Shkalla e lartë e krimit të organizuar, korrupsionit dhe nepotizmit, vazhdojnë të jenë pengesa të pakapërcyeshme për Kosovën

Politika

Shkalla e lartë e krimit të organizuar, korrupsionit dhe nepotizmit, vazhdojnë të jenë pengesa të pakapërcyeshme për Kosovën

Nga: D. B. Më: 13 mars 2019 Në ora: 18:29
Sami Blakaj

Deklarata e ambasadorit britanik O’Connell ditë më parë se “korrupsioni në Kosovë, sidomos ai i nivelit të lartë, nuk është duke u luftuar”,nënkupton brishtësinë e gjyqësorit në Kosovë si dhe domosdoshmërinë e krijimit të një sistemi të pavarur dhe efikas të drejtësisë.

Kështu ka vlerësuar njohësi i integrimeve evropiane Sami Blakaj i cili në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se deklarata e Ambasadorit  O’Connell për më tepër duhet marrë si një vërejtje serioze drejtuar politikës së Kosovës, por edhe sistemit të drejtësisë, sistem ky i cili assesi nuk po arrin të dëshmojë, se ka guxim dhe vullnet për t'i dalë ballë krimit të organizuar në nivele të larta.

Ai ka theksuar se shkalla e lartë e krimit të organizuar dhe korrupsionit, por edhe nepotizmi i shtrirë në gjithë administratën shtetërore vazhdojnë të jenë pengesa të pakapërcyeshme për Kosovën dhe të ardhmen e saj.

“E gjithë kjo vjen si rezultat i një shteti të dobët ligjor, i cili sot nuk vuan nga mungesa e legjislacionit, por nga mungesa e zbatueshme risë dhe paanshmërisë së tij. Përderisa sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk funksionon si pushtet i pavarur dhe i pa ndikuar politikisht. Është e pamundur që të luftohet krimi dhe korrupsioni dhe kësisoj vendit i pamundësohet të ecë përpara, jo vetëm në zhvillimin e brendshëm, por edhe në avancimin e tij drejt BE-së dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtar”, është shprehur njohësi i integrimeve evropiane Sami Blakaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat