Taksa, apoteoza që duhet t`i ndalë qëndrimet makabre të Thaçit për korrigjimin e kufijve

Politika

Taksa, apoteoza që duhet t`i ndalë qëndrimet makabre të Thaçit për korrigjimin e kufijve

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 15 mars 2019 Në ora: 11:14
Hashim Thaçi

Më njëzet e një nëntor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës mori vendim që të rrisë në 100 për qind taksën doganore për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja. Në fillim ky vendim ishte mirëpritur nga të gjithë, por, tani nuk e gëzon këtë mbështetje. Pasi këtij vendimi të Qeverisë së Kosovës, Serbia i ndaloi negociatat me Kosovën në Bruksel.

Ndërkohë, këto ditë kryeministri i Kosovës, Ramush Hardinaj, ka kërkuar nga  përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, që të mos e lidhë vazhdimin e dialogut me taksën.

Këtë deklaratë, Haradinaj e bëri në rrjetin social Tëitter, duke shkruar se:

“Dialogu kishte dalë nga binarët shumë kohë para se të vendosej taksa. Arsyet e vërteta janë mungesa e transparencës, propozimi për shkëmbim territoresh dhe dështimi i zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese. Dialogu mund dhe duhet të rikthehet pa u ndërlidhur me tarifën”, është shprehur Haradinaj.

Zogaj: Dialogu duhet bërë ndërmjet dy shteteve të barabarta

Image
Skënder Zogaj

Lidhur me këtë, analisti politik, Skënder Zogaj, në një prononcim për “Bota sot” është shprehur se taksa është vendimi më i rëndësishëm i Qeverisë së Kosovës.

“Taksa është vendimi i parë i rëndësishëm i Qeverisë së Republikës së Kosovës ç‘prejse është shpallur pavarësia! Ky vendim përkatës me kompetencën kushtetuese dhe sovranitetin e vendit, prandaj, nga kjo pikëpamje nuk mund të ketë asnjë vërejtje, dhe është për keqardhje që Kryeministrit Haradinaj nuk iu dha përkrahja e plotë institucionale dhe politike!”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Po ashtu, Zogaj mendon se Haradinaj ka të drejtë dhe se taksa është një vërejtje që duhet të kuptohet seriozisht.

“Haradinaj kësaj here ka plotësisht të drejtë, sepse taksa është një masë e përkohshme mbrojtëse nga invazioni i mallrave të një vendi armik, i cili hapur i thekson pretendimet territoriale!  Kush mund të na garantojë se Serbia, e cila ka fut në tregun kosovar miell për njerëz nga gruri i rezervar për derra, të mos fus edhe prodhime të tjera të rrezikshme për shëndetin dhe jetën e qytetarëve të Kosovës! Pra, taksa është një vërejtje që duhet të kuptohet seriozisht dhe, kur të ndodh kjo, arsyetohet edhe mundësia e heqjes së saj!”, ka potencuar ai për “Bota sot”

Për më tepër,  Zogaj ka potencuar se taksa nuk e prish miqësinë e Kosovës me SHBA-të.

“Nuk është e vërtetë se taksa e prish miqësinë e Kosovës me SHBA-të! Jo, nga Amerika kanë ardhur këshilla, për analiza dhe veprime të reja, se kjo taksë duhet të evoluojë dhe të kthen në normalitetin bilateral, që është edhe qëllimi i dialogut! Por, dialogu duhet bërë ndërmjet dy shteteve të barabarta!”, ka theksuar Zogaj për “Bota sot”.

Shahu: Të mos dialogohet nën presionin e Mogherinit

Image
Rexhep Shahu

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, shprehet për “Bota sot” se historia e dialogut , me apo po taksë, duket se ka degjeneruar.

“Gjithë historia e dialogut shqiptaro-serb, me taksë apo pa taksë, duket se ka degjeneruar. Edhe për shkak të pazotësisë dhe mungesës seriozitetit e autoritetit të zyrtareve të BE, të cilët nuk kanë më peshë morale në opinionin shqiptar, por edhe për mungesë të seriozitetit të shqiptarëve, të cilët e konsiderojnë vikend në Bruksel kohën e bisedimeve”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Po ashtu, Shahu ka shtuar se nëse do ta marrin çështjen në dorë amerikanët ndryshon puna, amerikanët bëjnë, nuk thonë.

“Në gjendjen kaotike që është këta zyrtarë të BE dhe këta dialogues të Kosovës vetëm nëse çesin pite në Bruksel se dialog efektiv nuk zhvillojnë. Nëse do ta marrin çështjen në dorë amerikanët ndryshon puna, amerikanët bëjnë, nuk thonë”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Gjithashtu,  ka sugjeruar që të mos dialogohet me kushtet e presionet e Përfaqësueses së lartë të Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini.

“Me kushtet e presionet e Mogerinit shqiptarët me mire të mos dialogojnë, pasi janë disa vija të kuqe që nuk i prek dot askush si pavarësia e Kosovës, njohja, territori”, ka përfunduar Shahu për “Bota sot”.

Maxharraj: Thaçi hapi ëndrrën e Serbisë për ndarjen e Kosovës

Image
Binak Maxharraj

Analisti politik, Binak Maxharraj, në një prononcim për “Bota sot”,  e ka quajtur taksën simbol të mbrojtjes se sovranitetit të Kosovës.

“Pas Çlirimit të Kosovës më ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve erdhi deri të dialogu midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve midis tyre. Ky dialog i cili po vazhdon që shtatë vite në Bruksel deri me tani nuk solli asgjë të re, asnjë përmirësim por vetëm dështim pas dështimin. Kjo ndodhi pasiv që në dialog u gjenden njerëz të pamerituar si Hashim Thaçi, të padenjë për të dialoguar për temat e hapura me Serbin. Ky njeri hyri në dialog me Serbinë pa kushte, bile edhe pa kërkim falje nga Serbia për gjenocidin e bërë në Kosovë, thua se Serbia nuk kishte nuk ishte fajtore për asgjë”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Po ashtu, ai ka deklaruar se dialogu i Thaçit ka sjellë vetëm marrëveshje që e dëmtojnë vendin dhe se ai ka marrë rolin e lobuesit për ndarjen e vendit nëpër botë.

“Hashim Thaçi dialogoi me Daçiqin e Vuçiqin (kriminel të njohur serb gjatë luftës) dhe Kosovës i solli vetëm Marrëveshje të këqija që e dëmtojnë atë, si demarkacioni me Malin e Zi, Asociacionin për Serbet ne veri me kompetenca ekzekutive, dhe se fundi ky njeri e hapë edhe çështjen e korrigjimit të kufijve midis dy vendeve, duke e hapur kështu plagën  dhe ëndrrën e moçme të Serbisë për ndarjen e Kosovës. Bile shkoi edhe më larg sa që e mori rolin e lobimit nëpër botë për ndarjen e Kosovës. Kundër kësaj ideje dolën shumë shtete më të fuqishme të botes, por edhe brenda Kosovës këtë ide nuk e përkrah askush, ani pse Hashim Thaçi gënjen duke thanë se e ka përkrahjen e popullit. Rrenat e këtillë ia qitën për lendinë edhe zyrtaret amerikan qe para do kohe vizituan Kosovën”,  ka potencuar ai për “Bota sot”.

“Por sjellja e Serbisë ndaj Kosovës për këto 20 vite të çlirimit ishte arrogante, e pamoralshme e cila e sulmoi dhe bllokoj Kosovën kudo qe arrinte, sidomos ne pranimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtar. Por, poshtërsinë e saj Serbia e arriti me manipulimin me Serbet e Kosovës të cilët u bënë levë për kusuritje me Kosovën. Kjo shihet sepse Serbet e Kosovës nuk janë te sinqertë, nuk e pranojnë Kosovën si shet, veprojnë vetëm nën ombrellën e Beogradit

Mu për këtë shakë e shkaqe tjera Qeveria e Kosovës mori një vendim fortë të rëndësishëm kur i vuri taksën 100% Serbisë dhe u tregua se dinë ta mbroj shtetin e vet. Serbia u trillua, alarmoi nga te gjitha anët që të hiqet taksa. Bota iu vërsul Kosovës rreth taksës. Por, taksa nuk hiqet, dhe nuk duhet të hiqet derisa Serbia ti ndal sulmet e përditshme ndaj Kosovës dhe ta njeh atë si shtet. Këtë qëndrim deri me tani është duke e mbrojtur më plotë fanatizëm Kryeministri Ramush Harajdinaj, kurse Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli ani pse rrahin gjoks kur u vu taksa, u zmbrapsen u tutën. Dikuar këta donin të ia venin thikën pas shpine Amerikës për ta zhbërë Gjykatën Speciale, tashti e kanë zënë vendin e parë në top listën si pro amerikane”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Taksa duhet të qëndrojë për ta ndalur Thaçin

Ai shprehet se dialogu ka dalë nga binarët dhe se ka akuzuar se dialogu po udhëhiqet keq nga Mogherini.

“Ka kohë qe dialogu ka dalë nga binarët, nuk është më funksional, sepse edhe ashtu është nisë keq, po udhëhiqet keq nga Mogherini pro ruso-serbe e cila disa herë ka thanë së nuk do të këtë vija të kuqe, dhe po përfundon keq. Kjo është normale që të gjitha rrethanat rreth dialogut dëshmojnë së ky dialog ka dalë jashtë binareve edhe para taksës, sepse me dialogun e deritashëm Kosova nuk pati asgjë të mirë pos humbje, kurse Serbia ka hy në dialog jo e sinqertë, sa për sy e faqe, ka hy ne dialog me dredhinë sa për të hy në BE. Andaj dialogu jo vetëm që ka dalë nga binaret, por është i dështuar krejtësisht, sa qe në këtë mënyrë as që ka kuptim të vazhdohet. Dhe nëse vazhdohet duhet të niset me njerëz tjerë që e donë dhe nuk i sheshin interesat e Kosovës por i mbrojnë ato”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Për më tepër, Maxharraj ka shtuar se taksa nuk duhet të hiqet për shkak të presioneve, ajo duhet të qëndroi sepse është i vetmi atribut që ka marr Kosova deri më tani në mbrojtjen e shtetësisë se saj

“Taksa për të cilën është çu në këmbë (për shkak të Serbisë) nuk duhet të hiqet për shkak të presioneve, ajo duhet të qëndroi sepse është i vetmi atribut që ka marr Kosova deri më tani në mbrojtjen e shtetësisë se saj. Janë dallavere deklarimet pro amerikanë të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit së taksa do të na i prishë marrëdhëniet me SHBA, deklarimet e tyre janë të pa baza, nuk qëndrojnë, sepse Amerika nuk bënë lojëra të tipit të Thaçit dhe Veselit, Amerika është shtet serioz, superfuqi botërore, ajo nuk e çliroi Kosovën për ta shkatërrua përsëri, nuk e çliroi Kosovën për të ia kthyer shpinën Kosovës për një taks ndaj një shteti vrastar dhe kriminel siç është Serbia. Taksa e cila edhe u bë apoteozë e këtyre ditëve duhet të qëndroj edhe për ti ndalë qëndrimet makabre të Presidentit Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve, për cenimin e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës” ka përfunduar Maxharraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat