju kthehet si bumerang, pasi që çdo shtetas i Kosovës e ka të qartë se pa përkrahjen e miqve tanë ne nuk do të frymonim lirshëm në ditët e sotme”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm në AKR-së Vesel Makolli.

Krasniqi: Ambasadori duhet pyetur politikanët dhe jo popullin

Ndërsa, politologu Faik Krasniqi, ka pohuar se dy dekada pas çlirimit të Kosovës po e shohim që përkrahja ndërkombëtare më shumë ka qenë për këtë klasë politike, se sa për shtetin dhe qytetarët e saj.

Ai ka thënë se para syve të Bashkësisë Ndërkombëtare (UNMIK dhe EULEX),u bën krimet më të mëdha ekonomik dhe politike në Kosovë, madje kjo u bë edhe në bashkëpunim me zyrtarë të këtyre misioneve.

Image
Faik Krasniqi

“E gjithë kjo u bë para syve të ambasadave dhe ambasadoreve, madje nuk harrohen lehtë që shumë ambasadorë kishin lidhje të ngushta ekonomike me politikën vendore. Kontrata me Bechtel-Enkel ku u involvua edhe ish ambasadori amerikan Christopher Dell, i cili pas mandatit të tij si ambasador në Kosovë, në Gjermani fitoi një post më të lartë në këtë kompani”, ka thënë politologu Krasniqi.

Sipas tij, sikur Bashkësia Ndërkombëtare ta kishte seriozisht ndërtimin e një shteti serioz në vendin tonë, Kosova edhe do bëhej një shtet i tillë, por kjo gjendje i leverdiste edhe atyre.

“Që dy dekada populli është i izoluar, kurse politikanët lëvizin lirshëm në gjithë botën. Prandaj këto deklarata të këtyre ambasadorëve, nuk duhet marrë aq për zemër sepse ata kanë mundur të bëjnë shumë në mënyrë që Kosova të ishte shtet ligjor dhe serioz. Prandaj, Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairí O'Connell duhet pyetur politikanët dhe jo popullin, sepse që dy dekada i kanë toleruar”, ka thënë politologu Faik Krasniqi.

Mehmeti: Kosova nuk guxon që të humbas shtet kryesore mike si SHBA, Britaninë dhe Gjermaninë

Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti, ka pohuar se deklarata e ambasadorit britanik duhet merret seriozisht, pasi është një vend që ka kontribuar shumë për Kosovën që është sot.

Image
Faton Mehmeti

“Nëse ndërkombëtarët e kanë njohur Kosovën shtet edhe duhet ta respektojnë si të tillë. Kosova ka të drejtë që të vë tarifa ndaj Serbisë, për shkak të agresionit të saj diplomatike. Megjithatë, nëse ndërkombëtaret janë kundër idesë së Thaçit për korrigjim, atëherë kjo duhet të merret parasysh, sepse cenohet integriteti territoriale i Kosovës, të cilën BE-ja dhe SHBA-ja kanë investuar shumë për ta krijuar dhe njohur. Kjo është krejtësisht e kuptueshme që ndërkombëtarët edhe të bëjnë presion që të hiqet dorë nga çdo ide që cenon sovranitetin e vendit tonë, pasi kështu cenohet edhe puna e tyre për krijimin e shteti të Kosovës”, ka thënë analisti politik Mehmeti.

Sipas tij, ndërkombëtarët kanë të drejtë dhe patjetër se duhet të ndërhyjnë në raste kur cenohet sovraniteti i vendit tonë, por assesi në politikat e Kosovës ndaj Serbisë, pasi kjo e fundit është e përkëdhelur shumë nga disa shtet të BE-së.

“Kosova duhet të tregojë se është shtet dhe ka të drejtë autonomi të ndërmerr veprime që mbrojnë shtetësinë dhe integritetin e saj, megjithatë edhe ndërkombëtarët e kanë obligim që të ndërhyjnë kur cenohet sovraniteti i Kosovës, që i bie të mbrojnë punën e tyre. Gjithsesi, Kosova nuk guxon që të humbas shtetet kryesore mike si SHBA, Britaninë dhe Gjermaninë, të cilët janë kontribuuesit me të mëdhenj të Kosovës Kosova ka nevojë të jetë shtet i fuqishëm dhe i së drejtës së qytetarit të ndershëm”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat