Rrëfimi i djalit të Ukshin Hotit: Dy gardian e morën babain tim nga burgu i Dubravës dhe...

Politika

Rrëfimi i djalit të Ukshin Hotit: Dy gardian e morën babain tim nga burgu i Dubravës dhe...

Nga: N.H Më: 31 mars 2019 Në ora: 22:58
Andin Hoti

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga Partia Demokratike e Kosovës, Andin Hoti i cili është i biri i veprimtarit të zhdukur Ukshin Hotit, për gazetën”Bota sot”, ka thënë se ishte 16 maji i vitit 1999 kur dy gardian serb të burgut të Dubravës kishin marrë babain e tij nga qelia, dhe nga ai moment nuk dihet asgjë për fatin e tij.

“Siç dihet tashme botërisht, Ukshin Hoti që nga data 16 Maj 1999, është larguar nga dy gardian serb të burgut të Dubravës nga qelia e tij, dhe nga ai moment nuk dihet asgjë për fatin e tij. Afati i përfundimit të burgut pre Ukshin Hotin, ka qene 17 maji. Ndërsa, 16 maji, kohën kur është marrë nga burgu babi, ka qenë ditë e diel, ku nënkupton që nuk funksionon administrata e burgut. Duke pasur parasysh që burgu është institucion shtetëror, dhe është njeri nga institucionet me siguri më të lartë të një shteti, kjo e bënë direkt përgjegjës komplet aparatin shtetëror të Serbisë”, ka thënë Hoti, për gazetën “Bota sot”.

Ai shton se asnjë i burgosur nuk ka pasur rastin ta shoh atë pas daljes nga qelia e burgut, për shkak, siç ka thënë ai, të infrastrukturës së burgut në atë kohë.

“Fatkeqësisht, asnjë i burgosur nuk ka pasur rastin ta shoh babin pas daljes nga qelia e burgut, për shkak të infrastrukturës së burgut në atë kohë, në të cilin kanë qenë dy mure të larta në oborrin e burgut. Që nga ajo ditë, ne si familje vazhdojmë të shpresojmë që një ditë do të dihet fati i tij dhe i 1602 personave tjerë të zhdukur me forcë nga shteti Serb. Masakra e burgut të Dubraves ka ndodhur nga data 19 Maj 1999, në kohën kur babi nuk ka qenë më aty”, shtoi ai.

Deputeti Hoti ka treguar edhe për kërkesat e tij të vazhdueshme në drejtim të krerëve të shtetit,  për ta trajtuar çështjen e të zhdukurve me seriozitetin më të lartë në Bruksel.

“Meqenëse jemi në fazën finale të dialogut Kosovë - Serbi, kam kërkuar disa herë tek kryetari i Parlamentit dhe kryeministri i Kosovës, që  të trajtojnë çështjen e të zhdukurve me seriozitetin më të lartë në Bruksel. Gjithashtu, i kam takuar edhe disa anëtar të ekipit negociues, dhe më kanë premtuar që kjo çështje do të jetë njëra nga temat e bisedimeve me Serbinë”, ka thënë ai.

Ai në fund ka theksuar se është me shpresën se zbardhja e fatit të babit, dhe 1602 personave tjerë, do të ketë epilogun në përfundimin e bisedimeve me Serbinë.

“E kam përsëritur edhe herëve tjera, që asnjë marrëveshje finale me Serbinë, nuk do të duhej të bëhej pa u trajtuar edhe fati i personave të zhdukur me forcë nga Serbia, së paku përkrahjen time si deputet, nuk do ta ketë. Shpresojë shumë që zbardhja e fatit të babit, dhe 1602 personave tjerë do të ketë epilogun në përfundimin e bisedimeve me Serbinë ketë vit ose vitin tjetër”, ka përfunduar Andin Hoti, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat