Tahiri për raportin e DASH-it: E turpshme kjo që po ndodhë 20 vite pas çlirimit, korrupsioni është në Qeveri

Politika

Tahiri për raportin e DASH-it: E turpshme kjo që po ndodhë 20 vite pas çlirimit, korrupsioni është në Qeveri

Nga: G.B Më: 15 mars 2019 Në ora: 15:24
Ramush Tahiri

Raporti i Departamentit të Shtetit i publikuar së fundmi ka nxjerrë në disa pjesë probleme për Kosovën.

“Kthimi i detyrueshëm i refugjatëve ose azilkërkuesve, korrupsioni endemik në qeveri, dhuna dhe kërcënimet e dhunshme kundër gazetarëve dhe sulmet kundër anëtarëve të pakicave etnike ose komuniteteve të tjera të margjinalizuara”, janë disa nga problemet për Kosovën të theksuara në këtë raport.

Lidhur me këtë raport, politologu Ramush Tahiri ka thënë për gazetën “Bota sot” se Kosova duhet të bëjë planin operativ për të eliminuar të gjitha të gjeturat e raportit për të drejtat e njeriut, ku të gjitha çështjet e theksuara janë të rëndësishme dhe e paraqesin të ngecur demokracinë.

“Kosova duhet ta bëjë planin operativ që t’i eliminojë të gjitha të gjeturat e faktet e konstatimet të raportit për të drejtat e njeriut, pjesën për shtetin e Kosovës të bërë nga Departamenti i Shtetit të SHBA-së. Të gjitha çështjet e theksuara janë të rëndësishme dhe e paraqesin të ngecur demokracinë dhe proceset e sundimit të ligjit dhe të rendit në Republikën e Kosovës sidomos sulmet dhe incidentet kundër pjesëtarëve të komuniteteve, në këtë kthimi dhe pengesat në riatdhesimin në vendin e origjinës të serbëve të Kosovës, sulmet në pronat, pasurinë por edhe në objektet dhe pronat kishtare”, është shprehur Tahiri.

Ai e quan të turpshme këtë që po ndodhë 20 vite pas çlirimit të vendit dhe ata që po i bëjnë, po mbesin pa ndëshkuar, e që janë pjesë e institucioneve.

“E turpshme që kjo po ndodhë edhe njëzet vjet pas çlirimit të vendit dhe ata që i bëjnë po mbesin të pandëshkuar por edhe që nuk po kritikohet një opinion për gjykimin e dënimin e rasteve e dukurive të tilla. Në raportin e State Departamentit është brengosëse që potencohet se veprimet po bëhen edhe nga pjesëtarët e institucioneve”, ka vlerësuar politologu Tahiri.

Ai përmend faktin se në raport thuhet se korrupsioni është në Qeveri dhe institucione dhe nuk po ndëshkohet dhe kjo krijon paperspektivë te populli i Kosovës, pasi të gjitha të përmendurat bëhen nga pushtetarët dhe është vështirë të mënjanohen.

“Në raport konkretisht thuhet që korrupsioni është në Qeveri dhe në institucione dhe si i tillë po mbetet i pandëshkuar... Krejt kjo krijon një zymti dhe një paperspektivë te populli i Kosovës pasi që të metat dhe paligjësitë dhe paudhësitë e shënuara dhe të përmendurat bëhen nga bartësit e pushtetit, prandaj është e vështirë që të mënjanohen, sepse kjo elitë paraqitet por edhe e ka përkrahjen e faktorit ndërkombëtar për hir të ruajtjes së qetësisë dhe të stabilitetit. Kjo atëherë është kapje klasike e të gjithë segmenteve të shtetit nga oligarkia”, ka deklaruar Ramush Tahiri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat