Edhe 20 vjet pasluftës, Kosova nuk ka përgatitur asnjë mjet juridik me të cilin do të fajësonte Serbinë për gjenocidin e kryer në luftën e fundit, shkruan gazeta “Bota sot”.
Analisti politik, Nexhat Haziri, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se mos ushtrimi e padisë ndaj Serbisë për krime lufte, nga ana e shtetit të Kosovës, është bërë qëllimshmëm.
Sipas Hazirit, kjo është bërë me qëllim, pasi sipas tij, në krime lufte dhe ato të pasluftës janë të involvuar edhe disa nga komandantët të konvertuar në politikan pasluftës në Kosovë.
“Nuk do ta quaja këtë si një neglizhencë të institucioneve të Kosovës që nga pavarësimi i vendit që nuk bënë asnjë padi ndaj Serbisë për krimet e bëra ndaj popullit shqiptar në Kosovë gjatë luftës. Kjo u bë me qëllim, pasi në krime lufte dhe ato të pasluftës janë të involvuar edhe disa nga komandantët të konvertuar në politikan pasluftës në Kosovë dhe sikur i bënë llogaritë që duke mos paditur Serbinë, për krime të luftës, do ju falen edhe krimet eventuale të bëra nga ta gjatë luftës, por edhe pasluftës, siç është rasti me vrasjet politike, por edhe ato në pjesë të caktuar të Kosovës për qërim hesapesh për të kontrolluar këto territore dhe veprimtarinë e tyre antiligjore. Pra, sikur u bënë një far ujdie që as ne për ata, e as ata për ne”, ka thënë Haziri.
Ai shton në fund se me mos trajtimin e çështjes së krimeve të ushtrisë dhe policisë së Serbisë ndaj popullit shqiptar në Kosovë, po e sjellim vetën në një situatë të palakmueshme.
“Dhe natyrisht kjo i ka kushtuar Kosovës, pasi krimet e Serbisë në Kosovë janë shumëfishë më të mëdha dhe kjo çështje ka mbetur peng i ''ujdisë'' së liderëve shtetëror të Kosovës që dikush kanë qenë komandantë të lartë në hierarkinë komanduese të UÇK-së. Ne përpos numërimit të vrasjeve, masakrave, nuk dimë edhe dëmin ekonomik që Serbia ia ka shkaktuar Kosovës jo vetëm gjatë luftës, por edhe gjatë periudhës së okupimit dhe kjo padyshim se është një humbje e madhe për Kosovën, por edhe një mjegull në atë se kush është agresori e kush është viktima. Pra, me mos trajtimin e çështjes së krimeve të ushtrisë dhe policisë së Serbisë ndaj popullit shqiptar në Kosovë, po e sjellim vetën në një situatë të palakmueshme”, ka përfunduar Haziri për “Bota sot”. Ndryshe, të martën mes plagësh e lotëve që u rridhnin, përzier me ndjenja krenarie, banorët e Krushës së Vogël përmes një tubimi përkujtimor shënuan 20 vjetorin e rënies së 113 martirëve, nga ku kërkuan nga institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare që të zbardhet e vërteta për fatin e të pagjeturve.