Ka hetime, por jo edhe të akuzuar për dëbimin e shtetasve turq - Bota Sot
Ka hetime, por jo edhe të akuzuar për dëbimin e shtetasve turq

Politika

Ka hetime, por jo edhe të akuzuar për dëbimin e shtetasve turq

Më: 25 mars 2019 Në ora: 19:52
Studentët e shkollës "Mehmet Akif" në Prishtinë, duke protestuar për dëbimin e arsimtarëve. / 29 mars 2018

Dhjetëra shkelje të evidentuara nga Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet e institucioneve të sigurisë gjatë dëbimit të gjashtë shtetasve turq, nuk kanë mjaftuar ende që të ngritet ndonjë aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Është bërë gati një vit që kur Policia e Kosovës kishte arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë qytetarë turq, pesë prej tyre punonjës në shkollën “Mehmet Akif”, dhe një mjek, mirëpo ende nuk ka asnjë person të akuzuar për ngjarjen që ngjalli reagime edhe ndërkombëtare.

Në Prokurorinë Speciale të Kosovës, thonë se hetimet kanë filluar edhe para se Komisioni Hetimor Parlamentar, të dorëzonte të gjeturat lidhur me shkeljet që janë bërë gjatë dëbimit të këtyre personave nga Kosova.

Prokurori Sylë Hoxha, që njëherësh është edhe zëdhënës i këtij institucioni, tha për Radion Evropa e Lirë, se raporti i punuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, do jetë pjesë e lëndës.

“Ata e kanë dorëzuar, ne e kemi pranuar në Prokurori. Ai raport është pjesë përbërëse e shkresave të lëndës, por ne rastin e kemi filluar më herët në grumbullim të provave”, tha Hoxha.

Hashtag: Kë duhet mbajtur përgjegjës për dëbimin e shtetasve turq?

Pas incidentit që ndodhi më 29 mars 2018, kryeministri Ramush Haradinaj pati liruar nga detyra Driton Gashin, atëkohë shef i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, të cilët, më pas kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre, mirëpo sipas Prokurorisë, ende është herët të flitet nëse dikush nga zyrtarët e lartë të shtetit është duke u hetuar për këtë rast.

“Provat do të na dërgojnë deri atje. Për momentin ende nuk kemi arritur deri atje, tash të shohim”, tha prokurori Hoxha.

Pjesëtarë të shoqërisë civile, nuk presin që dikush nga zyrtarët e shtetit që ishin të përfshirë në këtë çështje, të mund të jenë pjesë e aktakuzës që mund të ngritët nga Prokuroria.

Arton Demhasaj nga organizata ÇOHU, tha për Radion Evropa e Lirë, se vështirë se mund të ketë ndonjë epilog, siç tha ai, të kënaqshëm për këtë proces.

“Vetëm nëse në bazë të raportit të Komisionit Hetimor, del ose identifikohet ndonjë shkelje shumë flagrante, ndoshta atëherë mund të ketë ndonjë angazhim nga ana e Prokurorisë, edhe ajo më tepër mund të jetë vetëm sa për të pastruar ndonjë figurë se jo për të akuzuar dikë”, tha Demhasaj.

Ai kritikon Prokurorinë për vonesë dhe për neglizhim të këtij procesi. Sipas Demhasajt, Prokuroria Speciale e Kosovës, është dashur ta ketë gati aktakuzën, dhe jo të pres raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar, për të filluar hetimet.

“Duke e marrë parasysh që deri tash sa është vonuar ky si proces, vështirë të presim që do të ketë ndonjë aktakuzë nga ana e Prokurorisë, edhe për vetë faktin që deri më tash Prokuroria nuk ka marrë asnjë masë ose nuk ka filluar të zhvillojë asnjë hetim për këtë çështje”, tha Demhasaj.

Video nga arkivi: Familjarët e turqve të dëbuar kërkojnë azil në Kosovë

Pas identifikimit të 31 shkeljeve dhe përpilimit të raportit të ekspertit, anëtarët e Komisionit Hetimor Parlamentar kanë deklaruar se kishin filluar presionet e ndryshme në punën e këtij komisioni. Për këtë presion dhe angazhim më të madh të organeve të ndjekjes për të zbardhur të vërtetën lidhur me këtë rast, ka reaguar edhe ambasada amerikane në Prishtinë, që u pasua edhe nga reagimet e ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar dhe asaj të Gjermanisë.

Përmes një deklarate për media, kjo ambasadë tha se “ka kaluar një vit që kur Kosova i ka dëbuar gjashtë shtetas turq, pa një proces të duhur, duke pretenduar se kërcënonin sigurinë kombëtare”.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të kërkojnë përgjegjësi të plotë nga kushdo që e shkel ligjin dhe i kujtoi liderët e Kosovës se “institucionet e sigurisë duhet të veprojnë vetëm brenda autoritetit të tyre kushtetues”.

Dëbimi i gjashtë shtetasve turq në fundin e marsit të vitit të kaluar, është thënë se është bërë përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova.

Por, deputetët, presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës patën thënë se nuk kanë pasur njohuri lidhur me rastin. Për gjashtë shtetasit turq, Ankaraja dyshon se janë anëtarë të organizatës “Hizmet”, të udhëheqësit fetar turk, Fetullah Gulen. Këtë të fundit, autoritetet turke e fajësojnë për një përpjekje për grusht-shtet në Turqi në vitin 2016./Rel/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...