Goditje e radhës për Thaçin nga Gjermania, ish-deputeti alarmon se ideja e presidentit ka për qëllim shkatërrimin e Kosovës

Politika

Goditje e radhës për Thaçin nga Gjermania, ish-deputeti alarmon se ideja e presidentit ka për qëllim shkatërrimin e Kosovës

Nga: D.B Më: 1 prill 2019 Në ora: 20:48
Angela Merkal dhe Hashim Thaçi

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka pritur në takim deputetët e Bundestagut Gjerman, Peter Bauer (CDU) dhe Christian Schmidt (CSU).

Pas takimit, deputetët kanë përsëritur qëndrimin se Gjermania është kundër shkëmbimit të territoreve.

Ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, ka thënë se zyrtarë të ndryshëm të administratës dhe deputetë të Bundestagut gjerman ia kanë bërë vazhdimisht Thaçit me dije se janë kategorikisht kundër ndryshimit të kufijve, për arsye se i vetmi shtet që do të përfitonte do të ishte Serbia, ndërsa humbësja më e madhe do të ishte Kosova.

Sipas tij, me ndryshimin e kufijve me Kosovën dhe me marrjen e një cope të territorit të saj, Serbia do të hapte rrugën edhe për ndryshim kufijsh me Bosnjën, e më vonë do të shfaqte pretendime edhe ndaj Malit të Zi.

Image
Adem Salihaj

“Ky presedan do t'i hapte rrugë krijimit të Serbisë së Madhe, e cila do te ishte kërcenim i përhershëm për gjithë rajonin, por, në mënyrë të veçantë për shqiptarët. Nga e gjithë kjo del se mbrojtëse e vendosur e Kosovës ka qenë dhe është Gjermania, ndërsa rrezikuesi kryesor i shtetësisë, si dhe tërësisë territoriale të Kosovës është vetë Thaçi. Thaçi me zell të madh po tregohet argati më i zellshëm i krijimit të Serbisë së Madhe”, ka thënë ish deputeti Salihaj.

Ai konsideron se, Gjermania ka qenë konsekuente në qëndrimin e saj në mbrojtje të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Kosovës.

“Përveç shumë zyrtarëve të lartë të kancelares Angela Merkel, po ashtu edhe deputetë të Bundestagut kanë mbajtur qëndrim përkrahës për Kosovën. Deputetët Peter Bauer dhe Christian Schmidt ia kanë bërë edhe njëherë shumë të qartë Thaçit dhe Serbisë se Gjermania është kategorike kundër ndryshimit të kufijve. Të gjithë e dimë se ideja serbo-ruse për copëtimin e Kosovës ka për qëllim shkatërrimin e shtetësisë sonë dhe krijimin e Serbisë së Madhe. Vetë Vuçiqi shpesh thotë me dëshpërim se ideja e tij për ndarjen e Kosovës ka dështuar. Vetëm shërbëtori i tij i palodhshëm dhe i zellshëm Hashim Thaçi, nuk heq dorë nga copëtimi i Kosovës dhe krijimi i Serbisë së Madhe. Besoj se në të ardhmen, Serbia do t'ia ndërtojë Thaçit një memorial në Kragujevc ose Nish dhe do të vendos lule pranë varrit të tij, siç po vendos pranë varrit të Esat Pashë Toptanit”, ka thënë Salihaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat