Dëshpërues, mosbesimi i KMDLNJ-së për numrin e viktimave të dhunës seksuale - Bota Sot
Dëshpërues, mosbesimi i KMDLNJ-së për numrin e viktimave të dhunës seksuale

Politika

Dëshpërues, mosbesimi i KMDLNJ-së për numrin e viktimave të dhunës seksuale

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 24 mars 2019 Në ora: 13:11
Foto ilustrim

Lufta në Kosovë ka lënë pas vetes dëme të pashlyeshme, shumë të vdekur, të zhdukur, shkatërrim e djegie të shtëpive dhe 20 mijë gra të dhunuara.

Por, me këtë numër të viktimave seksuale nuk po pajtohet Këshilli për Mbrojtjen të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNj), që së fundmi ka deklaruar se është manipuluar me numra, sa për shkaqe politike dhe elektorale aq edhe për qëllime të përfitimeve materiale.

“Është manipuluar me numrin e të burgosurve, me numrin e personave që konsiderohen të zhdukur, me invalidë të luftës, me veteranë të luftës, me të vrarë e sidomos është manipuluar me numrin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës. Pas përfundimit të luftës ka qenë e vështirë të përpilohet një listë e saktë me të burgosur apo që janë marrë peng (si robër lufte) nga Serbia e që janë mbajtur në paraburgim”, thekson KMDLNj.

Sipas këtij Këshilli, pa dëshmi apo listë të mbështetur në fakte, është spekuluar me listën prej 20 mijë viktimave të dhunës seksuale.

“Pa asnjë dëshmi apo listë të mbështetur në fakte është spekuluar me listën prej 20,000 viktimave të dhunës seksuale e që është keq – përdorur dhe po keqpërdoret edhe nga politika ashtu edhe nga sektori joqeveritar”, ka deklaruar KMDLNj.

Sipas KMLDNj, numri (968), i atyre që kanë aplikuar për njohje të statusit është në shpërputhje të madhe me numrin hipotetik prej 20,000 viktimave.

“Kohëve të fundit Komisioni Qeveritar për Verifikimin dhe Njohjen e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale i është nënshtruar një kritike, sipas KMDLNj-së të paarsyeshme dhe të pambështetur në fakte, që nga komisionet përkatëse parlamentare e deri te OJQ-të që edhe vet janë pjesë e Komisionit”, thuhet në deklaratën e Këshillit për Mbrojtjen të Drejtat dhe Liritë e Njeriut.

RRGK: Nuk mund të ketë asnjë listë, duke pasur parasysh natyrën specifike të këtij krimi të urryer

Lidhur me këtë deklaratë, i shqetësuar është shprehur Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), derisa ky rrjet ka thënë se KMDLNJ kundërshton vetveten; thuhet se nuk ka listë dhe pastaj sugjeron menjëherë se ekziston një listë.

“Nuk ka asnjë listë dhe nuk mund të ketë asnjë listë, duke pasur parasysh natyrën specifike të këtij krimi të urryer. Ndërkombëtarisht, provat kanë dëshmuar se për shumë arsye, kurrë nuk do të lajmërohen të gjitha të mbijetuarat. Prandaj, ashtu si me prevalencën e ndonjë krimi të tillë, është e pamundur të arrihet ndonjëherë në një numër të caktuar. Lidhur me faktin se krime të tilla të rënda raportohen rrallë, nuk është aspak befasuese që vetëm 968 persona kanë aplikuar për njohjen e statusit. Përkundrazi, kjo tregon se u lajmëruan shumë gra të guximshme”, kanë deklaruar nga RrGK lidhur me këtë çështje.

RrGK thotë se është dëshpëruese që një deklaratë e tillë të vie mga KMDLNj, që njihet për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, duke shtuar se e rëndësishme është që të mbijetuarave tu njihet statusi dhe të jenë plotësisht të mbështetura nga institucionet dhe shoqëria kosovare.

“Ne jemi thellësisht të dëshpëruara që deklarata të tilla të dëmshme mund të vinin nga KMDLNJ, e cila historikisht ka qenë mbrojtëse e të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë. RrGK dhe anëtarët e saj e dinë nga përvoja se disa të mbijetuara nuk duan të lajmërohen për arsye personale. Shoqëria duhet të respektojë zgjedhjen e tyre. Ne nuk kemi të drejtë të presim apo të kërkojmë që ato të lajmërohen në qoftë se ato zgjedhin të mos e bëjnë këtë. Ajo që është e rëndësishme është që të mbijetuarave tu njihet statusi dhe të jenë plotësisht të mbështetura nga institucionet dhe shoqëria kosovare”, janë shprehur nga RrGK.

Kajtazi: Më habit mosbesimi i KMDLNJ-së

Image
Lirije Kajtazi

Ndërsa, Lirije Kajtazi, nënkryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, ka thënë për gazetën “Bota sot” se e ka shqetësuar mosbesimi i KMDLNj për numrin e viktimave seksuale gjatë luftës, pasi edhe pse kanë qenë, kurrë s’do të lajmërohen 20 mijë viktima.

“Mua më ka shqetësuar numri prej 20.000 vetave, por kur dihen historikisht ploja, terrori, dhuna e gjenocidi që e ka ushtruar Serbia ndaj shqiptarëve, por edhe ndaj të tjerëve, janë të freskëta dhunimet masive në Bosnjë. Krejt këto më bëjnë të besoj se ky është zanati i Serbisë, shtuar edhe helmimet e nxënësve në shkolla etj, etj, por ajo që më habit është mosbesimi i KMDLNJ-së”, është shprehur ajo.

Sipas deputetes Kajtazi, një numër i viktimave kanë vdekur, të tjera janë ekzekutuar menjëherë, disa janë deportuar dhe nuk kthehen në shteti që s’ka bërë asgjë për to, e një numër kanë zgjedhur të mos flasin por që shtetit duhet t’i mbrojë këtë kategori.

“Kurrë s'do të lajmërohen 20.000. Pas 20 vitesh një numër i tyre kanë vdekur, një numër është ekzekutuar menjëherë, një numër i konsiderueshëm janë deportuar dhe kurrë s’do të kthehen të flasin në shtetin që nuk ka bërë asgjë për këtë kategori vite e vite. E një numër përjetësisht ka hequr dorë të flasë (për qetësinë e vetes dhe të familjes). POR, ai që kurrë s'duhet të heshtë, është SHTETI që duhet t’i mbrojë këto kategori dhe qytetarët e saj nga çdo e keqe”, ka deklaruar deputetja e LDK-së, Lirije Kajtazi për “Bota sot”.

Millaku: Grupi punues duhet të kenë kujdes dhe duhet të jap llogari për manipulimet e mundshme

Image
Drita Millaku

Në anën tjetër, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, ka thënë për gazetën “Bota sot” se nëse ka pasur manipulime edhe me këtë kategori dhe ndërhyrje të politikës, institucionet tona duhet të trajtohen psikologjikisht.

“Nëse me të vërtetë është manipuluar edhe me këtë kategori dhe ka ndërhyrje politike atëherë institucionet tona duhet të trajtohen psikologjikisht. Duke e ditur rrjedhën e deritanishme për kategoritë tjera që ka pasur manipulime mund të jetë shumë e vërtetë se ka pasur edhe ndërhyrje politike. Në këtë shtet gjithçka është e mundur”, ka vlerësuar Millaku.

Sipas saj, çdo rast i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës është tragjedi në vete dhe nuk duhet lejuar që kjo tragjedi të mos thellohet, andaj ajo sugjeron që grupi punues duhet të japë llogari për manipulimet e mundshme.

“Secili rast i viktimave të dhunuara gjatë luftës është tragjedi në vete, asnjë duhet të kenë kujdes që kjo tragjedi të mos thellohet. Grupi punues duhet të kenë kujdes dhe duhet të jap llogari për manipulimet e mundshme”, ka deklaruar deputetja Drita Millaku për “Bota sot”.

Kuçi: Nuk i ndihmohet viktimave duke manipuluar me numrat

Image
Natyra Kuçi

Kurse, Natyra Kuçi, zëdhënëse e Partisë Socialdemokrate, ka thënë për gazetën “Bota sot” se organet shtetërore duhet të përkushtohen që të sjellin drejtësi ndaj viktimave dhe jo të manipulohet me numrin e tyre.

“Çështja e identifikimit të numrit të viktimave të dhunës seksuale duhet të jetë prioritet i organeve shtetërore që trajtojnë çështjen e viktimave të luftës. Nuk i ndihmohet viktimave duke manipuluar me numrat, por duke u përkushtuar për të sjellë drejtësi ndaj viktimave”, ka thënë ajo.

Sipas Kuçit, për 20 vite, viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës janë braktisur në faktin e tyre, janë margjinalizuar dhe privuar nga qasja në drejtësi, derisa autorët nuk janë dënuar.

“Viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës janë braktisur në fatin e tyre përgjatë pothuajse 20 vite, si nga bashkësia ndërkombëtare, ashtu edhe nga qeveritë e njëpasnjëshme të Kosovës. Autorët e këtyre krimeve nuk janë dënuar dhe viktimat janë margjinalizuar, harruar dhe privuar nga qasja në drejtësi”, ka deklaruar Natyra Kuçi për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...