Brenda dy-tre viteve mbi një milion qytetar do ikin drejt perëndimit

Politika

Brenda dy-tre viteve mbi një milion qytetar do ikin drejt perëndimit

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 29 mars 2019 Në ora: 19:18
Stacioni në Prishtinë

“Me përjashtime të vogla të gjithë duhet të japin përgjegjësi për të gjitha: Shkatërrim të ekonomisë, mungesë të investimeve, degradim të çdo gjëje në Kosovë dhe siç po parashihet brenda dy-tre viteve mbi një milion qytetar do ikin drejt perëndimit. Siç e ceka manipulimi i popullatës është bërë me vetëdije, që edhe kur vendin e lëshojnë mbi 1 milion shqiptarë nga Kosova, prapë se prapë të thonë që jemi 1.8 milion (pa i llogaritur minoritetet) aq sa dolën në regjistrimin para një dekade. Andaj pak është burgu për këta matrapazë” ka thënë politologu Faik Krasniqi.

Qeveria e Kosovës ka dështuar të ofrojë shpresë dhe vende pune. Kjo për faktin se një i ri zhgënjehet nga realiteti, kur dëgjon për punësimet enorme që janë bërë në PTK, ndërmarrje të tjera publike e ministri, vetëm se janë anëtarë të AAK-së, PDK-së e Nismës Socialdemokrate.

Kjo qeveri nuk ka synim hapjen e vendeve te reja të punës, pasi synimi i saj është që t’i mbaj njerëzit sa më të varfër.

Kështu kanë vlerësuar njohës të çështjeve politike në vend dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së Valentina Bunjaku –Rexhepi, e cila ka thënë për ”Bota sot” ka thënë se askush nuk ka shpresë kur e dëgjoni se shteti është kapur dhe punësimet bëhen vetëm me partitë në pushtet.

Image
Valentina Bunjaku –Rexhepi

“Kur dëgjojnë skandale për çdo javë rreth punësimeve të familjareve të pushtetarëve çfarë të mendohet më pas? Rinia e ka vetëm një shpresë, jetesën e mirë, nëse dalin jashtë. Tani mjerisht ka humbur besimi në politikanë, në mjekë, në mësimdhënës, gjykatës, prokurorë, polici etj. Duhet të vjen një mentalitet tjetër qeverisës, një elitë tjetër politike dhe një shpresë e re që të kthehet besimi i humbur. Por, mos të harrojmë se trendët e migrimeve janë edhe në rajon e botë, në mënyrë mjaft dinamike. Nuk është vetëm trend lokal, por edhe rajonal e global. Por, e meta e kësaj është që Qeveria nuk ka ofruar program zhvillimi, por veç sa ka rritur shpenzimet, duke shpenzuar në forma të paarsyeshme”, ka thënë deputetja Bunjaku-Rexhepi.

Bunjaku- Rexhepi: Mungon politika e zhvillimit

Sipas saj, ka shumë poste e ministri, vetëm se PAN dëshiron të rehatojë secilën parti me militantët e vet, për shkak se ka mbështetje të vogël me numra.

“Natyrisht që Qeveria PAN mezi po mbahet, pasi ajo ka dështuar të tërheq investitorë nga diaspora, por edhe të huaj. Po që se nga një fabrikë të hapej në rreth 40 komuna të Kosovës, ne do të lulëzonim pasi ne jemi vend i vogël, dhe me popullatë të re në Evropën e zhvilluar, me mërgatë të madhe dhe shumë lehtë do të mund të përparonim. Por jo, pasi ne kemi Qeveri pa vizion zhvillimi. Mungon politika e zhvillimit, por vetëm politika e dhënies së "parasë së gatshme" për t'i qetësuar grupet e ndryshme të interesit”, ka thënë deputetja Bunjaku-Rexhepi.

Partitë e koalicionit qeverisës dhe politikat zhvillimore

Ndërsa, njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj, ka thënë për “Bota sot” se duke marrë parasysh rrethanat e krijimit të qeverisë së kryeministrit aktual, kombinimi qeverisës dhe po ashtu edhe profili i kryeministrit aktual, do të ishte marri intelektuale të kërkohet më shumë.

Sipas tij, kjo qeveri të vetëm detyrë që po kryen është se tani nuk kemi ngërç politik.

Image
Mustafë Kadriaj

“Kryeministri aktual dhe partia që drejton ai nuk kanë kapacitet për politika ekonomike ku fjala e parë dhe e fundit është e kryeministrit aktual, si para subjektit që drejton por edhe para partnereve në koalicion. E them këtë sepse me të hyr në koalicion qeverisës PDK-së i ka humbur timoni qeverisës. Për Nismën është në favor profili i kryeministrit aktual, sepse Nisma po e konsolidon veten tek qytetari ndërsa AKR-ja e Pacollit nuk i bën përshtypje natyra qeverisëse, derisa nuk preket pozita i Behgjet Pacollit edhe ashtu Pacolli nuk ka fuqi si politike dhe intelektuale me ndikua tek kryeministri aktual për politika zhvillimore”, ka thënë Kadriaj.

Sipas tij, kryeministria aktual po sillet tamam me realitetin liderëve ballkanik duke mbajtur veten në pushtet me tema kombëtarë që për fat jo të mirë qytetari ende i pranon.

“Meqë jetojmë në sistem demokratik së paku me kushtetutë dhe ligje, mendoj që një pjesë e fajit mbetet edhe tek zëri opozitar së pari parti parlamentare si VV-ja dhe LDK me problemet që i kanë brenda subjekteve të tyre nuk po kanë kohë të ngrisin zërin në tema ekonomike. Mëkat e dua të theksoj që kryeministri aktual që nga fillimi nuk e ka ditur as vet se sa vota i ka dhe ende qëndron në qeveri përderisa ish qeveria e kryeministrit Isa Musata si qeveria me numrin me të madh të votimit nga deputetë nuk mund të qeveristë nga atakimi i opozitës së atëhershme dhe kjo gjendje të irriton edhe më shumë që në Kosovë qëndrim në pushtet mbi forcën e muskujve e jo nga kapaciteti i intelektual. Sesa ka gjasa të bie qeveria aktual mendoj që tek në gjërat ndryshojnë brenda nate, por siç duket nuk kanë disponim partitë parlamentare secila ka probleme të brendshme politike se ndërsa në anën tjetër kryeministri aktual po i qetësinë grupet e interesit përmes parasë publikë dhe njëherit duke përfituar kohë në jetësimin e mandatit qeverisës”, është shprehur Kadriaj.

Mehmeti: Hapja e qendrave të mëdha tregtare bëhet vetëm sa për të shpërlarë para

Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti, ka thënë se kjo qeveri nuk ka synim hapjen e vendeve te reja të punës, pasi synimi i saj është që t’i mbajë njerëzit sa më të varfër.

Sipas tij, sa më të varfër njerëzit që janë aq më të shantazhuar, duke ndërtuar një ushtri të papunëve e të cilët pastaj i shërbejnë politikës për të mbetur në pushtet. Oligarkët e kanë kapitulluar ekonominë e vendit duke e kthyer atë në shërbim personal të ca njerëzve të cilët kontrollojnë çdo gjë përmes grabitjes së ndërmarrjeve fitimprurëse.

Image
Faton Mehmeti

“Kjo politikë ekonomike nuk sjell vende të punësimit dhe rrjedhimisht nuk gjeneron ulje të papunësisë veç se ndikon në rritjen e dëshpërimit të qytetarëve për të kërkuar pastaj jetën jashtë vendit. Hapja e qendrave të mëdha tregtare bëhet vetëm sa për të shpërlarë para, të cilat hyjnë në rrugë jo ligjore në Kosovë, e pastaj për t’i futur në treg hapin këso qendra tregtare të cilat janë të politikanëve të vendit. Vendi i monopolit ka ndikuar që njerëzit e ndershëm të mos mund të qëndrojnë me këmbët e tyre në treg, pasi konkurrenca jo e ndershme i ka mbytur ata. Faktikisht, kjo është edhe arsyeje që çdo ditë Kosova po zbrazet dhe ky trend do te vazhdojë, nëse nuk ndërmerret shumë shpejt diçka ”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.

Krasniqi: Ka manipulim edhe për numrin e popullatës

Politologu Faik Krasniqi, ka thënë se, në këto dy dekadat e fundit prej përfundimit të luftës, asnjë Qeveri nuk e ka pasur prioritet zhvillimin ekonomik dhe sjelljen e investitorëve të huaj dhe atyre shqiptare që jetojnë në perëndim.

Image
Faik Krasniqi

“Shkatërrimi i ekonomisë filloi me shitjen e fabrikave dhe ndërmarrjeve që i kishim trashëgimi nga baballarët tanë, të cilat ranë në duart e matrapazëve te politikes dhe para politikes. "Vetëvrasja" e Dino Asanajt shpjegon gjithçka se çfarë është bërë në Kosovën e pasluftës, sepse i ndjeri si drejtor i AKP-se ka qene ndërmjetësues i pisllëqeve në ekonominë tonë. Dhe deri sa vendet e rajonit për çdo vit kanë investime të huaja në vlera miliarda dhe mijëra punësime, në Kosovë s'kemi asnjë investitor të huaj apo shqiptar nga diaspora. Në njërën anë këtyre ju leverdis një gjë e tillë sepse një popullatë e papunë bëhet skllevër i tyre. Por ikja e popullatës do të ndikojë në "zhbërjen" e shtetit. Ka manipulim edhe për numrin e popullatës. Çdo gjë është bërë me plan nga këta matrapazë. Para një dekade për dy arsye regjistrimi i popullsisë nuk është bërë në mënyrë të rregullt, sepse kemi qenë më shumë se 1.8 mijë banorë shqiptare”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se, këtyre ju interesojnë vetëm statistikat, dhe në bazë të statistikave edhe të manipulojnë.

“Me përjashtime të vogla të gjithë duhet të japin përgjegjësi për të gjitha: Shkatërrim të ekonomisë, mungesë të investimeve, degradim të çdo gjëje në Kosovë dhe siç po parashihet brenda dy-tre viteve mbi një milion qytetar do ikin drejt perëndimit. Siç e ceka manipulimi i popullatës është bërë me vetëdije, që edhe kur vendin e lëshojnë mbi 1 milion shqiptarë nga Kosova, prapë se prapë të thonë që jemi 1.8 milion (pa i llogaritur minoritetet) aq sa dolën në regjistrimin para një dekade. Andaj pak është burgu për këta matrapazë” ka thënë politologu Faik Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat