BE-ja përsëri e padrejtë për Kosovën, vazhdojnë “ledhatimet” për Serbinë

Politika

BE-ja përsëri e padrejtë për Kosovën, vazhdojnë “ledhatimet” për Serbinë

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 2 prill 2019 Në ora: 07:37
Johanes Hahn dhe Frederica Mogherini

Përkundër Kosovës, dialogu nuk është i rëndësishëm që Serbia të bëj hapa para në proceset e integrimit Evropian. Kështu ka thënë edhe komisioneri për zgjerim i BE-së, Johanes Hahn, i cili në Beograd deklaroi se, i vjen keq që dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është në bllokadë por, sipas tij, kjo nuk duhet të jetë arsye për ndaljen e procesit të integrimit evropian të Serbisë.

“Më vjen keq që dialogu është ndalur, kjo nuk është mirë. Nuk ka asnjë arsye dhe do të ishte gabim të ndalet gjithçka (për Serbinë) vetëm sepse dialogu është i bllokuar”, tha komesionari Hahn në Beograd, gjatë një konference për media së bashku me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq.

Kjo deklaratë e tij tregon se, “ledhatimi” i BE-së ndaj Serbisë nuk po ndalet, ndërsa në anën tjetër Kosova po shkelet dhe po neglizhohet nga mbikëqyrësit e dialogut dhe vendimmarrësit e BE-së.

Përveç Hahn, është edhe ndërmjetësuesja e dialogut, Frederica Mogherini e cila vazhdimisht ka mbajtur anën e Serbisë në dialog dhe më tej, derisa kryeministri Haradinaj i reagoi ashpër dhe ia ndali sadopak hovin e padrejtësisë.

“Nuk ka ndonjë të ardhme tjetër për Ballkanin Perëndimor pos BE-së. Nuk ka alternativë tjetër, nuk ka plan B. Ballkani Perëndimor është pjesë integrale e Evropës dhe kjo pjesë e Evropës i përket komunitetit tonë".

Vuniqi: Deklaratat mund të jenë keqkuptuar

Image
Rejhan Vuniqi

E pavarësisht deklaratave “ledhatuese” ndaj Serbisë,  zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Rejhan Vuniqi, vazhdon të ketë besim tek Johannes Hahn, komisioneri evropian për negociatat e zgjerimit dhe politikat e fqinjësisë.

Ajo në këtë rast citon fjalët e komisionarit Hahn, i cili thotë se përmes Ballkani Perëndimor, është një rajon, vendet e të cilit duan dëshpërimisht të bëhen në klubin e BE-së, por që ende ka shumë punë për të bërë, si në tejkalimin e së kaluarës, ashtu dhe detyrimet shtetërore të Republikës së Kosovës.             

”Rajoni i Ballkanit Perëndimorë si tërësi bashkëpunuese në Procesin e Berlinit si dhe ne nisma rajonale është storie e suksesit. Si i tillë rajoni, edhe përkundër faktit se disa vende fqinje siç është Mali i Zi, ne jemi të determinuar që edhe ne të arrijmë tek procesi i fillimit të dialogut, pra hapja e kapitujve. Paraprakisht, së bashku me Brukselin jemi të interesuar të vazhdojmë procesin e MSA-së, si proces i rëndësishëm mu ashtu siç është i njëjti proces për vendet fqinje. Ashtu siç procesi i Berlinit, i cili këtë vit do të bashkon vendet e Ballkanit Perëndimorë në Poznan të Polonisë, ashtu dhe hyrja në BE nuk do të duhet të jetë në “stilin e regatës a regat style”, por duhet të ketë një vendim politik për integrimin e rajonit në të njëjtën datë”, ka nënvizuar ajo.

Vuniqi theksuar gjithashtu se, deklaratat e nivelit të lartë të zyrtarëve ndërkombëtarë mund të kenë qëndrim personal, apo mbase dhe mund të jenë  keq-interpretuar.

“Është e qartë se në Republikën e Kosovës ka konsenzus institucional, politik e shoqërorë për integrim në BE. Nuk ka plan B! Por në këtë rrugëtim ne jemi të determinuar të jem partner i barabartë rajonal në të gjitha proceset”, ka përfunduar ajo.

Zeka: BE raciste me Kosovën

Image
Milaim Zeka

Kurse, Deputeti i Kuvendit të Kosovës, i cili është edhe anëtarë i Komisionit për Integrime Evropiane, Milaim Zeka, për “Bota sot” ka thënë shkurt se, BE-ja po tregohet raciste në këtë rast.

“S’kam çfarë të them shumë për këtë. Po e përsërisë atë që e kam thënë gjithmonë. BE-ja po tregon një racizëm antishqiptarë në këtë proces”, ka potencuar shkurt Zeka.

Abdullahu: Serbia nuk duhet të shpërblehet me asnjë hap përpara për në Bruksel nëse nuk ndryshon qëndrimin ndaj Kosovës

Image
Faton Abdullahu

Ish këshilltari i kryeministrit Mustafa në qeverinë e kaluar, Faton Abdullahu, thotë për “Bota sot” se në asnjë mënyrë Serbia nuk duhet të shpërblehet me asnjë hap përpara për në Bruksel nëse nuk ndryshon qëndrimin ndaj Kosovës, ndërsa mendon se këta zyrtarë të BE-së nuk e kanë kuptuar se integrimi i Serbisë në BE, do të thotë një Rusi e vogël brenda BE-së.

“Ka zyrtarë të BE-së që ende nuk e kanë kuptuar se integrimi në BE i kësaj Serbie çfarë është sot, me këtë mendësi politike të pandryshuar përmbajtësisht, do të thotë një Rusi e vogël brenda Bashkimit Evropian. Barometër për matjen e ndryshimit të kësaj mangësie kruciale në Serbi është qasja e Beogradit zyrtarë ndaj pavarësisë së Kosovës. Serbia nuk mund dhe nuk duhet të shpërblehet me asnjë hap përpara për në Bruksel nëse nuk ndryshon qëndrimin ndaj Kosovës. Qëndrimi i saj ndaj Kosovës vazhdon të jetë kërcënues për paqen jo vetëm në Kosovë por edhe në krejt rajonin”, është shprehur ai.

Tutje, Abdullahu ka thënë se fajtorë që Kosova po ngecë në proceset integruese, është edhe koalicioni PAN, i cili sipas tij, ka bërë shumë skandale që BE-ja po i merr parasysh.

“Në anën tjetër kur flasim për këtë marrëdhënie, duhet të mos e anashkalojmë nga kalkulimi as atë që po bën në të vërtetë që nuk po e bën, aktualisht koalicioni PAN bashkë me Presidentin aktual të shtetit. Ky koalicion gjithsesi bartë përgjegjësinë për ngecjet e Kosovës në drejtim të BE-së. Mjafton të përmendet rasti i gylenistëve, për të kuptuar se ne po penalizohemi sot për atë që tash një vit është bërë kundër lirisë dhe të drejtave të njeriut dhe kundër respektimit të lëvizjes së lirë dhe procedurave demokratike institucionale. Nga ky kalkulim nuk duhet lënë anash as çështjen e veteranëve të rrejshëm, as shkeljen e të drejtave të gazetarëve, as mosluftimin e korrupsionit, as ministrat e akuzuar për korrupsion, as ‘avullimin’ e 53 milionëve, e të tjera të ngjashme”, ka shtuar tutje Faton Abdullahu.

Krasniqi: Zyrtarët e BE-së e kanë thënë hapur: Serbia e para

Image
Faik Krasniqi

Ndërsa analisti politik, Faik Krasniqi, duke folur për “Bota sot” lidhur me këtë temë, ka thënë se nuk është diçka e reqëndrimi i BE-së karshi Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, BE-ja po përdorë standarde për Kosovën, përkundër Serbisë që po e duan në BE.

“Nuk është diçka e re qëndrimi i BE-së karshi Kosovës dhe Serbisë. Për Kosovën gjithmonë përdorin standarde të dyfishta, kurse Serbinë e duan në BE pavarësisht se ajo është që po shkakton probleme dhe shtetin e Kosovës po e lufton me çdo mjet të mundshëm dhe atë në mënyrën më të egër dhe më brutale. Zyrtarët e BE-së e kanë thënë hapur: Serbia e para. Kurse qytetarët e Kosovës akoma i mbajnë të izoluar, edhe pse Komisioni Evropian e vlerësoi që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave. Është e pakuptueshme që LIBE dhe Parlamenti Evropian votojnë pro liberalizimit te vizave, dhe Këshilli i Ministrave të mos e fut në rend dite që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm. Para disa ditëve Parlamenti Evropian rivotoi prapë heqjen e vizave. Me asnjë shtet nuk ka ndodhur që procesi të mos ec tutje edhe pse votohet në këto mekanizma”, theksoi ai.

Krasniqi shpreson që Mogherini, Hahn dhe Juncker, të largohet sa më shpejt nga postet e tyre, duke i quajtur ata zëdhënës të Serbisë. Ai është i bindur se në qershor ose korrik Këshilli i Ministrave do ta fus Kosovën në rend të ditës për liberalizim të vizave.

“BE-ja po negocion me Kinën për heqjen e vizave me këtë shtet aziatik qe ka 1.4 miliard banorë, kurse me një shtet evropian si Kosova me vetëm 2 milionë banorë, bëhet aq problem. Ky veprim i BE-së ndaj qytetarëve të Kosovës përveç që është shkelje ndaj të drejtave të njeriut, sepse po u mohohet e drejta me elementare ajo e lëvizjes së lire, është edhe racizëm i pastër. Kosova po të kishte institucione të drejta që me të vërtetë mendojnë për qytetarët e saj, BE-ne do ta padisnin për shkelje të të drejtave të njeriut. Ku është humanizmi dhe demokracia e Bashkimit Evropian? Shpresoj që pas zgjedhjeve në BE dhe me largimin e Hahn, Mogherinit dhe Juncker që gjithmonë kanë qenë zëdhënës të Serbisë, edhe qasja e BE-së ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj do të ndryshojë. Jam i bindur që në qershor ose korrik Këshilli i Ministrave do ta fus Kosovën në rend të ditës për liberalizim të vizave, dhe më në fund edhe ne do të lëvizim lirshëm në BE si gjithë qytetarët e tjerë”, ka thënë Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat