Nepotizmi në Kosovë, Krasniqi: Kjo qeverisje e ka tepruar

Politika

Nepotizmi në Kosovë, Krasniqi: Kjo qeverisje e ka tepruar

Nga: G.B Më: 18 mars 2019 Në ora: 22:16
Qeveria e Kosovës

Tema e punësimeve të njerëzve të afërm, familjarëve të politikanëve së fundmi është shumë aktuale, pasi së fundmi familjarë të shumtë të zyrtarëve të AAK-së, janë punësuar në Telekomin e Kosovës.

E për punësime të tilla, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se punësimet bëhen për shkak që njerëzit të mos dalin jashtë shtetit.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Faik Krasniqi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se nepotizmi tek ne nuk është diçka e re, por që kjo qeverisje e ka tepruar.

Image
Faik Krasniqi

“Punësimet në kompani publike dhe institucione shtetërore, janë bërë gjithmonë me lidhje të forta. E, sidomos me lidhje partiake dhe familjare. Nepotizmi tek ne nuk është diçka e re. Por, kjo Qeverisje e ka tepruar dhe po na duket se nepotizmi tek ne kurrë s'ka ekzistuar. Pa lidhje të forta as pastrues s'mund të punësohesh, as sot e as dje. Kjo është e vërteta”, është shprehur ai.

Sa i përket deklaratës së Veselit, Krasniqi thotë se kjo është fyerje për qytetarët e Kosovës, pasi të punësuarit janë njerëz të afërm me politikanët, por që këta të fundit do të pendohen, pasi të gjithë do të iki jashtë vendit.

“Deklarata e Kadri Veselit që po punësohen në mënyrë që njerëzit mos të largohen nga Kosova, është fyerje për qytetaret e Kosovës. Pse fyerje? Sepse të punësuarit janë të afërm të njerëzve në politikë, dhe atë me pozita të larta dhe paga të majme. Ai përveç që ka fyer edhe është tallur. Sidoqoftë kjo klasë politike, e sidomos këta që janë sot në pushtet, do të pendohen se çfarë kanë bërë me shtetin dhe qytetarët e saj. Pse do të pendohen? Sepse nga ky vend do ikin të gjithë, dhe do të mbesin vetëm njerëzit në moshë shumë të shtyrë. Të shohim pastaj se si do ta mbajnë shtetin me pleq e me plaka”, ka deklaruar Faik Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat