Thaçi po e përçanë koalicionin PAN

Politika

Thaçi po e përçanë koalicionin PAN

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 30 mars 2019 Në ora: 16:18
Foto nga emërimi i anëtarëve të rinj të KQZ-së të enjten më 28 mars

Asnjë anëtar i koalicionit PAN me përjashtim të atij nga PDK, nuk do të jetë pjesë e Komisionit Qendror zgjedhor.

Dhe pikërisht ky mos emërim, ka ‘quar pluhur’ duke bërë kështu që përfaqësuesit nga këto parti të dalin me deklarata kërcënuese.

Madje, shefi i GP të NISMA, Bilall Sherifi ka thënë, se do ta ndihmojë doemos opozitën për ta rrëzuar qeverinë, nëse veç presidenti Thaçi nuk emëron ndonjë kandidat nga partia e tij.

Isufi: Do ta gjejmë zgjidhjen e duhur

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së Ahmet Isufi, ka thënë për “Bota sot” , se fillimisht nga zyra e Presidentit Thaçi janë kërkuar emrat e anëtarëve të propozuar për KQZ-në nga të gjitha Grupet Parlamentare të përfaqësuara në Kuvend.

Image
Ahmet Isufi

“Emrat janë dërguar dhe pas një kohe të gjatë të mos funksionimit të KQZ-së për shkak të mos kompletimit me anëtarët e kërkuar Presidenti ka dekretuar një pjesë të anëtarëve, duke mohuar të dekretojë të tjerët, të cilët kanë qenë të propozuar nga Grupet Parlamentare. Por, megjithatë në ditët në vijim duhet të shqyrtohet kjo çështje dhe të gjendet zgjidhja e duhur”, ka thënë deputeti AAK-së Ahmet Isufi.

Makolli: Thaçi ka bërë një tërheqje taktike

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli, ka thënë se është e pa justifikueshme që anëtaret KQZ-së nuk janë dekretuar deri me sot.

Image
Vesel Makolli

Sipas tij, obligimet që i ka KQZ-ja , kanë pushuar gjatë tërë kësaj kohe duke lënë kështu shumë mangësi në funksionimi e këtij institucioni me shumë rendësi.

“Në mungesë të funksionimit të KQZ-së nuk ka pasur mundësi për ndarjen financiare nga fondi për mbështetjen e subjekteve politike si dhe ndryshimet në listat e deputetëve dhe asamblistëve. Mos kompletimi i KQZ-së me anëtar nga koalicion PAN, drejtpërdrejt lidhet me situatën aktuale politike, e cila mbretëron brenda koalicionit, situatë e cila është paralajmëruar edhe në deklarimet publike të këtyre subjekteve. Presidenti Thaçi ka bërë një tërheqje taktike në mënyre që në një të ardhme të afërt të gjej një zgjedhje “solomane” në mes të subjekteve të koalicionit PAN, për plotësimin e KQZ-së me dy anëtar nga radhët e tyre. Është shumë me rendësi që më në fund KQZ-ja është funksionale dhe do të mund ti kryej detyrat dhe obligimet për çka është e thirrur”, ka thënë Makolli.

Burjani: Thaçi shkeli kushtetutën

Image
Blerim Burjani

Kurse, njohësi i çështjeve juridike e politike, Blerim Burjani, ka pohuar se Presidenti Thaçi u përcaktua për formulë pazari politik, por ai nuk e respektoi fare Kushtetutën, dhe tash në formulën 2+2+2 nuk ka grup më të madh Parlamentar në Kuvendin e Kosovës.

“Sipas tij, në mungesë të Verdiktit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti Thaçi u përcaktua për pazare politike duke mohuar kështu se ka edhe grup më të madh Parlamentar në Kuvend.

“Por presidenti Thaçi duhet ta dijë se ky është përcaktim politik e jo kushtetues, sepse Presidenti u përcaktua për pazar politik, e jo kushtetues në formulën 2+2+2 . E ky nominim është vendim i krijimit të presidentit në mungesë të normativit të qartë ligjor. Kushtetuta është e qartë, përderisa ligji për zgjedhje duhet të ndryshojë urgjentisht, andaj ky nominim u bë duke pasur parasysh debatet në kuvend rreth kësaj formule pazari. Dhe me këtë formulë nominuese nuk dihet se kush është grupi më i madh parlamentar. Madje, kjo cilësohet si shkelje e kushtetutës, lënie anash e Nismës dhe shkelje kushtetuese. Po ashtu Presidenti i pa dijshëm Thaçi e legalizoi politikën në emërime dhe u ndikua nga Kuvendi i Kosovës për formulën 2+2+2”, është shprehur njohësi i çështjeve juridike e politike Blerim Burjani.

Kelmendi: Njerëzit e NISMA-s dolën nga PDK-ja për pushtet

Image
Muhamet Kelmendi

Ndërsa, njohësi i çështjeve juridike profesor, Muhamet Kelmendi, ka thënë se nuk ka shumë komente në lidhje më këtë pasi nga Nisma pritet çdo veprim.

Sipas tij, NISMA është parti e interesit dhe pikërisht për këtë u nda dhe njerëzit e saj dolën nga PDK-ja.

“Njerëzit e NISMA-s dolën nga PDK-ja për pozita, pushtet dhe interesa financiare ku edhe janë në gjendje të bëjnë shumë. Te NISMA nuk ka rregulla, ka vetëm përfitime, madje me keqpërdorime të pozitës. Kudo ku është NISMA ka keqpërdorime dhe shkatërrime, andaj çfarë thotë Bilalli e Bilallat e NISMA-s janë thjeshtë veprime të njerëzve të interesit dhe asgjë më shumë. Mjerë Kosova për Bilallat, dhe mendoj që Bilalli ka me dalë shumë shpejt nga NISMA”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike profesor Muhamet Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat