A do të ketë zgjedhje të parakohshme? Flet anëtari i KQZ-së nga LDK

Politika

A do të ketë zgjedhje të parakohshme? Flet anëtari i KQZ-së nga LDK

Nga: N.H Më: 31 mars 2019 Në ora: 20:41
Hashim Thaçi

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ditë më parë ka emëruar anëtarët e rinj të Komisionit Qendror Zgjedhor, shkruan gazeta “Bota sot”.

Ky veprim erdhi pak ditë pas reagimit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, rreth vonesave në emërim, që zgjatën më shumë se një vit.

"Dështimi për t'i bërë emërimet e ka lënë KQZ-në të paaftë për të kryer funksionet e saj themelore", u tha në reagimin e ambasadës.

Anëtarët e rinj të KQZ-së janë: Sami Hamiti, Florian Dushi, Adnan Rrustemi, Nazlie Bala, Alfred Kinolli, Qemail Kurtishi, Ercan Shpat dhe Stevan Veselinoviq, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.

Anëtari i Komisionit Qëndror Zgjedhor, nga radhët e LDK-së, Florian Dushi, ka thënë se janë në pritje që këtij institucioni t'i bashkëngjiten edhe përfaqësuesit e koalicionit PAN dhe kështu të kompletohet në kuptimin e përbërjes së tij.

Dushi për gazetën “Bota sot”, ka thënë se si institucion tashmë me përvojë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i gatshëm plotësisht për organizimin e zgjedhjeve eventuale të jashtëzakonshme.

Image
Florian Dushi

“KQZ pas një periudhe të gjatë tashmë është funksionale. Natyrisht, në presim që së shpejti këtij institucioni t'i bashkëngjiten edhe përfaqësuesit e koalicionit PAN dhe kështu të kompletohet në kuptimin e përbërjes së tij. Por, si institucion tashmë me përvojë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konsideroj se është i gatshëm plotësisht për organizimin e zgjedhjeve eventuale të jashtëzakonshme, fundja, ky është edhe qëllimi pse KQZ-në kushtetuta e ka paraparë të jetë institucion i përhershëm”, ka thënë Dushi, të dielen për gazetën “Bota sot”.

Ndërsa, i pyetur se a do të ketë zgjedhje të parakohshme në vend, Dushi ka përkujtuar atë çfarë është kërkesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, që zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të shpallen dhe të mbahen sa më parë.

“Sa i përket mundësisë së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, larg bindjeve personale, unë mund vetëm t'ua përkujtojë atë çfarë është kërkesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, që zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të shpallen dhe të mbahen sa më parë për të pasur institucione më përfaqësuese, më të besueshme dhe si rrjedhojë, më legjitime se këto të cilat aktualisht po qeverisin me vendin”, ka përfunduar anetari i KQZ-së nga LDK, Florian Dushi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat