Abdullahu: Koalicioni PAN, fajtori kryesor që Kosova ka ngecur në proceset integruese

Politika

Abdullahu: Koalicioni PAN, fajtori kryesor që Kosova ka ngecur në proceset integruese

Nga: D. RR Më: 1 prill 2019 Në ora: 23:17
Koalicioni PAN

Përkundër Kosovës, dialogu nuk është i rëndësishëm që Serbia të bëjë hapa para në proceset e integrimit Evropian. Kështu ka thënë edhe komisioneri për zgjerim i BE-së, Johanes Hahn, i cili në Beograd deklaroi se, i vjen keq që dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është në bllokadë por, sipas tij, kjo nuk duhet të jetë arsye për ndaljen e procesit të integrimit evropian të Serbisë.

Ish-këshilltari i kryeministrit Mustafa në qeverinë e kaluar, Faton Abdullahu, thotë për “Bota sot” se në asnjë mënyrë Serbia nuk duhet të shpërblehet me asnjë hap përpara për në Bruksel nëse nuk ndryshon qëndrimin ndaj Kosovës, ndërsa mendon se këta zyrtarë të BE-së nuk e kanë kuptuar se integrimi i Serbisë në BE, do të thotë një Rusi e vogël brenda BE-së.

Image
Faton Abdullahu

“Ka zyrtarë të BE-së që ende nuk e kanë kuptuar se integrimi në BE i kësaj Serbie çfarë është sot, me këtë mendësi politike të pandryshuar përmbajtësisht, do të thotë një Rusi e vogël brenda Bashkimit Evropian. Barometër për matjen e ndryshimit të kësaj mangësie kruciale në Serbi është qasja e Beogradit zyrtarë ndaj pavarësisë së Kosovës. Serbia nuk mund dhe nuk duhet të shpërblehet me asnjë hap përpara për në Bruksel nëse nuk ndryshon qëndrimin ndaj Kosovës. Qëndrimi i saj ndaj Kosovës vazhdon të jetë kërcënues për paqen jo vetëm në Kosovë por edhe në krejt rajonin”, është shprehur ai.

Tutje, Abdullahu ka thënë se fajtorë që Kosova po ngecë në proceset integruese, është edhe koalicioni PAN, i cili sipas tij, ka bërë shumë skandale që BE-ja po i merr parasysh.

“Në anën tjetër kur flasim për këtë marrëdhënie, duhet të mos e anashkalojmë nga kalkulimi as atë që po bën në të vërtetë që nuk po e bën, aktualisht koalicioni PAN bashkë me Presidentin aktual të shtetit. Ky koalicion gjithsesi bartë përgjegjësinë për ngecjet e Kosovës në drejtim të BE-së. Mjafton të përmendet rasti i gylenistëve, për të kuptuar se ne po penalizohemi sot për atë që tash një vit është bërë kundër lirisë dhe të drejtave të njeriut dhe kundër respektimit të lëvizjes së lirë dhe procedurave demokratike institucionale. Nga ky kalkulim nuk duhet lënë anash as çështjen e veteranëve të rrejshëm, as shkeljen e të drejtave të gazetarëve, as mosluftimin e korrupsionit, as ministrat e akuzuar për korrupsion, as ‘avullimin’ e 53 milionëve, e të tjera të ngjashme”, ka shtuar tutje Faton Abdullahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat