Ekskluzive: Haziri flet për fotografinë me komandantët, ja cila është e vërteta

Politika

Ekskluzive: Haziri flet për fotografinë me komandantët, ja cila është e vërteta

Nga: Kushtrim Maliqi Më: 26 mars 2019 Në ora: 21:10
Lutfi Haziri

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, në një intervistë ekskluzive për gazetën "Bota sot", ka folur edhe për një fotografi që iu publikua javën e kaluar, ku shihej ai me komandantët e UÇK-së, Sami Lushtaku, që është zyrtar i PDK-së, dhe Sylejman Selimi.

Haziri ka thënë se ka qenë në Zvicër për arsye familjare kur është publikuar kjo fotografi.

"Në fakt unë kam qenë në Zvicër për arsye familjare dhe e kam pa që është publikuar një fotografi gjoja se ajo dark ka ndodhur atë natë. Së pari mund t`iu them se ajo histori është ndërtuar mbi lajm të rrejshëm. E dyta është keqpërdorim i fotografisë, ajo ka qenë darkë private ku përveç Ukë Rugovës, ka marrë pjesë edhe ish-ambasadori i Kosovës në Tiranë Sylejman Selimi dhe ish-kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku si mysafir në Gjilan", ka thënë Haziri.

Tutje, ai ka thënë se keqpërdorimi i mysafirit për motive të ulëta politike edhe nga mediet, është deformim profesional.

"Por, krejt çka është pa kënaqësi apo zhgënjim i imi është se ajo fotografi është keqpërdorur me motive të ulëta politike, sepse fundja unë jam i nderuar për respektin që tregojnë mysafirët kur vijnë në Gjilan, prej presidentëve, kryeministrave, ambasadorëve apo autoriteteve e njerëzve jashtë e brenda Kosovës, të cilët e vizitojnë këtë qytet, kjo është nderë i veçantë për qytetarët e Gjilanit. Gjilani nuk ka pas miq deri vonë, kemi nevojë për edhe më shumë miq dhe ne miqtë i presim në mënyrë të veçantë. Por, keqpërdorimi i mysafirit për motive të ulëta politike edhe nga mediet, besoj që është deformim profesional, sepse asgjë nuk ndodhë jashtë asaj që publikohet, por vetë tendenca mbrapa është për tu zhgënjyer", ka zbuluar Haziri për gazetën "Bota sot".

(Intervistën e plotë mund ta lexoni të mërkurën në gazetën kombëtare "Bota sot")

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat