“Bomba e kurdisur” e PAN-it për ta kërcënuar stabilitetin politik - Bota Sot
“Bomba e kurdisur” e PAN-it për ta kërcënuar stabilitetin politik

Politika

“Bomba e kurdisur” e PAN-it për ta kërcënuar stabilitetin politik

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 21 mars 2019 Në ora: 08:11

Skandali me listat e veteranëve ka bërë që Prokurori Special, Enver Krasniqi, të paraqes kërkesën e tij për pezullimin e pagesave për 19 mijë veteranët deri në përfundim të procesit gjyqësor.

Arsyetimi i Krasniqit ka qenë se si rezultati i veprës penale nga të pandehurit është dëmtuar buxheti i Kosovës dhe vazhdon të dëmtohet.

Prokurori Special ka paraqitur kërkesën e tij që të pezullohet pagesa për 19 mijë veteranët deri në përfundim të procesit gjyqësor. Arsyetimi i tij ka qenë se si rezultati i veprës penale nga të pandehurit është dëmtuar buxheti i Kosovës dhe vazhdon të dëmtohet.

“Prandaj duke konsideruar buxhetin e Kosovës si interes publik prokurori i shtetit ka autorizim të plotë ligjor për të kërkuar një gjë të tillë”, ka thënë Krasniqi gjatë seancës. Ndër të tjera ai ka thënë se përfitues nga buxheti janë edhe personat e tretë të përfshirë në rast.

“Përfitues nga buxheti i Kosovës janë personat e tretë dhe një situatë e tillë kur me veprimet e të pandehurve si rezultat i veprave penale dhe kur përfitojnë personat e tretë përcaktohet rregulli për të dëmtuarin, që në rastin konkret kemi dëmtimin e buxhetit të Kosovës. Andaj duke u bazuar në këtë fakt se personat e tretë të paraqitur në Aneksin 1 të kësaj aktakuze, si pasojë e veprës penale të të pandehurve nga 2015-ta deri në gusht të 2018-s kanë përfituar më shumë mbi 88 milionë euro”, ka shtuar ndër të tjera Krasniqi.

Qeriqi: Veteranëve mashtrues jo vetëm që duhet t'ua ndalin pensionet, por duhet edhe t’i dënojnë

Image
Xhevdet Qeriqi

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi është deklaruar se është pro ndaljes së pensioneve për veteranët mashtrues, por jo edhe për ndaljen e pagesave për veteranët e vërtet, sepse, sipas tij, për shumicën ky është burimi i vetëm financiar.

Ai ka thënë se hetimi i listave të veteranëve është një hap i duhur.

“Kemi qenë më të zëshmit sa i përket fyerjeve të këtyre listave, dhe ne vazhdojmë t’i kundërshtojmë këto lista, për arsye se janë fryrë tej mase. Mendoj se prokuroria ka bërë një hap të mirë në këtë drejtim, ku ka ndërmarr hapa për hetimin e këtyre listave. Tash së fundi ka filluar edhe një proces gjyqësor për këtë rast, po shpresojmë që institucionet e drejtësisë do t’i shkojnë deri në fund këtij procesi, dhe keqpërdoruesve të këtij procesi tu japin dënimin e merituar”, ka thënë Qeriqi.

Me tej, ai ka shtuar se kanë pasur disa vërejtje rreth aktakuzës të fundit për veteranët mashtrues.

“Ne kemi pasur disa vërejtje apo pakënaqësi rreth aktakuzës të fundit për veteranët mashtrues, që e ka ngritur prokuroria e shtetit, për arsye se në listat e veteranëve mashtrues, janë përfshirë edhe një pjesë e veteranëve të vërtet, se a është bërë me qëllim apo pa të, ne nuk jemi në dijeni, mirëpo kemi kërkuar që kësaj aktakuze t’i bëhet një shqyrtim nga ana e prokurorisë të shtetit dhe në bazë të dëshmive që do t’i ofrojnë veteranët e vërtet, kjo e fundit të ndërmarr hapa për t’i larguar nga lista mashtrues, veteranët luftëtar të UÇK-së”, ka thënë ai.

Qeriqi ka bërë me dije se një pjesë e madhe e bashkëluftëtarëve të cilët padrejtësisht emrat e tyre janë përfshirë në listat e veteranëve mashtrues, menjëherë pas publikimit të aktakuzës, kanë ushtruar ankesë, por kujton se ka të atillë të cilët kanë qenë të painformuar që të ushtrojnë ankesë.

“Një pjesë bukur e madhe e bashkëluftëtarëve të cilët padrejtësisht emrat e tyre janë përfshirë në listat e veteranëve mashtrues, menjëherë pas publikimit të kësaj aktakuze, kanë ushtruar ankesë, pranë prokurorisë, ku kanë ofruar edhe dëshmi shtesë nga arkivat e pasluftës për ta argumentuar se padrejtësisht emrat e tyre gjinden në këto lista. Por, ka edhe veteranë të tjerë të cilët kanë qenë të painformuar që të ushtrojnë ankesë, kështu që kishte me qenë mirë që Gjykata tu jep një mundësi këtyre të fundit që të ofrojnë dëshmitë e mjaftueshme, në mënyrë që mos t’u ndalen pensionet, për arsye se një pjesë bukur e madhe e tyre të vetmin burim për ta mbajtur familjen e kanë pensionin e veteranit luftëtar”, shtoi ai.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Luftëtarëve të UÇK-së potencon se për veteranët mashtrues institucionet e drejtësisë jo vetëm që duhet t'ua ndalin pensionet, por duhet edhe t’i dënojnë.

“Sa i përket atyre të cilët po cilësohen si veteran mashtrues, mendoj që institucionet e drejtësisë jo vetëm që duhet t'ua ndalin pensionet, por duhet edhe t’i dënojnë dhe të kërkojnë që mjetet të cilat i kanë marrë deri më tash t’i detyrojnë që t’i kthehen buxhetit të shtetit. Këta të fundit pa meritë dhe kundërligjshëm e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit, dhe në anën tjetër e kanë dëmtuar imazhin e veteranit të Luftëtar”, ka përfunduar Xhevdet Qeriqi për gazetën “Bota sot”.

Gashi: Gjykata nuk mund t’i ndërpres këto pensione

Image
Tomë Gashi

Ndërsa, avokati i njohur, Tomë Gashi, është shprehur se pas ngritjes së aktakuzës së parë, kjo çështje është bërë skandali më i madh në Kosovën e pasluftës.

“Pas ngritjes së aktakuzës së parë kundër personave përgjegjëse të identifikuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, respektivisht nga ish-prokurori, Elez Blakaj, kjo çështje është bërë skandali më i madh në Kosovën e pasluftës, ngase sipas Prokurorisë janë të përfshirë rreth 20 mijë veteranë të UÇK-së, të cilët në kundërshtim me dispozitat ligjore me vite të tëra marrin pensione si invalid të UÇK-së”, ka thënë Gashi.

Tutje, Gashi ka thënë se edhe është krijuar një kampanjë e vrazhdë edhe nga udhëheqësit shtetëror kundër ish-prokurorit Elez Blakaj.

“Pas ngritjes së kësaj aktakuze dhe pasi që është bërë publike dorëheqja pas ikjes nga Kosova të Prokurorit Elez Blakaj PSRK, u mundua që të jap sqarime se kinse aktakuza nuk është përpiluar në formën e duhur ligjore dhe pastaj u krijua një kampanjë e vrazhdë edhe nga udhëheqësit shtetëror kundër ish-prokurorit të parë të kësaj çështje”, ka thënë mes tjerash Gashi, për gazetën “Bota sot”

Sipas avokatit, Prokuroria Speciale nën presionin e krijuar e riformuloi aktakuzën fillestare.

“PSRK pastaj nën presionin e krijuar pjesërisht e riformuloi aktakuzën fillestare, e që në esencë vetëm iu shtua lista e veteranëve të cilët dyshohen se kanë përfituar financiarisht duke marrë pensione në mënyrë të kundërligjshme për shumë vite. Pas dorëzimit të aktakuzës së “re” në Gjykatën Themelore në Prishtinë, PSRK paraqiti edhe kërkesën për ndërprerjen e pensioneve për rreth 20 mijë ish-pjesëtarë të UÇK-së, gjë që Gjykata ende nuk e ka vendosur”, ka deklaruar ai.

Gashi shton se në bazë të parimeve të drejtësisë, Gjykata nuk mund të vendos për të gjithë me një vendim, pa e analizuar situatën juridike të secilit ish-pjesëtar të UÇK-së të dyshuar se ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme.

“Problemi juridik është edhe më i madh se kaq, ngase asnjeri prej këtyre përfitueseve nuk është i akuzuar, dhe nëse nuk është i akuzuar Gjykata nuk mund t’i ndërpres këto pensione së paku deri në vendimin përfundimtar, i cili nuk do të sjelle kurrfarë pasoja juridike për asnjërin prej të akuzuarve duke e njohur sistemin e kapur të drejtësisë”, shtoi ai.

Ai thekson se gjeja më e përafërt që do të ndodhë, do të jetë nxjerrja e një ligj më të cilin do të përcaktohen kategoritë për ish-pjesëtarët e UÇK-së.

“Thënë më qartë asnjëri prej të akuzuarve nuk do të dënohet nga Gjykata dhe gjeja më e përafërt që do të ndodhë, do të nxjerrët një ligj tjetër për çështjen e veteranëve të luftës, më të cilin do të përcaktohen kategoritë të ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe mund të ketë një filtrim të vogël të tyre, por asgjë më shumë”, ka përfunduar avokati i njohur.

Haziri: Prokuroria do të provokojë trazira, përshtati u shkojnë vetëm PAN-it

Image
Nexhat Haziri

Në anën tjetër, analisti politik, Nexhat Haziri, është shprehur se është për keqardhje degradimi i i gjithë këtij procesi.

Ai për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ky hap nga prokuroria për t’i pezulluar pagesat për veteranët e vërtetë do të provokojë trazira.

“Çështja e veteranëve të luftës është komplikuar me qëllim nga PAN-istët, për të krijuar edhe një “armë” në duart e tyre për ta destabilizuar Kosovën sa herë që këtyre iu shpërthejnë skandalet e keqqeverisjes. Është për keqardhje degradimi i këtij procesi dhe ky hap nga prokuroria për t’i pezulluar pagesat për veteranët e vërtetë natyrisht që do të provokojë trazira të cilat iu shkojnë përshtati vetëm PAN-istëve në pushtet”.

Ai ka thënë se, e gjithë kjo po vije si pasojë e frikës dhe shantazhit që i bëhet këtij institucioni.

“Dhe ky hap nga prokuroria vije si pasojë e frikës dhe shantazhit që i bëhet këtij institucioni nga parapolitika që është instrument i PAN-istëve, për të penguar verifikimin e statusit të afër 30.0000 mijë veteranëve të rrejshëm e që nuk janë asgjë tjetër përpos trupë votuese e PDK-së, AAK-se dhe NISMA-s”, ka thënë Haziri.

Haziri bën me dije se duhet vullnet, guxim dhe profesionalizëm për t’i dhënë epilog të drejtë çështjes së verifikimit të statusit për veteranët e luftës së UÇK -së.

“Derisa prokuroria e shtetit në krye me kryeprokurorin Aleksandër Lumezi përfaqësojnë një nga hallkat e krimit të organizuar në Kosovë, çështje e veteranëve do të mbetët gjithnjë si një bombë e kurdisur që do të përdorët nga panistët për ta kërcënuar stabilitetin politik dhe të sigurisë në vend. Duhet vullnet, guxim dhe profesionalizëm për t’i dhënë epilog të drejtë çështjes së verifikimit të statusit për veteranët e luftës së UÇK-së, gjë që tash për tash prokuroria e shtetit nuk e ka, e cila është e kapur nga parapolitika e PAN-it”, është shprehur ai.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...