A po paralajmëron Ambasadori Ruairi O’Connell krijimin e një gjykate për krime ekonomike, apo qortimi i radhës për qeverinë?

Politika

A po paralajmëron Ambasadori Ruairi O’Connell krijimin e një gjykate për krime ekonomike, apo qortimi i radhës për qeverinë?

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 12 mars 2019 Në ora: 18:50
Ambasadori Ruairi O’Connell

Nëse pas lufte, respektivisht pas shpalljes së pavarësisë ishte e “lejuar” deri në një  masë niveli i lartë i korrupsionit, tanimë ka humbur çdo arsye të ekzistencës së saj. Aq i lartë është korrupsioni saqë edhe ambasadorët e huaj po reagojnë për këtë fenomen, që po gërryen nga brenda shtetin. Njëri ndër ambasadorët më të zëshëm kundër korrupsionit është ambasadori britanik. Këtë të hënë ambasadori i Britanisë së Madhe, ka thënë se kësaj radhe dëshiron të jetë më i drejtpërdrejtë, duke pyetur se edhe sa do ta keni përkrahjen ndërkombëtare.

Ai ka thënë se korrupsioni në Kosovë, sidomos ai i nivelit të lartë, nuk është duke u luftuar. Ka pyetur se si është e mundur që ende nuk ka një të dënuar për korrupsion, të nivelit të lartë. “Përgjegjësia bie tek ju prokurorë e gjyqtarë. Ligjet janë duke u përmirësuar në vazhdimësi, por nuk po zbatohen. Kosova nuk guxon të jetë vatër e krimit dhe korrupsionit. Është tejet e rrezikshme për juve, por edhe për neve. Dhe tani dua t’ju bëj një pyetje - edhe sa mendoni se do ta keni përkrahjen ndërkombëtare? Është momenti i fundit ta tregoni veten dhe t’i luftoni këto dukuri”, ka thënë ambasadori.

Një paralajmërim i tillë shtrihet në disa segmente e që kanë të bëjnë kryesisht me dështimin e klasës politike për të krijuar një shtet të së drejtës, për çka edhe Britania dhe SHBA kanë kontribuar shumë. Megjithëse ambasadori O’Connell dërgojë mesazhe të fuqishme, por nuk shpjegoi se çfarë do të ndodh nëse vendi vazhdon ende të vuaj mungesën e drejtësisë.

Nuk është hera e parë qe ambasadorët bëjnë kritika për mungesë drejtësisë, derisa klasa politike ka heshtur duke vazhduar avazin e vjetër. Se kjo deklaratë do të merr kuptimin mbete për tu parë nëse pas këtij paralajmërimi qëndron ndonjë plan i Britanisë në koordinim me SHBA për të themeluar një gjykatë për krime ekonomike, dhe forma të tjera të korrupsioni. Nëse një plan i tillë ekziston atëherë s`ka pse të presësh më gjatë që kjo klasë politike të ndryshoj kursin e saj për të çliruar drejtësinë nga kthetrat e saja.

Apo ishte vetëm një paralajmërim i radhës kinse për të thënë se jemi këtu.  Qytetarët e vendit kanë nevojë për vendime konkrete të ambasadës së Britanisë dhe SHBA, pasi kjo klasë politike në pushtet nuk është e gatshme të heq kthetrat e saja nga drejtësia pasi do ishte e para që do e pësonte. Andaj Kosova ka nevojë për një gjykatë për krime ekonomike që do të merret ekskluzivisht me vepra të korrupsionit, kryesisht të njerëzve në qeveri, të lidhur me politikën. Një gjykatë e vërtetë e jo si EULEX, që dorën në zemër dështoi, vetëm sa legjitimoj hajnat.

 Dua të besoj se deklarata e ambasadorit Ruairi O’Connell nuk është vetëm shprehje shqetësimi por edhe paralajmërim i fortë për klasën politike, që nëse nuk çlirojnë drejtësinë nga uzurpimi që i kanë bërë do gjinden forma të tjera që të ndëshkohen të gjithë ata që qëndrojnë në piramidën e korrupsioni, pa përjashtuar këtu edhe themelimin e shpejtë të një gjykate ndërkombëtare për të dënuar të gjithë ata që qëndrojnë mbi ligjin dhe kanë kapur ligjin për interesa të tyre personale. Ashtu si kishim dikur nevojë për bashkësinë ndërkombëtare për tu çliruar nga regjimi i Millosheviçiq, sot kemi nevojë për tu çliruar nga kjo klasë politike në pushtet, që çdo ditë e më shumë po na i vranë ëndrrat. Si pasojë e saj Kosova çdo ditë po zbrazët, me frikën që me një Kosovë të zbrazur as pavarësia më s’do ketë kuptim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat