Takimi i Peshkopit Teodosije me ministrin Mustafa që alarmoi Beogradin, por çka u bisedua në këtë takim? - Bota Sot
Takimi i Peshkopit Teodosije me ministrin Mustafa që alarmoi Beogradin, por çka u bisedua në këtë takim?

Politika

Takimi i Peshkopit Teodosije me ministrin Mustafa që alarmoi Beogradin, por çka u bisedua në këtë takim?

Nga: N.Sh Më: 25 mars 2019 Në ora: 10:34
Takimi i Peshkopit Teofosije me ministrin Mustafa

Relacionet ndërmjet Presidentit serb Vuçiq dhe Peshkopit Teodosije të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, ka një kohë që janë të tensionuara.

Ka së paku një vit që nga ana e Qeverisë në Beograd, pjesëtarë të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë akuzohen për siç thuhet bashkëpunim me “Shtetin e rrejshëm të Kosovës”.

Së fundmi, në Manastirin e Graçanicës është mbajtur një takim ndërmjet Peshkopit Teodosije dhe Ministrit të MPB-së z. Ekrem Mustafa.

Shumë media serbe janë përpjekur të alarmojnë opinionin në Serbi për një tradhti të Peshkopit.

Lidhur me takimin në Graçanicë kontaktuam z. Mentor Tahiri, Shef i Kabinetit të Ministrit të MPB-së z. Mustafa.

Image
Mentor Tahiri

Mediat serbe kanë spekuluar kohëve të fundit për një takim sekret të mbajtur në Manastirin e Graçanicës. Çfarë mund të na thoni për këtë?

“Takimi i mbajtur në Manastirin e Graçanicës ku ministri z. Mustafa ishte mysafir i Peshkopit Teodosije, ishte në vazhdën e takimeve që Ministri ka mbajtur kohëve të fundit me të gjitha bashkësitë fetare në Republikën e Kosovës. I pranishëm në takimin në Manastirin e Graçanicës ishte edhe një përfaqësues i OSBE-së. Takimi u zhvillua në një frymë shumë të mirë dhe ishte i hapur. Takimi u mbajt në pikë të ditës, nuk bëhet fjalë për asnjë lloj takimi sekret. Ministri z. Mustafa ofroi mbështetjen e plotë të MPB-së që siguria për Kishën Ortodokse Serbe në Republikën e Kosovës, të jetë në gjendje të kënaqshme sikurse edhe tani”, tha Tahiri për gazetën “Bota sot”.

Por, aty pretendohet se kishte tema politike. Një pjesë e mediave serbe akuzon Peshkopin Teodosije madje edhe për tradhti. Në çka bazohen këto pretendime?

“Kur flitet për sigurinë dhe bashkëpunimin ndërinstitucional jo domosdoshmërisht flitet për politikë. Republika e Kosovës, respektivisht institucionet e saj e shohin funksionimin e bashkësive fetare nën prizmin e kontributit për një jetë plot harmoni ndërmjet qytetarëve pavarësisht përkatësisë së tyre. Realiteti i ri i krijuar në Kosovë, kërkon që edhe bashkëpunimi të ngritët në një nivel më të avancuar dhe më serioz”, potencon ai.

“Kam lexuar me shumë kujdes ato çfarë mediat serbe kanë shkruar për takimin. Pretendimet mbi gjoja takime sekrete në Manastirin e Graçanicës janë thjeshtë halucinacione me qëllim të njollosjes politike të cilat mbi të gjitha dëshirojnë të minojnë çdo komunikim të shëndoshë ndërmjet institucioneve të Kosovës me Kishën Ortodokse Serbe. Në Graçanicë u fol për shumë aspekte të bashkëpunimit por jo për tema politike”, shton tutje Tahiri.

Por, a mendoni se ka një çarje ndërmjet Qeverisë së Serbisë dhe përfaqësuesve të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë?

“Nuk më takon të komentojë diçka të tillë. Mbase shumëkush në Beogradin zyrtar ka averzion të pranojë realitetin e ri të krijuar, ekzistimin e Shtetit të Kosovës. Ajo që ne si MPB dhe përgjithësisht institucionet shtetërore e kemi për detyrë të ofrojmë, është siguria për të gjithë qytetarët pa dallim. Kjo mund t’i pengojë dikujt, por nuk duhet të bëhen asnjëherë kompromise të cilat cenojnë sigurinë e cilitdo që jeton këtu dhe që respekton ligjet”, përfundon Mentor Tahiri.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...