Katrahura e situatës aktuale dhe e regresit politiko-ekonomik vjen si pasojë e grupeve të interesit dhe mafioze në Kosovë

Politika

Katrahura e situatës aktuale dhe e regresit politiko-ekonomik vjen si pasojë e grupeve të interesit dhe mafioze në Kosovë

Nga: D.B Më: 29 mars 2019 Në ora: 19:19
Ruairi O

Kritika e ripërsëritur e Ambasadorit të Britanisë së Madhe Ruairi O’Conell, është alarmuese ndaj Qeverisë dhe institucioneve të larta shtetrore. Reagimi i tij krahas emërimeve në pozita të larta tregon thjeshtë se sa larg jemi si Shtet, si parti politike dhe si shoqëri nga Shteti i së drejtës dhe i meritokracisë.

Kështu ka vlerësuar se Mirsad Voca njohësi i Integrimeve Evropiane i cili në një prononcim për “ Bota sot “ ka thënë se katrahura e situatës aktuale dhe e regresit politiko-ekonomik vjen padyshim si pasojë e grupeve të interesit dhe mafioze që shtrihen me bollëk gjerë dhe kudo në Kosovë.

Sipas tij, gjithnjë është shoqëria ajo që pëson më së shumti meqenëse në një konjukturë të tillë ndalet zhvillimi në pothuaj çdo fushë përfshirë edhe arsimin si qelës-bazë për zhvillim të Shtetit dhe të shoqërisë.

Image
Mirsad Voca

“Në Kosovë mungon një mekanizëm shtetëror i të pa korruptuarëve përkundër faktit se ligji teorikisht ekziston, një gjë e tillë nuk po arrin të ndërtohet për shumë arsye thelbësore disa prej të cilave po i theksoj shkurtimisht , historikisht populli shqiptarë ka vuajtur nga dominimi klanor krahas atij institucional, qasje kjo që përforcon më shumë interesa individësh sesa çfarëdo qoftë interesi kolektiv/shtetëror e kombëtar. Më së shumti mbi këtë lloj perspektive është i ndërtuar edhe mendimi politik tek Shqiptarët. Duke u nisur nga ky këndvështrim, vendi është përballur pareshtur vetëm me zgjidhje kalimtare, të paqëndrueshme, dhe si të tilla gjithnjë të rrezikshme. Nuk ka vizion afatgjatë, nuk ka projekte afatgjate kombëtare, as konsensus të përbashkët pikërisht për shkak të interesave të ngushta e individuale”, ka thënë Voca.

Sipas tij, në anën tjetër, bajraktarizmi e ka vra dhe vazhdon ta vret në vazhdimësi të ardhmen e shoqërisë tonë.

“Pothuaj çdo gjë funksionon në harmoni me klanet e më së paku me interesin shoqëror e shtetëror. Në Kosovë ka pothuaj vetëm një trajektore politike dhe ajo lëviz nga individi tek klani apo grupi i interesit dhe anasjelltas. Fare pak apo vetëm sipërfaqësisht trajektorja lëviz në drejtim të shoqërisë, Shtetit apo rendit ligjor e kushtetues. Përderisa Shteti mbetet si sipërfaqësor dhe klani si thelbësor është e pamundshme të krijohet një Shtet institucional funksional. Shteti funksional nuk bëhet vetëm duke e emëruar atë si të tillë. Shih zhvillimin e arsimit në Kosovë, se çfarë rrjedhoje ka pasur që nga paslufta. Askush nuk mund ta pohoj se ka pasur cilësi të krahasueshme as me vendet e rajonit. Përjashtimisht, përveç një pakice kuadrosh të shkolluar brenda apo jashtë vendit, Kosova vuan që prej gati dy dekadash nga një edukim regresiv. Ndonëse arsimi llogaritet si truri i shoqërisë, në Kosovë ky lloj truri u kap nga klane e grupe interesi, u adoptua vetëm për këto grupe, duke u sjellë sikurse e posedonin edhe tërë shoqërinë”, ka thënë Voca.

Ai konsideron se nga kjo periudhë e pasluftës, filloi edhe prodhimi i kuadrove sipas dëshirave ditore të këtyre grupeve të interesit.

“Nga këtu del në pah masivisht nepotizmi dhe servilizmi partiak dhe si rrjedhje mbi punësimi në sektorin publik nga instancat më të ulëta deri te ato më të larta shtetërore. Të përdoret arsimi nacional e mbarëshoqëror për interesa të ngushta partiake të ulëta, i bie ta shkatërrosh trurin e shoqërisë dhe mbi këtë bazë të krijosh interesa me vetëdije klanore. Si mund të krijosh ekonomi e drejtësi me një arsim të shkatërruar pothuajse në çdo lëmi?! Një gjë e tillë është e pamundur duke pasur parasysh se meqë arsimi përbën trurin e Shoqërisë, kjo e fundit do të jetë e paralizuar dhe jo e aftë për t’u ndërtuar si shoqëri e organizuar dhe e zhvilluar”, ka thënë Voca.

Sipas tij, pikërisht për këtë politika populliste në Kosovë duke e politizuar totalisht arsimin ka prodhuar kuadro pothuaj vetëm për servilizëm politik dhe nga kjo garniturë nuk pritet asgjë tjetër veçse ndonjë prurje votash "n ‘kohë t ‘zgjedhjeve".

“Në këtë mënyrë shpjegohet ngecja e zhvillimit në pothuaj të gjitha fushat duke përfshirë këtu edhe vet arsimin. Nisur nga një analizë e thjeshtë, një sistem i tillë, që mund të quhet lirshëm “total-servilizëm”, brenda tij nuk ka konkurrencë të vërtetë politike sepse është themeluar si i tillë dhe vetëm riciklohet, pra vijnë gjithnjë gjenerata të reja servile të krijuara prej servilëve, dhe ky riciklim vështirë se mund të thyhet. Dhe është i tillë pikërisht si rrjedhojë e ndërveprimit të Pushtetit me Drejtësinë. Problemi vazhdon së ekzistuari për shkak se Drejtësia në Kosovë është selektive e pa reformuar qëllimshëm sepse e ndikuar nga politika dhe plotë me profile servilizmi, pra ajo deri më tani ka dështuar. Mund të thuhet lirisht se partitë politike aktuale që e kanë ngulfatur shoqërinë duke e shpërdorur pushtetin, kanë krijuar këtë ngecje dhe regres në zhvillim. Pastaj, kur nuk ka kush ta gjykoj Pushtetin atëherë ky i fundit krijon çfarë ti dojë qejfi, dhe kjo bëhet shumë komode për partitë politike të papërgjegjshme ndaj Shoqërisë dhe Shtetit në përgjithësi”, ka thënë Voca.

Ai ka thënë se kjo vlen për secilën parti që ka kapur Pushtetin deri më sot.

“Në fund si e ke Pushtetin ashtu e ke edhe Shtetin, i dobët intelektualisht e ekonomikisht, i ndotur jashtëzakonisht, i pashëndetshëm skajshmërisht, i korruptuar pafundësisht. Përjashtim këtu bën vetëm përfitimi e pasurimi personal grandioz, e i papërgjegjshëm i atyre që bëjnë Pushtetin. Nëse truri i shoqërisë pra arsimi mbetet në funksion të të gjithë shoqërisë e jo të politikës ditore, me një konjukturë tjetër të brendshme politike, atëherë edhe premisat për progres do të jenë të qarta dhe prosperuese. Dhe në fund, vendi nuk zhvillohet vetëm duke i luftuar simptomat problematike që dalin në pah, natyrisht nga keq menaxhimi dhe nga emërimet politike klanore në pozita të larta shtetërore, por duke e identifikuar në themel shkakun apo burimin e problemeve dhe duke e eliminuar atë”, ka thënë Mirsad Voca njohës i Integrimeve Evropiane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat