24 marsi i vitit 99 ishte dita e kthesës së madhe - Bota Sot
24 marsi i vitit 99 ishte dita e kthesës së madhe

Politika

24 marsi i vitit 99 ishte dita e kthesës së madhe

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 25 mars 2019 Në ora: 08:40
Sulmet e NATO-s ndaj caqeve serbe në Kosovë

Dy dekada më parë NATO-ja filloi fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe duke shënuar kësisoj fillimin e fundit të luftës në Kosovë. Fillimi i këtij akti, pasoi kundërshtimet e Serbisë për të nënshkruar marrëveshjet e negociuara në Francë për t’i dhënë fund luftës në Kosovë dhe dështimin e përpjekjeve të përfaqësuesve ndërkombëtar për ta bindur Serbinë.

Përfshirja e Aleancës Veriatlantike në luftën e Kosovës ka mundësuar, që pas fushatës 78-ditëshe, të dëbohen forcat serbe nga Kosova.

Nga opozita këtë ngjarje e kanë konsideruar si historike për vendin. Sipas tyre, kjo ditë shënon fitoren lirisë ndaj mizorisë dhe fitoren e botës demokratike ndaj diktaturës së fundit shtypëse në kontinentin e vjetër.

Ndërsa, profesori ndërkombëtar dhe njohës të çështjeve të sigurisë kanë vlerësuar se Kosova ishte me fat që për herë të parë në historinë e saj u mor në mbrojtje nga një fuqi ushtarake dhe politike e pakontestuar në botë.

Rugova: Dita e kthesës së madhe

Image
Naser Rugova

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se 24 marsi i vitit 1999 ishte dita e kthesës së madhe për popullin shqiptar.

Sipas Rugovës, 20 vite më parë ishte dita e fitores ndaj mizorisë dhe diktaturës së fundit shtypëse.

“24 marsi i vitit 99 ishte dita e kthesës së madhe për shpëtimin e një populli nga gjenocidi. Ajo ditë shënon fitoren lirisë ndaj mizorisë dhe fitoren e botës demokratike ndaj diktaturës së fundit shtypëse në kontinentin e vjetër”, është shprehur Rugova, për gazetën “Bota sot”.

Me tej, ai ka thënë se kjo ngjarje historike nuk do të mbetej e tillë pa fillimin e bombardimeve të NATO-s.

“Lirisë dhe shtetësia e Kosovës nuk do realizoheshin pa fillimin e bombardimeve të NATO-s më 24 mars të vitit 1999”, ka thënë deputeti i LDK-së, Naser Rugova, për gazetën “Bota sot”.

Bytyçi: Kosova ishte me fat

Për të folur për këtë datë historikë, gazeta “Bota sot”, ka kontaktuar edhe profesor dr. Enver Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Bytyçi lidhur më këtë ka thënë se, magjia e kësaj ngjarje ndodhi kur presidenti amerikan Bill Clinton iu drejtua kombit amerikan, duke argumentuar pse ai urdhëroi bombardimet e NATO-s kundër Serbisë.

Ndërsa, edhe ka treguar se nga kush po rrezikohet sovraniteti i vendit, shkruan gazeta “Bota sot”.

“Magjia ndodhi kur presidenti amerikan Bill Clinton iu drejtua kombit amerikan, duke argumentuar pse ai urdhëroi bombardimet e NATO-s kundër Serbisë. Në këtë fjalim presidenti amerikan tha se SHBA-të janë përgjegjëse për parandalimin e një katastrofe humanitare në Kosovë, për shuarjen e konfliktit e mospërhapjen e tij, si dhe e cilësoi Kosovën si interes jetik e strategjik të vendit më të fuqishëm të botës. Pas Bill Clinton iu drejtuan kombeve të tyre edhe tre personalitete të tjera të mëdha të kohës, kryeministri britanik, Tony Blair, kancelari gjerman, Gerhard Schreoder dhe presidenti francez Jaques Shirak”, ka thënë Bytyçi.

Ai shton se me rastin e Kosovës u kristalizua një aleancë e fuqishme midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Të gjithë morën përsipër aksionin ushtarak kundër Serbisë për të njëjtat arsye të cilat i theksoi Clinton. Nga ai fjalim i presidentit amerikan u mor vesh se NATO prej këtij momenti do të bëhej roje e paqes dhe stabilitetit në kontinentin evropian dhe më gjerë. U dha mesazhi se diktatorët dhe dhunuesit mizorë të popujve nuk do të toleroheshin në aksionet asgjësuese të popujve, grupeve etnike, fetare etj. U kristalizua një aleancë e fuqishme midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe përfundimisht u kthye shpresa te të gjithë popujt e shtypur se tashmë kishte filluar një epokë e re në të cilën ata und të shpresonin se kishin një mbrojtje të fuqishe nga ana e Aleancës Atlantike”, shtoi ai.

Tutje, profesori ndërkombëtar nënvizon se vendi ishte me fat që për herë të parë në historinë e saj u morë në mbrojtje nga një fuqi ushtarake.

“Kosova ishte me fat që për herë të parë në historinë e saj u morë në mbrojtje nga një fuqi ushtarake dhe politike e pakontestuar në botë. Sulmet e NATO-s, sipas Clinton, kishin si qëllim të dobësonin aftësinë ushtarake dhe politike të Serbisë, nuk drejtoheshin kundër popujve të Jugosllavisë së mbetur, kishin si cak repartet ushtarake e policore si dhe uzinat e prodhimit të armatimit serb. Aksioni ushtarak i NATO-s zgjati 78 ditë, deri më 9 qershor 1999. Gjatë këtij aksioni ushtarak u asgjësuan mbi 100 avionë luftarakë bombardues serbë, 120 tanke dhe u nxor jashtë përdorimit një aerodrom, përveç sa e sa stacioneve ushtarake dhe policore serbe”, nënvizon Bytyçi.

Ai gjithashtu ka folur edhe për kritikat që u bënë, pas këtyre bombardimeve. Gjersa ka treguar edhe disa nga statistika e padëgjuara më parë rreth kësaj ngjarje.

“Bota antiNATO ka bërë një zhurmë të madhe për gjoja dëmet kolaterale të këtyre sulmeve. Por sipas statistikave zyrtare gjatë afër tre muajve bombardimeve të avionëve të NATO-s humbën jetën 556 civilë ndër të cilët 162 ishin shqiptarë të goditur gabimisht në dy raste në konvojet e depërtimit nga Shqipëria prej dhunës serbe. Gazeta Frankfurter Rundschau, Raporti i Krizës Ballkanike dhe dokumente të tjerë bënin me dije se humbjet e shqiptarëve ishin katastrofale. Së paku 13 mijë të masakruar, prej të cilëve 95 për qind civilë të paarmatosur”, tregon ai.

Bytyçi madje ka krahasuar edhe dëmet kolaterale të NATO-s me ato që shkaktoi ushtria e policia serbe kundër shqiptarëve, për të cilat ka thënë se ato vijnë në një disproporcion së paku 1 me 50.

“Pati rreth 5000 të tjerë të zhdukur, nga të cilët 400 serbë., 100 malazezë dhe pjesa tjetër shqiptarë. Duke përshkruar Pejën në fund të luftës, gazetari gjerman, Rolf Pasch, e quante atë Hiroshima e Evropës. U shkatërruan 70 për qind e objekteve dhe shtëpive të banimit të shqiptarëve si dhe u dëbuan nga Kosova ose vendbanimet e tyre mbi 1 milionë shqiptarë. Po të krahasosh dëmet kolaterale të NATO-s me ato që shkaktoi ushtria e policia serbe kundër shqiptarëve, ato vijnë në një disproporcion së paku 1 me 50. Mizoritë serbë kundër shqiptarëve nuk kursyen as gratë e vajzat e Kosovës, 20000 prej të cilave u përdhunuan. Beogradi kishte planifikuar asgjësimin e shqiptarëve, e qëllim serbizimin e Kosovës”, tha ai.

Krejt në fund, Bytyçi ka theksuar se 20 vjet pas kësaj ngjarje historike, pavarësia dhe sovraniteti kërcënohen prej ish-kreut të UÇK-së, sot president i Kosovës, Hashim Thaçit dhe bashkëpunëtorëve të tij si “Baton Stanishiqi”.

“Por ishin bombardimet e NATO-s ato që e shkatërruan forcën ushtarake dhe politike të Serbisë së Milosheviçit. Ndërkohë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës u bë aleate e ngushtë e NATO-s, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për çlirimin e vendit nga okupatorët dhe sunduesit serbë të Beogradit. Sot, 20 vjet pas këtyre bombardimeve, Kosova ka shpallur pavarësinë e saj, por ende nuk e ka përfunduar projektin e sovranitetit të plotë të saj. Madje, pavarësia dhe sovraniteti kërcënohen prej ish-kreut të UÇK-së, sot president i Kosovës, Hashim Thaçit dhe bashkëpunëtorëve të tij si Baton Stanishiqi”, ka përfunduar Enver Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Njohësi i sigurisë: Fillimi i shpëtimit të Kosovës dhe fundi i epokës millosheviqiane

Image
Hajrullah Tërnava

Ndërsa, njohësi i çështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se kjo ditë është e shenjtë për popullin shqiptar, jo vetëm të Kosovës, por mbarë shqiptarëve të këtij rruzulli tokësor.

“Data e 24 marsit të 1999 për historinë e shqiptarëve, është një ditë e shenjtë e popullit shqiptar, jo vetëm të Kosovës, por të mbarë shqiptarëve të këtij rruzulli tokësor. Ishte Serbia që i kontribuoi acarimit politik të atyre kohërave të gjitha republikave që dikur ishin pjesë përbërëse e Jugosllavisë. Politikat luftënxitëse serbe i kontribuuan që nga vitet 1990-të të shpërbëhet një shtet i fortë sikur që ishte Jugosllavia, e cila një kohë të gjatë llogaritej si fuçi regjionale, e cila në ato kohëra i printe politikave të shteteve të painkuadruara dhe ishte shtet idol nga këto shtete, e qe këto shtete, ishin në numër jo të vogla. Konflikti i armatosur i shpërbërjes filloi me Slloveninë, vazhdoi me luftë ndaj Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe e fundit ishte lufta mes Serbisë dhe Kosovës”, ka thënë Tërnava.

Ai gjithashtu ka kujtuar edhe momentin e marrjes së vendimit për intervenimin e NATO-s në Kosovë.

“Fuqitë botërore duke e përcjellë konfliktet luftarake, e që për të gjitha konfliktet fajtore ishte Serbia, në mbledhjen e OKB-së e miratuan rezolutën 1244 pa asnjë kundërshtim dhe u vendos që të intervenohet nga NATO-ja si shkak dhe arsye humanitare që të shpëtohet një popull i tërë i pambrojtur dhe i paarmatosur në këtë rast të shqiptarëve. Serbia në këto kohëra e kishte shpërngulur rreth një milion banor shqiptar nga Kosova për në Shqipëri dhe shtete tjera për rreth, me masakrat dhe terrorin që e bënte duke vrarë të rinj, fëmijë, pleq si metodë të frikësimit që për qëllim e kishte spastrimin etnik të territorit të Kosovës, dhe me djegien e të gjitha fshatrave sikur që dikur këtë metodë e kanë përdorur në vitet 1878 që nga Beogradi e deri në Merdare edhe që këto toka dikur ishin shqiptare, tani janë serbe, edhe që të shpërngulurit e atyre kohërave i kanë tapitë e tyre të atyre trojeve, kurrë më nuk u kthyen në trojet e tyre, dhe si Muhaxhiri edhe sot e kësaj dite janë të njohur në Kosovë e gjetiu”, tha ai.

Sipas Tërnaves, sulmi i 23 marsit arriti qëllimin që populli të kthehet në trojet veta.

“Taktika e shpërnguljes të këtyre trojeve ishte e ngjashme, që të shpërngulen shqiptarët dhe të rritet territori i Serbisë. Tani që 20 vite nga intervenimi i NATO-s ndaj caqeve serbe, u arrit ai qëllim që populli të kthehet në trojet e tyre dhe të jetë i lirë, dhe ta rindërtoj shtetin e saj të ri të pavarur, të cilën pavarësi e shpallën më 17.02.2008, dhe konfirmimin e kësaj pavarësie e konfirmoj GJND-ja, të cilin kundërshtim e patën ushtruar pranë kësaj gjykate vet Serbia. Prandaj, më të drejt mund të thuhet se 24 marsi i 1999-ës, ishte fillimi i shpëtimit të Kosovës dhe fundi i epokës millosheviqiane”, ka thënë ai.

Njohësi i sigurisë shton se situata e krijuar në vend 20 vite pas është e habitshme në Kosovë.

“Konfirmimi i pavarësisë së Kosovës nga GJND-ja është dëshmia dhe krejt rezultati i tërësisë së kësaj pavarësie, sepse është gjykatë ndërkombëtare, e cili është shumë autoritative, të cilin e kanë formuar ekspert më të përsosur ndërkombëtare, dhe që shërben që çështjet më të koklavitura ndërkombëtare, kur janë objekt i shqyrtimit të saj, e marrin formën e premë të argumentuar dhe duhen të jetësohen përjetësisht në praktikat ndërkombëtare. Marrë në tërësi dhe situatat e krijuara të tanishme, është për tu habitur me këta njerëz të politikës së Kosovës, kur serbët kërkojnë bisedime ndërkombëtare për çështjen e statusit përfundimtar për Kosovën, pse këta politikanë që na përfaqësojnë në këto bisedime, pse nuk këmbëngulin në këtë vendim të GJND-së dhe pavarësisë, të cilën e kanë njohur 116 shtete, dhe që lidhur për statusin as që duhet të bisedohet”, shtoi ai.

Në fund, Tërnava thekson se personat që shpallën pavarësinë e vitin 2008, nuk përngjajnë në ata të asaj kohë, pasi që sipas tij, këta të fundit po ngjasojnë më shumë sikur në tradhtar të popullit.

“Një fakt që po e habitë popullin është se ata njerëz që e shpallën pavarësinë, tani nuk po përngjajnë në ata të asaj kohë, sepse tani me versionet më të ndryshme që nga shkëmbimi, falja e territorit dhe korrigjimi të territorit të Kosovës, po përngjajnë sikur tradhtar të popullit, prandaj kredibiliteti i këtyre udhëheqësve është i harxhuar, dhe sikur të japin dorëheqje nga këto poste do ia bënin të mirën këtyre trevave, e jo të ngushtohet territori i Kosovës, sikur deri më tani, po edhe sikur në rastin e demarkacionit të territorit mes Kosovës e Malit te Zi që po nga kjo udhëheqësi, që dikur betoheshin se asnjë milimetër nuk e humbë Kosova, që tani qartë e dimë se kemi mbetur pa ato pjesë të maleve të Zhlebit dhe Çakorrit që në sipërfaqe janë 8200 hektarë tokë”, ka përfunduar ai.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...