Fillimi i fundit i Hashim Thaçit?

Politika

Fillimi i fundit i Hashim Thaçit?

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 14 mars 2019 Në ora: 08:11
Hashim Thaçi dhe shtetasit turq

Kanë kaluar afro një vit që kur Kosova dëboi gjashtë shtetas turq për në Turqi, nën dyshimin se ata paraqisnin kërcënim për sigurinë kombëtare në Kosovë.

Tani, Ambasada amerikane dhe ajo britanike në Kosovë, kanë shprehur shqetësim dhe ka kërkuar përgjegjësi për rastin e dëbimit të shtetasve turq.

“Ne u bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që të sigurojnë përgjegjësi të plotë për këdo që shkel ligjin dhe rikujtojmë liderët e Kosovës që institucionet e sigurisë duhet të veprojnë vetëm brenda autoritetit kushtetues, në varësi të sundimit të ligjit. Nuk kemi të bëjmë me fajësinë apo pafajësinë e individëve, por shmangie të qartë të proceseve ligjore të Kosovës nga ana e politikanëve të Kosovës. Presioni politik në sektorin e sigurisë për të thyer ligjin e Kosovës është një shkelje skandaloze e vlerave demokratike. Ne nxisim për transparencë të plotë në sektorin e sigurisë dhe në drejtimin e punëve të jashtme, për të parandaluar ndërhyrjet e pavenda nga politikanët kosovarë në të ardhmen”, thuhet ndër të tjera në komunikatën për media të Ambasadës Amerikane.

Gashi: Diktatori Erdogan ka falënderuar publikisht Hashim Thaçin për dëbimin e paligjshëm të këtyre shtetasve turq

Image
Tomë Gashi

Lidhur me rastin e shtetasve turq, reagimet e Ambasadave dhe rrezikimin e raporteve të Kosovës me këto dy shtete, avokati Tomë Gashi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se reagimi ka ardhur për shkak të raportit të Komisionit për shkeljet ligjore.

“Reagimi i Ambasadave amerikane, britanike dhe gjermane lidhur me dëbimin e pa ligjshëm të 6 shtetasve turq në mars të viti të kaluar edhe pse shumë i vonuar erdhi si pasojë e publikimit të raportit të Komisionit të Parlamentit të Kosovës në të cilin raport janë gjetur 31 shkelje të rënda ligjore. Dhe anëtarët e këtij komisioni në krye me Xhelal Sveçla, Anton Quni, Driton Selmani dhe të tjerët angazhuan ekspertin amerikan, Tienmu i cili në raport të shkruar në mbi 74 faqe i sqaroi të gjitha procedurat dhe të gjithë të implikuarit në këtë skandal të shtetit të Kosovës dhe për të cilin askush deri më tani nuk ka dhënë asnjë përgjegjësi’, është shprehur ai.

Gashi thotë se në errësirë të plotë për këtë çështje u la kryeministri Haradinaj, ndërsa që Komisioni nuk arriti ta marrë në pyetje presidentin Thaçi.

“Dihet se në këtë çështje ishte lënë krejtësisht anash i pa informuar fare dhe në errësirë të plotë kryeministrit Ramush Haradinaj të cilit akterët e këtij skandali nuk i kanë besuar, dhe për këtë arsye ai shkarkoi nga detyra ministrin e punëve të brendshme Flamur Sefaj dhe atë të AKI-së, Driton Gashi. Komisioni nuk ka arritur që të marrë në pyetje kryetarin e Kosovës Hashim Thaçi edhe pse ai ishte ftuar 3 herë dhe për këtë arsye nuk dihet se çka ai do të deklaronte lidhur me këtë çështje kaq të rëndë”, ka vlerësuar avokati Gashi.

Sipas tij, ambasada kërkoi që politika të mos ndërhyjë në punët e institucioneve të pavarura dhe se raporti i është dërguar Prokurorisë Speciale për të identifikuar përgjegjësit.

“Tani ambasadat e kanë bërë të qartë kërkesën që politika të mos ndërhyjë në punët e institucioneve të pavarura dhe mjerisht ky komision u shua në mënyrë të paarsyeshme duke mos ju lejuar që të dërgojë raportin për vitin në parlament të Kosovës. Dhe tani dihet që ky raport i është dërguar edhe Prokurorisë Speciale të Kosovës për të identifikuar përgjegjësit dhe për të ndjekur penalisht të gjithë ata të implikuar në këtë skandal tepër të rëndë për Kosovën”, ka thënë Tomë Gashi për “Bota sot”.

Avokati përmend dhe falënderimin e Erdogan ndaj presidentit Thaçi për dëbimin e shtetasve turq, derisa shton se nuk është fillimi i fundit të presidentit.

“Kjo është porosia e reagimit të ambasadave për këtë çështje ndërsa dihet se presidenti apo më mirë të themi diktatori Erdogan ka falënderuar publikisht Hashim Thaçin për dëbimin e paligjshëm të këtyre shtetasve turq për arsye krejtësisht politike. Nuk besoj se ky është fillimi i fundit politik të presidentit Thaçin sepse ka dëshmuar që ai ka fuqi më të madhe politike në PDK edhe pse si president do të duhej të ishte sinonim i bashkimit të popullit, gjë që nuk është vërtetuar deri më tani”, ka deklaruar Tomë Gashi për “Bota sot”.

Abazi: Dështimi i plotë i shtetit

Image
Haki Abazi

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Haki Abazi, ka thënë se reagimi i Ambasadave është i vonuar por i mirëseardhur, duke shtuar se misterioziteti dhe niveli i papërgjegjësisë nga udhëheqësit e shtetit për këtë rast, kanë qenë dështim i shtetit.

“Deklaratat e SHBA-ve dhe Mbretërisë së bashkuar lidhur me kapjen misterioze dhe dorëzimin e shtetaseve turq që po qëndronin legalisht në Kosovë, janë të vonuara por të mirëseardhura. Misterioziteti i gjithë ngjarjes, dhe niveli i papërgjegjësisë që kanë treguar udhëheqësit e institucioneve kanë qenë dështimi i plotë i shtetit. Kjo ngjarje edhe sot nuk e ka epilogun dhe qartësinë e domosdoshme dhe shpresoj që deklaratat e ambasadorëve do të ndihmojnë në qartësimin dhe zbardhjen e përgjegjësive të bartësve dhe atyre që kanë aprovuar një veprim të këtillë”, është shprehur Abazi.

Sipas tij, personat që kanë qenë në krye të institucioneve për këtë rast vetëm i kanë ndërruar pozitat, por që përgjegjësi nuk ka marrë askush dhe kjo është kapje e shtetit.

“Brengosja është se njerëzit që kanë qenë në krye të institucioneve të sigurisë vetëm kanë ndërruar pozita dhe deri më sot asnjë njeri nuk është marrë në përgjegjësi për atë që ka ndodhur dhe kjo tregon nivelin e kapjes së shteti në të gjitha nivelet e që po ashtu do të duhej të adresohej që të parandalohen ngjarje të tilla apo edhe veprime që mund të rrezikojnë interesin nacional dhe sigurinë e shteti dhe qytetarëve të vendit”, ka deklaruar Haki Abazi për “Bota sot”.

Abdullahu: Politika po pengon zbardhjen e shkeljeve që janë bërë me këtë rast

Image
Faton Abdullahu

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike Faton Abdullahu e quan të drejtë reagimin e ambasadave për rastin e shtetasve turq.

“Vendet aleate (SHBA, Gjermani, Britani) me të drejtë përmes ambasadave në Prishtinë kanë reaguar fortë lidhur me rastin e gylenistëve në Kosovë. Emërues i përbashkët i këtij reagimi është se politika po pengon zbardhjen e shkeljeve që janë bërë me këtë rast. Institucionet e Kosovës kohë më parë tinëza e me pabesi kanë bërë grabitje të qytetarëve të huaj vendosur në Kosovë dhe i kanë dorëzuar në shtetin e tyre amë, me çka kanë shkelur të drejtat e njeriut, kanë shkelur procedurat ligjore dhe parimet evropiane, por edhe traditën zakonore të mikpritjes shqiptare”, ka deklaruar Abdullahu.

Ai thotë se, institucionet e Kosovës me këto veprime kanë ngritur pengesa në rrugëtimin drejt BE-së, është dëmtuar liberalizimi i vizave dhe se tani ka dhe pengesa në Kuvend që të zbardhet ky rast.

“Me këtë ja kemi qu tugun Brukselit. Pa pikë dyshimi institucionet tona me këtë veprim tipik anti-evropian kanë ngritur pengesa në rrugëtimin tonë për në BE. Me këtë jo vetëm tërthorazi është dëmtuar edhe procesi i liberalizimit të vizave. Si mund të dëshirosh që qytetari yt të gëzojë viza, benefite e mikpritje nga shtetet e Evropës e në të njëjtën kohë qytetarët e huaj në vendin tënd t’i trajtosh si terrorist dhe t’i kthesh atje ku ju rrezikohet liria dhe jeta. Për më keq edhe tani ka pengesa në Kuvendin e Kosovës për ta zbardhur rastin e këtyre shkeljeve si determite e involvimit të politikës apo thënë ndryshe të mendësisë kaçake të ulura këmbëkryq në institucionet e udhëhequra nga Koalicioni PAN”, është shprehur Faton Abdullahu për “Bota sot”.

Shahu: Askush nuk i do Edi Ramat e Hashim Thaçat

Image
Rexhep Shahu

Kurse, publicisti Rexhep Shahu, vlerëson se Thaçi dhe gjithë çeta e tij e komandantëve duhet të shkojnë në shtëpi, e nëse nuk janë të sigurt në shtëpi, le të shkojnë në burg.

“Me dhimbje, por Thaçi dhe gjithë çeta e tij e komandantëve duhet të shkojnë në shtëpi në pension si veteranë. Nëse nuk janë të kënaqur e të sigurt ne shtëpi si veteranë ku mund të shkruajnë rrena e kujtime, le të shkojnë në burg. Kosova nuk mund të vuajë me tepër se kaq arrogancën, injorancën dhe harbutllëkun e Thaçit me kompani. Boll ka vuajtur Kosova nën prangat e injoranteve dhe enveriste e të maskuar”, ka vlerësuar Shahu.

Sipas tij, askush nuk i do Edi Ramat e Hashim Thaçat, por i votojnë nga frika.

“Kosova ka rini dhe njerëz të ndershëm e të shkolluar me qeverisë gjithë Ballkanin. Politikanë si Thaçi dhe garda e tij që kanë një brez njerëzor që na shpifen në tribuna e ekrane nuk mund ta minojnë të ardhmen e Kosovës për pushtetin e tyre të frikës. Askush nuk i do Edi Ramat e Hashim Thaçat enco por i votojnë nga frika”, ka deklaruar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat