Ekspertët ngrenë alarmin: Ndryshimi i kufijve do të sillte pasoja të paparashikueshme

Politika

Ekspertët ngrenë alarmin: Ndryshimi i kufijve do të sillte pasoja të paparashikueshme

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 3 prill 2019 Në ora: 07:44
Foto ilustrim

“Kjo do të ndikonte në deformim demografik dhe gjeografik në gjithë rruzullin tokësor, sepse shumica e shteteve kanë probleme me territore. Çfarë do të ndodhte me Kosovën? Shqiptarët kufizohen me shqiptare në të gjitha anët e kufirit nuk do të thosha që do dilnim humbës, por do të kishim shkëmbim tokash me shtete fqinje, do krijoheshin shtete homogjene (një kombesh), dhe në njëfarë mënyrë do kishim spastrim etnik modern në gjithë botën”, është shprehur Faik Krasniqi.

Diplomati dhe eksperti gjerman për Ballkanin Ëolfgan Ischinger, ka thënë se është shumë i shqetësuar se ndryshimi i kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mund të hapë kutinë e Pandorës, nga e cila dalin probleme të reja, të cilat nuk çojnë në zgjidhje paqësore.

Ai ka thënë se, do të ishte i pari i cili do ta përshëndeste planin, i cili has në mbështetje të gjerë në shoqëri e në Parlamentin e Serbisë, si edhe mbështetje njësoj të gjerë në Kosovë, sepse “atëherë do të ekzistonin parakushtet që të mos krijohet një fuqi e re baroti e një problem i ri”.

Millaku: Këto propozime po bëhen për mbijetesë politike

Lidhur me këtë, deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e VV-së Drita Millaku, ka thënë se do të ishte e dobishme për Serbinë kjo situatë sepse fokusi i saj është zgjerimi në Bosnjë dhe kjo do të sillte destabilitet në rajon ku Kosova do të detyrohej të përfshihej në konflikt e shtyrë nga hegjemonizmi serb.

Sipas saj, politikanët tanë krijojnë probleme vetëm me qëllim që të harrohen problemet madhore në ekonomi arsim, shëndetësi, problemet e korrupsionit etj.

Image
Drita Millaku

“Dhe këto propozime po bëhen për mbijetesë politike e mira e gjithë kësaj është se ndërkombëtarët e kanë kuptuar dhe si po duket më kjo qeveri nuk ka përkrahjen dhe fundi i tyre është shumë afër” ka thënë deputetja Millaku.

Tema e kufijve ka përfunduar në Vjenë në planin e Ahtisarit

Ndërsa, njohësi i çështjeve juridike dhe politike, Blerim Burjani, ka thënë se politika gjermane është e qartë pasi nuk ka ndryshim të kufijve.

Sipas tij, tema e kufijve ka përfunduar në Vjenë në planin e Ahtisarit.

Image
Blerim Burjani

“Andaj nuk ka negocim për kufij të rinj, pasi kufijtë e dikurshëm të vitit 1974 janë të vetmit kufij në mes dy vendeve. Pala e Kosovës nuk ka konsensus të brendshëm për këtë çështje. Dhe pikërisht padijshmëria e palës së Kosovës e ka sjellë dialogun prej asaj teknike në politik. Madje, kjo e ka prishur përfundimisht edhe bilancin e dialogut apo ka ngatërruar agjendën. Për këtë çështje nuk ka fare përgjigje Thaçi, të tregojë se përse ka ndodhë dhe çfarë pazare ka bërë në këtë drejtim. Andaj nuk duhet të ketë dialog për kufij, por vetëm për normalizim të relacioneve, kurse taksa në anën tjetër po ia ndihmon Serbisë pa gjet solucion që e kërkon SHBA-ja dhe BE-a përplot gjëra që nuk kanë kuptim në politikën e Kosovës”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike e politike Blerim Burjani.

Krasniqi: Ndryshimi i kufijve do të ndikonte në deformim demografik dhe gjeografik

Kurse, politologu Faik Krasniqi, ka thënë se hapja e Kutisë së Pandorës ka qenë temë dhe debat me dekada nëpër botë.

Ai ka thënë se kjo nuk është shqetësim në dorën e Kosovës dhe politikanëve tanë, sepse për botën jemi shumë të vegjël dhe pa asnjë ndikim.

Image
Faik Krasniqi

“Nëse është në interesin e fuqive të mëdha hapja e këtij debati dhe zbatimi në praktikë, atëherë edhe do të ndodh një gjë e tillë. Por, kjo do të ndikonte në deformim demografik dhe gjeografik në gjithë rruzullin tokësor, sepse shumica e shteteve kanë probleme me territore. Çfarë do të ndodhte me Kosovën? Shqiptarët kufizohen me shqiptare në të gjitha anët e kufirit nuk do të thosha që do dilnim humbës, por do të kishim shkëmbim tokash me shtete fqinje, do krijoheshin shtete homogjene (një kombesh), dhe në njëfarë mënyrë do kishim spastrim etnik modern në gjithë botën”, është shprehur Krasniqi.

Sipas tij, meqë shqiptarët kanë qenë gjithmonë të copëtuar në çdo Konferencë që është organizuar nga fuqitë e mëdha, nëse do të kishim përkrahjen e miqve shumë territore do të na ktheheshin prape.

“Në njërën anë do të zgjidheshin shumë probleme mes fqinjave, por siç thashë krijimi i shteteve homogjene do të shkaktonte edhe "spastrime “etnikë. Pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermania është shteti që është dëmtuar më së shumti në territor, sepse fuqitë e atëhershme vendosin që si kompensim, një pjesë e mirë e territorit gjerman t'u jepen shteteve fqinje, dhe përfituesja më e madhe ishte Polonia si shteti më i dëmtuar nga Gjermania”, ka përfunduar politologu Faik Krasniqi.

Makolli: Ballkani, fuqi baruti

Kurse, Sekretari i Përgjithshëm i AKR-së Vesel Makolli, ka thënë për “Bota sot” se në Evropë e sidomos në pjesën e Ballkanit është e pazgjidhur çështja e etnike, gjegjësisht e përfshirjeve të etnive ose kombeve në shtetet e tyre.

Sipas tij, shqiptarët kanë qenë kombi, i cili më së shumti ka pësuar me vendosjen e paqes dhe kufijve të shtetit gjatë kongresit të Berlinit, Konferencës së Londrës dhe Paqes pas Luftuese së Dytë Botërore.

Image
Vesel Makolli

“Dihet që Ballkani në të kaluarën ka qenë vatra e krizave dhe është quajtur me epitetin “Fuqi Baruti”. Duke u nisur nga kjo çdo lëvizje e kufijve pa marrë parasysh në cilën pjesë të Evropës, e në veçanti nëse bëhet fjalë për Ballkanin kishte me qenë hapja e “Kutisë së Pandorës” dhe duke sjellë pasoja dhe implikime të mëdha”, ka thënë Makolli.

Sipas tij, Evropa si vendi më i zhvilluar i botës sidomos në pikëpamje kulturore, demokratikë dhe liberale është duke shkuar në drejtim të bashkimit, mënjanimi të kufijve dhe të aplikimit të një demokracie të përgjithshme në tërë territorin e saj”, ka theksuar Makolli.

Sipas tij, zgjidhja më e mirë e të gjitha çështjeve etnike dhe kontesteve territoriale mes shteteve do të ishte në Bashkimin Evropian ku vijat kufitare do të luanin vetëm rolin e kufijve administrativ dhe populli shqiptar në BE do të arrinte edhe bashkimin e tërësishëm kombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat