Klani Pronto brenda AAK-së - Bota Sot
Klani Pronto brenda AAK-së

Politika

Klani Pronto brenda AAK-së

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 15 mars 2019 Në ora: 07:41
AAK

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, kryesisht ata që janë në pushtet, po e shfrytëzojnë më së miri pozitën dhe autoritetin e tyre për të punësuar familjarë nëpër institucionet publike të Kosovës, e rasti më i shpeshtë janë punësimet në Telekomin e Kosovës.

Edhe pse me vite është bërë zhurmë për punësimet familjarëve të politikanëve në PTK, kjo vazhduar edhe tash me këtë qeveri.

Deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka të punësuar djalin e tij në këtë institucion, ndonëse Nitaj thotë se djali i tij u punësua me meritë dhe nuk ka përdorur autoritetin e tij për të ndikuar në punësimin e të birit. Madje, ai thotë se djali i tij ka kualifikim më të lartë sesa pozita që e mban aktualisht, e që është zyrtar i marketingut.

Ndërsa, deputetja, Donika Kadaj-Bujupi, si duket ia pa “hajrin” largimit të saj nga Vetëvendosja për t’u rikthyer në AAK. Nga 1 gushti i 2018-s, Naser Bujupi, bashkëshorti i saj, u punësua agjent i shitjes në Telekom. Ajo ka thënë se bashkëshorti i saj është jurist dhe për 20 vjet ka qenë i papunë.

Sipas një raporti zyrtar të Telekomit, 234 persona janë punësuar në periudhën shkurt 2018- 2019.

Haxhiu:  Komisioni Hetimor të filloj punën sa më parë

Image
Albulena Haxhiu

Lidhur me këto punësime, deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu që është edhe anëtare e komisionit hetimor për gjendjen në PTK dhe Vala, në një prononcim për “Bota sot” tha se komisioni ende nuk është thirrur në takimin ku do të duhej të konstituohej komisioni hetimor.

Ajo thotë se çdo vonim i këtij takimi, është në favor të pushtetit dhe nënkupton shkatërrim të mëtejmë të Telekomit.

“Ende nuk jemi thirrur në takimin ku do të duhej të konstituohej komisionin hetimor. Çfarëdo vonese në drejtim të saj, është në favor të pushtetit aktual dhe nënkupton shkatërrim të mëtejmë të Telekomit. Shpërfaqja që sot po ndodhë me punësimet e paligjshme në Telekom, është ajo që në fakt ka qenë si dukuri në vazhdimësi, por sot as nuk e kanë problem që ju dalin sheshit keqpërdorimet, nepotizmi e punësime të paligjshme”, thotë Haxhiu.

Ajo tutje shprehet se Vetëvendosja është e gatshme për veprimet e saj kur të fillon punën komisioni hetimor.

“Ne jemi shumë të interesuar që Komisioni Hetimor të filloj punën sa më parë. Jemi shumë të përgatitur si LVV për veprimet dhe hapat që duhet ndërmerren. Ky komision duhet të merret me punësimet e paligjshme, nepotizmin por edhe me hetimet mbi kontratën e dëmshme me z mobile”, shton tutje Haxhiu.

Millaku:  Nuk janë vetëm njerëzit e AAK të punësuar, por edhe të PDK dhe Nismës

Image
Drita Millaku

Edhe deputetja tjetër e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku në një prononcim për gazetën “Bota sot” i ka komentuar punësimet e familjarëve të deputetëve dhe zyrtarëve të AAK-së në Telekomin e Kosovës.

Ajo thotë se marrja e pushtetit nga koalicioni qeverisës që nga fillimet është kuptuar dhe vepruar si plaçkë dhe nuk është e befasuar nga këto punësimet.

“Marrja e pushtetit nga koalicioni qeverisës që nga fillimet është kuptuar dhe vepruar si plaçkë, pra ata janë brenda logjikës së vet të veprimit. Unë nuk jam e befasuar fare për këto punësime dhe këto janë jo vetëm në PTK, por edhe në tërë ministritë dhe agjencitë shtetërore, e në një mënyrë e kanë ngulfatur shtetin dhe po e rëndojnë buxhetin”, thotë Millaku.

Përveç AAK-së, ajo thotë se edhe njerëz të PDK-së dhe NISMA-së janë të punësuar. Sipas Millakut, strategjia e tyre është, punëso- shkatërro-privatizo.

“Nuk janë vetëm njerëzit e AAK të punësuar, por edhe të PDK dhe Nismës. Këto parti që nga pas lufta kanë pasur strategji të tilla sidomos të privatizimit. Pra, logjika e tyre është punëso-shkatërro-privatizo dhe në fund përvetëso. Vetëm në Prizren janë shkatërruar dhe përvetësuar nga mafia mbi 50 ndërmarrje me renome ndërkombëtare, me mbi 23.000 punëtor të lënë jashtë”, ka shtuar ajo.

Rexhaj: Edhe AAK- e paska Klanin Pronto në radhët e veta

Image
Sali Rexhaj

E njohësi i çështjeve politike, Sali Rexhaj ka thënë për “Bota sot” se edhe AAK-ja e paska “Klanin Pronto” në radhët e veta, për shkak të këtyre punësimeve të vazhdueshme.

“Po thënë shkurt e qartë, edhe AAK e paska Klanin Pronto në radhët e veta. Do të ishte mirë që të publikohen bisedat mes tyre, do të zbaviteshim me ta dhe do ta kuptonim kush është shefi i shefave në AAK”, potencon Rexhaj.

Miftari: Po nuk je pjesë e ndonjë klanit politiko-mafioz, je i përjashtuar nga ky shtet

Image
Naim Miftari

Kurse ish anëtari i Shërbimit Informativ të Kosovës, Naim Miftari, thotë për “Bota sot” se, punësimet e tilla në institucione publike datojnë që nga pas lufta, ndërsa thotë se PDK-ja e mban rekorde për punësime.

“Keqpërdorimet e pushtetit sot duke punësuar baballakat, grat, burrat, tezet, nipat e dashnoret nëpër firma shoqërore ka vazhduar nga pas lufta gjer sot. Dihet mirë se PDK është lideri kryesor që ka punësuar militant dhe familjarët e të njofshmit e liderëve dhe komandantëve të tyre”, thotë Miftari.

Sipas tij, kjo është një arsye që profesionistët po e braktisin shtetin e Kosovës.

“Tani edhe partia në pushtet sot, AAK, po vazhdon në të njëjtin drejtim. Njëjtë kanë vepruar të gjitha partitë që ishin në pushtet dhe kjo tregon se askush nuk qan hallet pse kuadrat e reja si mjekët, ekspertët, inxhinierët, etj, po e braktisin Kosovën duke kërkuar jetë më të mirë pasi partitë politike dhe pushteti veprojnë dhe mbrojnë vetëm interesin e vet dhe të klaneve të tyre”, thotë tutje ai.

Për më tepër, Miftari mendon se nëse nuk je pjesë e ndonjë grupi, atëherë je i lënë pas dore dhe i mbaruar.

“Prandaj po nuk je pjesë e ndonjë klanit politiko-mafioz, je i përjashtuar nga ky shtet, je i lënur pas dore duke jetuar në mjerim në luftën për ekzistencë ekonomike dhe për drejtësi institucionale të mohuar ndaj qytetarit i cili nuk i takon dikujt. Po ke qytetar i pavarur dhe kërkove drejtësi në këtë shtet të kapur nga mafia politike, je i mbaruar”, përfundon Miftari për “Bota sot”.

Ndryshe, sipas opinionistit Sali Rexhaj, taksa dhe ushtria nuk i mbulojnë dështimet e kësaj qeverie dhe paralajmëron që vendi është duke shkruar në një kolaps.

“Taksa, demarkacioni dhe ushtria janë akte politike, puna praktike e kësaj qeverie është dështim total. Nisë nga keqpërdorimi enorm i buxhetit, rritja e pagave për vete në mënyrë joligjore, mungesa e investimeve kapitale, numri i madh i kabinetit qeverisës, ministra me duar të përlyera, te dënuar... kjo është qeveria më e keqe pas luftës. Delegimi i bisedimeve me Serbi nga Ramushi te Thaçi është antikushtetues dhe e ka dëmtuar Kosovën shumë rendë. Nuk ka asnjë njohje të re, sa di unë, dhe asnjë hap të suksesshëm drejtë integrimeve perëndimore. Dështimi në liberalizim, dështimi në anëtarësim në Interpol...nuk mbulohen me akte politike siç është taksa, e cila ka rrezik, nëse nuk menaxhohet mirë dhe shndërrohet në loje mes partive për para fushatë zgjedhore, që të na kthehet në bumerang. Vet pozita e qeverisë e cila nuk i ka votat as për të mbetë e as për të rënë, e tregon gjendjen e mjerë në të cilën e solli ky koalicion artificial i natës shtetin. Kosova në fakt është për momentin në kolaps”, thekson Rexhaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...