S`ka marrëveshje finale me Serbinë pa zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit dhe 1602 personave tjerë

Politika

S`ka marrëveshje finale me Serbinë pa zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit dhe 1602 personave tjerë

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 1 prill 2019 Në ora: 17:46
Të pagjeturit

Edhe pak muaj bëhen 20 vjet që kur për fatin e profesor Ukshin Hotit nuk dihet asgjë. Familjarët po jetojnë me shpresë se zbardhja e fatit të veprimtarit Hoti, dhe 1602 personave tjerë do të ketë epilogun në përfundimin e bisedimeve me Serbinë.

Më 16 maj 1999, një ditë para skadimit të dënimit politik prej 5 vjetësh burgim, Ukshin Hoti ishte larguar nga burgu i Dubravës. I biri i veprimtarit të zhdukur, për gazetën “Bota sot” ka rrëfyer se ai është përcjellë nga dy zyrtarë të sigurimit serb, dhe prej asaj dite nuk dihet asgjë për fatin e tij.

Opinionisti dhe njohësi i çështjeve politike ka vlerësuar se për Ukshin Hotin nuk u kujdesën as strukturat e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, të cilat kishin mundësinë në kohën kur filloi marrëveshja e Rambujes që ta kushtëzonin delegacionin serb.

Ndërsa, profesori i njohur e ka konsideruar si të çuditshëm mosangazhimin e institucioneve të vendit, për mos zbardhjen e këtij rasti.

“Asnjë marrëveshje finale me Serbinë, nuk do të duhej të bëhej pa u trajtuar edhe fati i personave të zhdukur”

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga Partia Demokratike e Kosovës, Andin Hoti i cili është i biri i veprimtarit të zhdukur Ukshin Hotit, për gazetën”Bota sot”, ka thënë se ishte 16 maji i vitit 1999 kur dy gardian serb të burgut të Dubravës kishin marrë babain e tij nga qelia, dhe nga ai moment nuk dihet asgjë për fatin e tij.

Image
Andin Hoti

“Siç dihet tashme botërisht, Ukshin Hoti që nga data 16 Maj 1999, është larguar nga dy gardian serb të burgut të Dubravës nga qelia e tij, dhe nga ai moment nuk dihet asgjë për fatin e tij. Afati i përfundimit të burgut pre Ukshin Hotin, ka qene 17 maji. Ndërsa, 16 maji, kohën kur është marrë nga burgu babi, ka qenë ditë e diel, ku nënkupton që nuk funksionon administrata e burgut. Duke pasur parasysh që burgu është institucion shtetëror, dhe është njeri nga institucionet me siguri më të lartë të një shteti, kjo e bënë direkt përgjegjës komplet aparatin shtetëror të Serbisë”, ka thënë Hoti, për gazetën “Bota sot”.

Ai shton se asnjë i burgosur nuk ka pasur rastin ta shoh atë pas daljes nga qelia e burgut, për shkak, siç ka thënë ai, të infrastrukturës së burgut në atë kohë.

“Fatkeqësisht, asnjë i burgosur nuk ka pasur rastin ta shoh babin pas daljes nga qelia e burgut, për shkak të infrastrukturës së burgut në atë kohë, në të cilin kanë qenë dy mure të larta në oborrin e burgut. Që nga ajo ditë, ne si familje vazhdojmë të shpresojmë që një ditë do të dihet fati i tij dhe i 1602 personave tjerë të zhdukur me forcë nga shteti Serb. Masakra e burgut të Dubraves ka ndodhur nga data 19 Maj 1999, në kohën kur babi nuk ka qenë më aty”, shtoi ai.

Deputeti Hoti ka treguar edhe për kërkesat e tij të vazhdueshme në drejtim të krerëve të shtetit, për ta trajtuar çështjen e të zhdukurve me seriozitetin më të lartë në Bruksel.

“Meqenëse jemi në fazën finale të dialogut Kosovë - Serbi, kam kërkuar disa herë tek kryetari i Parlamentit dhe kryeministri i Kosovës, që të trajtojnë çështjen e të zhdukurve me seriozitetin më të lartë në Bruksel. Gjithashtu, i kam takuar edhe disa anëtar të ekipit negociues, dhe më kanë premtuar që kjo çështje do të jetë njëra nga temat e bisedimeve me Serbinë”, ka thënë ai.

Ai në fund ka theksuar se është me shpresën se zbardhja e fatit të babit, dhe 1602 personave tjerë, do të ketë epilogun në përfundimin e bisedimeve me Serbinë.

“E kam përsëritur edhe herëve tjera, që asnjë marrëveshje finale me Serbinë, nuk do të duhej të bëhej pa u trajtuar edhe fati i personave të zhdukur me forcë nga Serbia, së paku përkrahjen time si deputet, nuk do ta ketë. Shpresojë shumë që zbardhja e fatit të babit, dhe 1602 personave tjerë do të ketë epilogun në përfundimin e bisedimeve me Serbinë ketë vit ose vitin tjetër”, ka përfunduar Andin Hoti, për gazetën “Bota sot”.

Kajtazi: Nuk është bërë mjaftueshëm

Duke folur rreth çështjes së personave të pagjetur, deputetja e LDK-së dhe anëtarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, Lirije Kajtazi, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se është dashur që të mos vazhdohet të dialogohet çështje tjera, pa e obliguar Serbinë që të ofrojë vendndodhjet e viktimave të krimit.

Image
Lirije Kajtazi

“Jo mjaftueshëm. Është dashur që të mos vazhdohet të dialogohet çështje tjera, pa obliguar Serbinë që të ofrojë vendndodhjet e viktimave të krimit që ka shkaktuar aparati policorë e ushtarak i atëhershëm, dhe t’i vendosë ata para drejtësisë”, ka thënë Kajtazi.

Sipas saj, po të ndodhtë një gjë e tillë edhe Bashkimi Evropian do të ishte me kërkuese ndaj Beogradit.

“Po të bëhej kjo edhe Bashkimi Evropian do të ishte më kërkuese ndaj Beogradit, e jo siç po ndodhë tani ndaj Prishtinës”, ka përfunduar Kajtazi për gazetën “Bota sot”.

Islami: Për Hotin nuk u kujdesen as strukturat e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së

Fati i profesorit Ukshin Hoti, është një fat i dhimbshëm për të gjithë shqiptarët. Kështu ka vlerësuar opinionisti dhe njohësi i çështjeve politike, Gazmend Islami.

Ai në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se për Hotin nuk u kujdesen as strukturat e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, të cilat kishin mundësinë në kohën kur filloi marrëveshja e Rambujes që ta kushtëzonin delegacionin serb

Image
Gazmend Islami

“Fati i profesorit Ukshin Hoti, është një fat i dhimbshëm për të gjithë, jo vetëm për familjen, mirëpo për të gjithë shqiptarët kudo që janë për arsye si ishte një ndër njerëzit më të mençur të politikës shqiptare që kishte jo vetëm Kosova, por të gjitha trojet shqiptare, pra ishte një mendimtar i thellë dhe një njëri që kishe parashikuar gjërat qysh në vitet e 80-ta se si do të rrjedhin proceset politike. Fatkeqësisht, për Hotin nuk u kujdesen as strukturat e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, të cilat kishin mundësi në kohën kur filloi marrëveshja e Rambujes që të kushtëzonin delegacionin serb me marrjen e veprimtarit Hoti i cili ishte në fundin e vuajtjes së dënimit të tij dhe t’i bashkëngjitet këtij delegacioni”, ka thënë Islami.

Me tej, Islami ka deklaruar se veprimtarin Ukshin Hoti, jo vetëm që e luftuan strukturat serbe, por atë e luftuan edhe shumica e atyre strukturave të LPK-së.

“Ukshin Hotin jo vetëm që e luftuan strukturat serbe, por atë e luftuan edhe shumica e atyre strukturave të LPK-së, të cilat nuk e donin që të ishte në proceset e tyre, për arsye të mendimit të tij të thellë dhe qëndrimeve të tij të qarta që kishte për çlirimin e Kosovës”, tha mes tjerash ai.

Opinionisti Islami shton se edhe pas përfundimit të luftës është bërë shumë pak për figurën e Ukshin Hoti.

“Pas luftës është bërë shumë pak për figurën e tij, sepse nuk është ngritur asnjë aktakuzë, pasi që dihet se Hoti ishte ekzekutuar pas lirimit nga burgu, qe ishte marrë nga strukturat e shërbimit informative të BIA-s të cilat më pastaj kishin fshehur gjurmët e tij. Qeveria e Kosovës nuk ka shprehur interesim të madh për zbardhjen e fatit të tij dhe kjo është për fatkeqësi të madhe”, ka shtuar Islami për gazetën “Bota sot”.

Maxharraj: I çuditshëm mosangazhimi i pushtetarëve

Ndërsa, profesori i njohur, Binak Maxharraj, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se veprimtari Hoti ishte një patriot i paepur që kurrë nuk u dorzua.

Sipas Maxharrës për shkak të koncepteve atdhetare, Ukshin Hoti kishte rënë në syrin e regjimit fashist të Serbisë.

Image
Binak Maxharraj

“Ukshin Hoti ishte figura më emblematike e skenës politike të paraluftës në Kosovë. Ishte një patriot i paepur që kurrë nuk dorëzohej, veprimtar i shquar i çështjes kombëtare, diplomat karriere për të ia pas lakmi, Profesor Universiteti, njeriu i cili u angazhua për çështjen kombëtare dhe çlirimin e Kosovës. Për këto koncepte dhe ideale të tij kishte rënë në syrin e regjimit fashist të Serbisë e cila ushtronte dhunë në tërë Kosovën. Ishte i maltretuar dhe i burgosur disa herë, por Hoti nuk dorëzohej vazhdonte punën e tij patriotike në dobi të kombit”, ka thënë Maxharraj.

Me tej, ai ka thënë se gjatë këtyre viteve sa ishte Hoti në burg diku në Serbi, regjimi serbe bënte masakra në popullsinë shqiptare.

“Herën e fundit në rrëmujën e dhunës që bënte regjimi i Millosheviqit, Ukshin Hoti prapë u burgos, u dënua me pesë vite burg. Gjatë këtyre viteve sa ishte Hoti në burg diku në Serbi, regjimi serbe bënte masakra në popullsinë shqiptare, sidomos në atë civile. Por, pasi që plasi lufta e hapur midis forcave të Serbisë dhe UÇK-së, dhe pasi që Serbia e bëri Kosovën tokë të djegur, masakroi mbi 13 civil shqiptar, përdhunoi me mijëra vajza, motra dhe nëna tona, depërtoi gati një milion jashtë Kosovës, NATO intervenoi në Kosovë, ku për 78 ditë e natë e bombardoi Serbinë. Në ditët e para të intervenimit të NATO-s mbi caqet e ushtrisë serbe, Ukshin Hoti ani pse e kishte mbaruar dënimin me burg, tinëzisht sillet në Burgun e Dubravës në Istog”, është shprehur ai.

Sipas tij, menjëherë pas bombardimeve të NATO-s, reagimi i ushtrisë serbe ishte i rreptë, me që rast bëri masakrën e përgjakshme.

“Së shpejti NATO e bombardoi edhe burgun e Dubravës gjatë së cilës pati pak viktime, por më damë materiale. Menjëherë ishte i rrepti reagimi i ushtrisë serbe e cila hyri në burgun e Dubravës dhe me urdhrin e drejtorit Rakoçeviq e bëri masakrën e përgjakshme. U bë rrëmujë e madhe aty ushtarët, paramilitarët serb shtini në çdo kënd që takoheshin. Të burgosurit të gjithë shqiptare u vranë u masakruan, disa prej zorit futeshin në pesetat e ujit. U bë kasaphane e madhe, serbët shtinin nga të gjitha anët, i thyenin dyert e qelive dhe në kënd takoheshin e vrisnin. Atë ditë të kobshme u vranë mbi 180 të burgosur kurse u plagosën mbi 200 të tjerë. Por, në mesin e të vrarëve dhe të plagosurve nuk ishte edhe Ukshin Hoti”, ka thënë ai.

Ai shton duke thënë se, është e çuditshme edhe mënyra e lirimit të veprimtarit të çështjes kombëtare.

“Ku mbeti? Kah shkojë? Kush e mori dhe pse e morën? Ku e quan që as sot e kësaj dite nuk i gjendet fija? Një ditë e diele pak ditë para fillimit te bombardimit nga NATO dhe masakrës, menjëherë pas bombardimit nga ana e ushtrisë dhe paramilitarëve serb, Ukshin Hotin gjoja me dokument-lëshimi për kryerjen e burgut e lirojnë, e nxjerrin jashtë burgut. E çuditshme kur dihet se të dielave kurrë në asnjë burg nuk ka ndodhur të lirohen të burgosurit. Aty afër rrugës për Istog dhe Rakosh e pret UDB-ja serbe e marrin dhe që nga ajo ditë asgjë bile asgjë nuk dihet për fatin e Ukshin Hotit. Flitet së ai po atë ditë diku aty afër është pushkatuar dhe është humbur trupi i tij, por ka edhe versione tjera që UDB-ja e kanë marrë me vete dhe likuiduar diku tjetër”, shtoi Maxharraj.

Maxharraj krejt në fund potencon se presidenti Thaçi dhe krerët e tjerë që sa vite nuk e lëvizën për asnjë moment këtë çështje.

“Kaluan që 20 vite dhe për fatin e Ukshin Hotit nuk dihet asgjë, nuk dinë as gjë as familjarët të cilët nuk kanë lënë gjë pa bërë për ta gjetur, por pa sukses. Në këtë rast është simptomatike dhe bile shumë e çuditshme se si pushtetarët tanë të gjithë varg e vijë që nga çlirimi i Kosovës nuk janë marrë, nuk janë angazhuar sa duhet, pra e kanë anashkaluar zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit. Pse pushtetarët tanë, komandantet tanë të pasluftës e sidomos Hashim Thaçi i cili është ne pushtet që sa vite nuk e lëvizi këtë çështje, nuk merret me fatin e Ukshin Hotit, pse nuk kushtëzohet Serbia për të zbardhë vendndodhjen e varrit të Ukshin Hotit. Jo që nuk angazhohen, por as që lëvizin në këtë çështje. A mos kjo punë kapricije midis Hotit dhe komandantëve, kur dihet se Ukshin Hoti ishte emblema e çështjes kombëtare, apo mos ka këtu diçka konspirative në këtë çështje, të cilën nuk e di, por gjithsesi duhet të këtë diçka çfarë nuk ka shkuar mes raporteve midis tyre”, ka përfunduar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat