Haradinaj thyen dashurinë Thaçi-Vuçiq

Politika

Haradinaj thyen dashurinë Thaçi-Vuçiq

Nga: D. B. Më: 13 mars 2019 Në ora: 16:12
Aleksandër Vuçiq, Hashim Thaçi

Taksat e sidomos Platforma e përbashkët e Parlamentit të Kosovës e ka ndarë njëherë e përgjithmonë Alekasandar Vuçiqin nga Hashim Thaçi.

Kështu ka vlerësuar njohësi i çështjeve politike Sulejman Mehazi i cili në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se është për keqardhje kur sheh Vuçiqin se si endet nëpër mediat serbe duke vajtuar për Kosovën që ka mbetur e vetmuar.

Image
Sulejman Mehazi

“I mjeri Vuçiqi nuk e ka lehtë të ndahet nga bisedat dashurore me Thaçin. Jo vetëm Vuçiqi, por edhe Thaçi është duke qarë e vajtuar për dashurinë e ndarjes e shkëmbimeve tragjike të Kosovës me Serbinë. Sa keq për Thaçin e Vuçiqin që nuk takohen më për të drekuar e darkuar me verë e raki "serpsko" nëpër hotelet e shtrenjta Bruksel-iane e Gjenev-iane. Tashmë dihet se fajtori kryesor për ndarjen e të dashuruarve Vuçiq dhe Thaçi është vet Haradinaj me ato taksat vrerëse serbe dhe me platformën vdekjeprurëse për Serbinë. Ky Haradinaj që paska qenë Penicilin, ua paska prish planet procesuale politike për ndarje dy "frajerave", shtatëlartë  Vuçiqit dhe Thaçit”, ka thënë profesor Mehazi.

Ai ka thënë se është për tu çuditur se si Haradinaj i vogël burrështetasit e mëdhenj i ka lënë me gishta në gojë.

“Kokëfortësia e Haradinaj, e ka kapur në mat Presidentin e Serbisë, madje ai e ka kapur mat në shumë pozicione politike. Kështu që ai o të pajtohet me inatet politike të Haradinajt, o të jep dorëheqje, ose të plas si koka e kripës, ose të fillonte luftën me ushtrinë e Kosovës? Inatet politike të Haradinajt për ne sa janë të mira aq edhe të këqija, sa janë kundër Serbisë aq mund të jenë edhe kundra Kosovës. Çdo herë kokëfortësitë e udhëheqësve shtetëror i kanë dhuruar popullatës pikëllime, tragjedi e luftëra, inatet politike çdo herë e përherë bien konflikte, trazira e izolime diplomatike. Politika e mirëfilltë shtetërore s'duron kokëfortësi, por kompromise diplomatike. Për politikanët e papjekur inatet janë në planë të parë, për të pjekurit mençuria diplomatike në plan të parë”, është shprehur profesor Sulejman Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat