A mund të përfshihet Gjermania në dialogun Kosovë-Serbi? Tregon Ramush Tahiri, flet edhe për Kutinë e Pandorës - Bota Sot
A mund të përfshihet Gjermania në dialogun Kosovë-Serbi? Tregon Ramush Tahiri, flet edhe për Kutinë e Pandorës

Politika

A mund të përfshihet Gjermania në dialogun Kosovë-Serbi? Tregon Ramush Tahiri, flet edhe për Kutinë e Pandorës

Nga: G.B Më: 20 mars 2019 Në ora: 21:15
Ramush Tahiri

Angela Merkel, kancelare e Gjermanisë ka porositur se çështja e Kosovës duhet të zgjidhet në mënyrën që i përgjigjet Berlinit, që Serbia ta njeh Kosovën dhe të mos përfshihet shkëmbimi i territoreve.

Se sa mund të përfshihet Gjermani në dialogun Kosovë-Serbi dhe sa ekziston mundësia që këtë vit të arrihet marrëveshja me njohjen e Kosovës si shtet nga ana e Serbisë, politologu Ramush Tahiri, ka thënë për gazetën “Bota sot” se roli i kancelares Merkel është përgjegjës dhe i përkushtuar për stabilitetin dhe zhvillimin e marrëdhënieve mes vendeve dhe se Gjermania ka qëndrim të qartë për dialogun.

“Gjermania është shteti kyç i Bashkimit Evropian dhe roli i saj shpesh herë është ndër vendimtarët për proceset ndërkombëtare si multilaterale poashtu edhe në marrëdhëniet bilaterale ndërmjet shteteve. Edhe roli i kancelares Angela Merkel është treguar i zotnueshëm, përgjegjës por edhe i përkushtuar për të ardhmen, në ruajtjen e paqes e të stabilitetit dhe në zhvillimin e marrëdhënieve të mirëfillta ndërmjet vendeve. Gjermania ka qëndrim të qartë që dialogu Kosovë e Serbi duhet të përfundojë me njohje reciproke dhe me normalizim të plotë të marrëdhënieve”, është shprehur ai.

Sipas Tahirit, qëndrimi i Merkel është parimor dhe i drejtë, pasi Gjermania e parasheh frikën për hapjen e Kutisë së Pandorës.

“Qëndrimi i kancelares Merkel është që kufijtë ekzistues të mos ndryshojnë dhe kjo çështje të mos jetë pjesë e bisedave. Ky qëndrim parimor është edhe i drejtë se pranon realitetet dhe është kundër rivendikimeve në rajon që Gjermania e shpreh frikën se mund të hapin Kutinë e Pandorës dhe të gjitha të këqijat të dalin përjashta në një formë të pakontrolluar e me pasoja tejet negative”, ka vlerësuar politologu.

Tahiri shprehet më tutje se u mbetet Kosovës dhe Serbisë të vendosin si do ta bëjnë marrëveshjen, derisa shton se e rëndësishme është që palët të merren vesh dhe kjo të bëhet pa asnjë imponim.

“Megjithatë u mbetet shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë se si do të bëjnë marrëveshjen, duke respektuar kufirin ekzistues apo duke bërë kufirin e ri duke bërë korrigjim të kufirit si thotë Hashim Thaçi apo duke bërë një përkufizim ndërmjet Serbëve dhe Shqiptarëve si dy popuj e kombe fqinje. E rëndësishme është që palët të merren vesh, që kjo të bëhet në mënyrë paqësore e pa asnjë imponim të çfarëdo natyre, dhe që kjo marrëveshje të jetë e pranueshme dhe në harmoni me ligjin ndërkombëtar pra konventat dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian. Kufijtë gjithsesi do të jenë të hapur dhe të kalueshëm, pra ura lidhëse dhe me menaxhim të përbashkët e të integruar”, ka deklaruar Ramush Tahiri për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...