Kërkohet që Qeveria e Kosovës dhe jo Presidenti të jetë e prerë në raport me Serbinë - Bota Sot
Kërkohet që Qeveria e Kosovës dhe jo Presidenti të jetë e prerë në raport me Serbinë

Politika

Kërkohet që Qeveria e Kosovës dhe jo Presidenti të jetë e prerë në raport me Serbinë

Nga: D. B. Më: 14 mars 2019 Në ora: 20:17
Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi

Kushtetuta është akti më i lartë juridik i vendit dhe si i tillë duhet dhe të respektohet përpikërisht nëse dëshirojmë një të ardhme më të drejtë për Shoqërinë tonë.

Kështu ka thënë njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtarë Mirsad Voca i cili në një prononcim  për “Bota sot” se Kushtetuta e Kosovës është ndërtuar mbi parimin e një sistemi të qartë parlamentar dhe jo presidencial dhe as gjysmë-presidencial.

Sipas tij, ky mund të jetë si një fakt i mjaftueshëm të cilin as Presidenti dhe askush nuk mund ta mohoj.

Image
Mirsad Voca

“Kushtetuta e Kosovës nuk mund të thuhet se është duke u respektuar nga Presidenti i Kosovës i cili i ka dhënë vetes prerogativa që nuk i takojnë me Kushtetutë. Presidenti do të mund të kishte zgjidhur së pari rrugën për të ndryshuar Kushtetutën përmes Parlamentit para se të futej në negociata politike për ndryshim të kufirit me Shtetin serb. Mirëpo këtë ai nuk mundi apo harroi ta bëj. Tani ai orvatet të bëj dy gjëra në të njëjtën kohë dhe që të dyja janë një qasje sa e gabueshme edhe kundër kushtetuese. E gabueshme sepse nuk i ka bashkërenduar veprimet për t’iu futur si duhet ndryshimeve kushtetuese siç theksova më lartë dhe kundër kushtetuese nga dy këndvështrime : i pari, del në pah nga fakti se Presidenti nuk ka të drejtë kushtetuese ti bëj presion ekzekutivit e as ta tejkaloj në sferën e përfaqësimit në veçanti duke u futur në negociata që vëjnë në dyshim dhe cenojnë sovranitetin e Republikës së Kosovës; i dyti vjen nga fakti se Presidenti mund të këshilloj për zgjidhje mirëpo nuk ka të drejtë kushtetuese të futet në negociata me asnjë vend fqinj për këmbime apo bashkangjitje territoresh sepse këtë e ndalon Kushtetuta shumë qartë në nenet e saj fillestare (shih Nenin 1, paragrafi 1 dhe 3 dhe Nenin 2, paragrafi 1 dhe 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës). Një vepër e tillë përbën shkelje të rëndë të Kushtetutës (shih Nenin 91, paragrafi 1,2 dhe 3), dhe veprimet e tilla janë të dënueshme me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka thënë Voca.

Ai ka thënë se Presidenti i Republikës së Kosovës mund të thërras vetëm për një unitet të brendshëm politik, të përfaqësoj unitetin e vendit jashtë dhe kjo është e tëra që Presidenti tani për tani mund të bëj të themi kushtimisht me pushtetin që i ofron atij Kushtetuta e Republikës së Kosovës (shih Nenin 4, paragrafi 3 i Kushtetutës së Kosovës).

“Ne duhet ta kemi të qartë se Qeveria e Kosovës është përgjegjëse lidhur me ligjet dhe politikat shtetërorë të çfarëdo natyre qofshin ato mirëpo gjithnjë duke iu nënshtruar kontrollit parlamentar (shih Nenin 4, paragrafet 4 dhe 7, i Kushtetutës së Kosovës).Nga ky këndvështrim interpretues i Kushtetutës së Republikës së Kosovës vihet në pah qartë sistemi parlamentar i vendit dhe si i tillë nuk mund të anashkalohet sepse kjo përbën bazën e sistemit operues të Shtetit. Asnjë individë nuk do të duhej apo nuk do të mund të operonte jashtë sistemit aktual operues që ofron Kushtetuta e Kosovës”, ka thënë Voca.

Sipas tij, Presidenti i Kosovës aktualisht po bën përpjekje qartazi për të diktuar një sistem të tijin operativ jashtë suazave të asaj që interpreton Kushtetuta e Kosovës.

“Dihet qartë se ku shpie dhe çfarë paradigme ngrit një qasje e tillë. Nëse dikush mëton të dalë jashtë këtij sistemi operues apo ta ndryshoj atë për favore personale e klanore atëherë do të kemi të bëjmë me një diktat premisat e të cilit i dimë shumë qartë se kah shpijnë. Presidenti mund të gjej mënyra të ndryshme besa edhe cezariane për prerje e ndryshime kushtetuese sipas dëshirës së tij. Një proces i tillë së pari është jo serioz, i parëndësishëm e i dëmshëm për Shtetin e Shoqërinë duke e dobësuar njëherazi imazhin e Shtetit të Kosovës sado i dobët që është edhe tani. Natyrisht do të duhej qasje e kundërt e spektrit më të lartë politik që nëpërmes respektimit të plotë kushtetues e ligjor të ngritët një mirëqenie sociale duke u luftuar së pari krimi i organizuar dhe korrupsioni sepse kjo do t’i hapte dyert zhvillimit ekonomik, dhe jo të ngutemi të bëjmë ndryshime kushtetuese për të ndryshuar balancin e pushteteve për përfitime personale.

Mendoj se janë absolutisht të panevojshme dhe jo adekuate këto ndryshme kushtetuese për të cilat flitet këtyre ditëve, dhe nuk e shoh aspak prioritare në dritën e zhvillimit të brendshëm të Shtetit dhe Shoqërisë së Kosovës”, ka thënë Voca.

Sipas tij, Presidenti mund t’i bëj të realizueshme qëllimet e tij politike nëse i futet kësaj pune nga një këndvështrim makiavelian.

“Në fund rezultati do të jetë negativ meqë as Kosova dhe as Populli i saj nuk do të fitojnë ndonjë mirëqenie shtetërorë apo sociale sepse me ndryshimin e kufijve nuk ka asnjë garanci se Serbia do e njeh Shtetin e Kosovës më shumë sesa si një zonë neutrale që do të shtrihet midis Shqiptarëve dhe Serbëve. Ndërsa duke u bazuar në atë që na mëson historia politike, lojërat me kufij kanë mbjellë e sjellë vetëm konflikte nga më të ndryshmet.

Nga një proces i tillë i ndryshimit kushtetues dhe si rrjedhojë i këmbimit të territoreve, do të fitojnë vetëm disa individë, në mesin e tyre edhe Presidenti i Kosovës i cili po e dëshiron ndryshimin kushtetues. Dhe këtë po e dëshiron që më pastaj të marrë disi edhe pushtetin drejtpërdrejtë nga vota e popullit dhe ta zgjasë jetën politike të tij por jo të Kosovës, të bëjë këmbimet apo koncesionet e reja siç i ka kërkuar Serbia, të ndryshoj sistemin operativ kushtetues siç është tani parlamentar në favor të një sistemi më shumë presidencial”, ka thënë Voca.

Ai ka pohuar se Kosovës nuk i duhet një sistem i tillë sepse nga një këndvështrim politiko-social, jemi një shoqëri që vuan gjithnjë nga bajraktarizmi, e cila shoqëri ka nevojë urgjente të mësoj të punoj si ekipë.

“Dhe këtë shembull nuk mund ta jap askush më shumë sesa institucionet e Kosovës, Qeveria e Kosovës e cila po ashtu është qaluese dhe lë shumë për të dëshiruar në çdo dikaster apo fushëveprim. Kosova ka nevojë urgjente të imponohet si Shtet institucional, me parime moderne siç i parashtron Kushtetuta, dhe e hapurë ndaj shoqërive tjera demokratike, dhe si një Shtet shembull në rajon por dhe më gjerë sa i përket të drejtave ndaj pakicave veçanërisht ndaj minoritetit serb siç parashihet me planin e M. Ahtisarit dhe tani me Kushtetutën e Kosovës.

Duhet ritheksuar se Kosova nuk ka urgjencë për diskutime në këtë formë me Shtetin fqinj serb, diskutime që kanë hapur kapitull të ri duke hapur çështjen e Kosovës”, ka thënë Voca.

Sipas tij, nga një perspektivë e tillë, kjo do të shpiente vetëm në shfuqizimin apo defaktorizimin e Shtetit të Kosovës, do t’i jepte shanse Serbisë të futet edhe më brenda Kosovës dhe nga një pozicion i tillë Shteti serb do të ketë mundësi të dobësoj edhe më tej faktorin shqiptarë në Kosovë duke e shfuqizaur pothuaj tërë atë që është ndërtuar në dy dekadat e fundit.

“Do të ishte shumë me konstruktive që Qeveria e Kosovës e jo Presidenti të jetë i prerë sa i përket diskutimeve me Serbinë se pa u marrë në konsideratë esenca pra ekzistenca e Shtetit të Kosovës nuk mund të vazhdohet në bisedime. Do të ishte shumë më konstruktive që të injorohen paksa këto procese diskutimesh sepse si të tilla nuk janë prioritare për Shtetin e Kosovës, dhe të fokusohet në zhvillimin e brendshëm duke u luftuar seriozisht krimi e korrupsioni që po e përbën pengesën kryesore për progres e prosperitet shoqëror në Republikën e Kosovës”, ka thënë njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtarë Mirsad Voca.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...