Veseli i vetmuar, Haradinaj po “ia pi duhanin tinëz” me Thaçin?

Politika

Veseli i vetmuar, Haradinaj po “ia pi duhanin tinëz” me Thaçin?

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 3 prill 2019 Në ora: 19:07
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli

“Koalicioni qeverisës me rastin e formimit ka pas shenja të qarta të interesave jo vetëm partiake, por edhe personale. Prandaj, edhe afrimi i liderëve është prodhim i këtyre interesave, pra nuk ka as koalicion me parime e edhe marrëdhëniet e tyre nuk diktohen me parime, por nga interesat e ngushta”, është shprehur Drita Millaku,  deputete e LVV-së, në një bisedë për gazetën “Bota sot”.

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka kohë që nuk janë parë në krahë të njëri-tjetrit, shkruan gazeta “Bota sot”.

Ndërsa, një qasje tjetër tashmë ka marrë historia e presidentit dhe kryeministrit. Ani pse muaj më parë nuk reshten së akuzuari njeri-tjetrin, raportet e tyre së fundi kanë filluar të ndryshohen.

E gjithë kjo kthesë, fillesën e saj e mori kur presidenti Thaçi e nderoi Haradinajn duke marrë pjesë në shënimin e 21 vjetorit të Betejës së Dukagjinit, apo siç njihet ndryshe “Epopeja e Dukagjinit”.

Ndërsa, për dallim nga Thaçi e Haradinaj, të cilët po kalojnë momentet e tyre më të mira, krye parlamentari, Veseli mësohet se ditëve të fundit ka mbetur i vetmuar ose thënë troç, i anashkaluar e i harruar nga dyshja e lartpërmendur.

Raportet e fundit mes krerëve të vendit po konsiderohen si një sinjal se zgjedhjet e parakohshme janë afër, ndërsa këtë ide edhe më të fuqishme e bënë dekretimi i anëtarëve të rinj të KQZ-në.

Ndryshe, deri më tani, pothuajse të gjitha partitë parlamentare, përveç PSD-së, janë deklaruar se janë pro mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Përfaqësues të opozitës duke i komentuar raportet e fundit mes krerëve të vendin kanë thënë se distancimet mund të jenë, e mund të mos jenë reale. Sipas tyre, njerëzit të cilët udhëheqin sot me institucione kanë humbur çdo kredibilitet dhe besim, prandaj ata bëjnë me dije se ajo që deklarojnë është vështirë për t’u besuar

Nga ana tjetër, njohësit e zhvillimeve politike në vend konsiderojnë se skena politike e Kosovës, nuk ka njohur raporte parimore mes liderëve të ndryshëm politik, pasi që gjithnjë sipas tyre çdoherë raportet janë ndërtuar mbi interesa të ngushta mes individëve të caktuar.

Gecaj: Kanë humbur çdo kredibilitet dhe besim

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, duke folur rreth raporteve të fundit mes krerëve të vendit në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se distancimet mund të jenë e mund të mos jenë reale.

Gecaj thekson se krerët e vendit të cilët udhëheqin sot me institucione, kanë humbur çdo kredibilitet dhe besim, prandaj ajo që deklarojnë zyrtari i LDK-së shprehet se është vështirë për t’u besuar.

“Distancimet mund të jenë e mund të mos jenë reale. Njerëzit të cilët udhëheqin sot me institucione kanë humbur çdo kredibilitet dhe besim, prandaj ajo që deklarojnë është vështirë t’u besohet. Shumë nga deklarimet e tyre janë vetëm retorikë politike, derisa keq-qeverisja po vazhdon”, ka thënë Gecaj, për gazetën “Bota sot”.

Image
Bajram Gecaj

Me tej, ai ka deklaruar se partia e tij beson që do të ngadhënjejë në zgjedhjet e ardhshme.

“Të shpresojmë ta harrojmë ketë qeveri sa më parë. Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës padyshim që do të ngadhënjejë në zgjedhjet e ardhshme”, ka vlerësuar zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj, për gazetën “Bota sot”.

Deputetja e VV-së zbulon qëllimin e afrimit të liderëve

Ndërsa, në anën tjetër, deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se marrëdhëniet mes të parëve të vendit nuk diktohen me parime, por nga interesat e ngushta personale.

Image
Drita Millaku

“Koalicioni qeverisës me rastin e formimit ka pas shenja të qarta të interesave jo vetëm partiake, por edhe personale. Prandaj, edhe afrimi i liderëve është prodhim i këtyre interesave, pra nuk ka as koalicion me parime e edhe marrëdhëniet e tyre nuk diktohen me parime, por nga interesat e ngushta”, është shprehur Millaku, në një bisedë për gazetën “Bota sot”.

Me tej deputetja e opozitës ka shtuar se nëse studiohen qëndrimet e tyre, ato kanë ndryshuar në varësi të interesave personale.

“Nëse studiohen qëndrimet edhe të presidentit Hashim Thaçi e edhe te kryeministrit Ramush Haradinaj kanë ndryshuar në varësi të interesave personale dhe partiake”, ka përfunduar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku.

Duhanaj: Skena politike e Kosovës, nuk njeh raporte parimore

Në një linjë më deputeten e opozitës qëndron edhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Leon Duhanaj.

Analisiti Duhanaj në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka vlerësuar se çdoherë raportet mes krerëve të shtetit janë ndërtuar mbi interesa të ngushta mes individëve të caktuar.

“Skena politike e Kosovës, nuk njeh raporte parimore mes liderëve të ndryshëm politik. Çdoherë raportet janë ndërtuar mbi interesa të ngushta mes individëve të caktuar. Nëse Presidenti i vendit ka marrë pjesë në një organizim ceremonial, nuk la asgjë të keqe. Madje, konsideroj që pikërisht ky do duhet të ishte roli i Presidentit në një shtet parlamentar”, ka thënë analisti politik.

Image
Leon Duhanaj

Ai konsideron se kjo është edhe një tentativë e Thaçit për t'u ofruar me Haradinajn dhe mundësisht ose përpjekje me dalë me fytyrë.

“Por, duke qenë se presidenti ynë, nuk është ai i cili i përkushtohet apo edhe i përkufizohet aktivitetit të tij në ketë segment, atëherë konsiderojë që është edhe një tentativë e tij për t'u ofruar me Haradinajn dhe mundësisht ose përpjekje me dalë me fytyrë nga ajo ku është gutur ose përpjekje për ta manipuluar kryeministrin Haradinaj për bindjet e tij”, ka deklaruar ai.

Duhanaj nënvizon se distancimi mes Haradinajt dhe Veselit është më seriozë, ndërsa ka shtuar se nuk beson se kjo u bënë mirë me një thyerje e mundshme.

“Besoj që kryeministri Haradinaj, e ka pritë atë në shtëpinë e tij siç i takon një shqiptari me traditë dhe, se e ka respektuar si President të vendit e asgjë më shumë. Për sa i përket raportit me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, mendoj që është më serioze dhe nuk besoj që u bën mirë një thyerje, as atyre e as Kosovës”, ka përfunduar analisti politik, Leon Duhanaj për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat