Hajnat izoluan Kosovën nga bota - Bota Sot
Hajnat izoluan Kosovën nga bota

Politika

Hajnat izoluan Kosovën nga bota

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 26 mars 2019 Në ora: 10:31
Foto ilustrim

Si asnjëherë më parë klasa politike në Kosovë është izoluar nga faktori ndërkombëtar. Këtë kryeministri Haradinaj e lidh me tarifën për produktet që vijnë nga Serbia dhe Bonja, megjithatë ka edhe diçka tjetër përveç tarifës. Megjithatë duhet të jemi korrekt dhe të pranojmë se refuzimi i vizës për kryeministrin Haradinaj në Lutjet e Mëngjesit në SHBA ka të bëjë me tarifën.  Mirëpo, zbehja e vizitave shtetërore të rëndësishme është një tregues i izolimit të Kosovës, respektivisht të klasës politike, pasi qytetarët janë të izoluar  tashmë.

Konteksti i dialogut me Serbinë, ngecja në këtë proces për shkak të mos heqjes së tarifës po shihet si presion i bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës. E gjithë kjo gjendje ka ardhur si pasojë e brishtësisë së kësaj qeverie, e cila nuk ka pasur plan të mirëfilltë se si ta drejtoj vendin në raport me ndërkombëtaret dhe qeverisjen me duar të pastra. Derisa mungon qeverisja e mirë, shohim për ditë punësime partiake, familjare, duke degraduar çdo sektorë shtetërorë, duke injoruar thirrjet e ambasadorëve të huaj në vendin tonë për të qeverisur pa korrupsion, korrelacioni s` ka se si të jetë i suksesshëm mes qeverisë dhe ndërkombëtarëve. Asnjë qeveri deri tani nuk ka arritur të izoloj Kosovën deri në këtë nivel. Sa ironike, dikur kur nuk na njihte askush Presidenti Rugova qau male e dete për të bërë të njohur Kosovën, tani që për Kosovën ka dëgjuar gjithë bota jemi të izoluar. Kjo për “meritë” të kësaj qeverie, e cila ka arritur të dështoj në çdo sferë të brendshme të shteti, deri sa edhe në raport me botën ka dështuar totalisht. Tashmë u bënë një vit që nuk kemi asnjë njohje, përkundrazi ka ndodhur heqje të njohjeve.

Për këtë askush nuk ka dhënë ndonjë përgjegjësi, duke u mjaftuar me heshtjen përballë realitetit. Mungesa e përfaqësimit të dinjitetshëm ka sjellur pasoja të konsiderueshme. Mund të themi me plotë të drejtë se asnjëherë Kosova nuk ka pasur përfaqësi më të dobët, kësaj shtoja edhe korrupsionin e lartë në vend. Korrupsioni, shtimi i krimit dhe ikja e qytetarëve nga vendi kanë shtuar dozën e pesimizmit tek shtet që ende nuk e kanë njohur Kosovën që mos ta bëjnë një gjë të tillë. Në anën tjetër hapja e diskutimit për korrigjim të kufijve, gjithashtu ka shkaktuar stagnim tek disa shtet që ende nuk na kanë njohur, por edhe tek ato që na kanë njohur, që të  qëndrojnë neutral deri në mbyllje të bisedimeve me Serbinë. Këtë gjendje e ka sjellur kjo qeveri, ky president që për të mbrojtur veten po sakrifikon vendin. Siç qëndrojnë gjërat gjasat janë të mëdha që sivjet mos të ketë arritje të marrëveshjes me Serbinë, çka nënkupton se izolimi vetëm sa mund të thellohet, për më tepër nëse vazhdon kjo qeveri të qëndrojë në pushtet.

Një qeveri që s` ka synim dhe ide për vendin, mirëpo të gjithë energjinë e saj e fokuson tek lufta e brendshme, tek punësimet e familjarëve, dhënien e tenderëve oligarkëve, s` mund të presësh ditë të mbara. Andaj, shqiptarëve në Kosovë nuk u mbete asgjë tjetër pos të ngrihen deri në rrëzimin e kësaj qeverie, sepse mbi të gjitha Kosova është e jona. Ikjet e afër 200.000 qytetarëve në pesë vitet e fundit tregon më së miri gjendjen e mjerë në vend. Bota i sheh këto, e di shumë mirë se në krye të shteti janë ca banditë, duke marrë izolimin si “ shpërblim” për të gjitha  “ të arriturat”. Izolimin më të madh  ne si popull e kemi brenda vetës, që durojmë këta banditë të lozin me fatin tonë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...