Nga këmbëngulja për taksën mund të pësojë Ramush Haradinaj dhe jo Kosova

Politika

Nga këmbëngulja për taksën mund të pësojë Ramush Haradinaj dhe jo Kosova

Nga: G.B Më: 3 prill 2019 Në ora: 20:26
Ramush Haradinaj

Reagime të shumta pro dhe kundër taksës pati kur ajo u vendos nga Qeveria e Kosovës. Por, pavarësisht kërkesave nga shtetet mike të Kosovës për heqjen e saj, e po ashtu nga BE dhe Serbia, kryeministri Haradinaj nuk e hoqi taksën.

Pati deklarata se do të ketë sanksione ndaj Kosovës nëse taksa nuk hiqet, por një gjë e tillë nuk ndodhi.

Lidhur me këtë, politologu Musa Preteni, ka thënë për gazetën “Bota sot” se taksa është një nga vendimet më të rëndësishme të Kosovës në raport me Serbinë.

Image
Musa Preteni

“Fillimisht unë mendoj që taksa është njëri nga vendimet më të rëndësishme që shteti i Kosovës ka marrë në raport me Serbinë, ku për herë të parë përmes një vendimi shtetëror Kosova i ka shkaktuar dëm të brendshëm ekonomik Serbisë duke ia shtuar kësaj edhe përfitimet e Kosovës në rrafshin politik sepse vendimi ka qenë ekskluzivisht me motive politike”, është shprehur ai.

Sipas Pretenit, zhurma dhe presioni i madh për heqjen e taksës janë heshtur në publik, por që Haradinaj përballet me to nga ndërkombëtarët dhe partnerët e koalicionit.

“Zhurma dhe presioni i madh për heqjen e taksës kohët e fundit sikur është heshtur se paku në publik, sepse konsideroj që kryeministri ende përballet së brendshmi me diçka të tillë edhe nga ndërkombëtarët por edhe nga partnerët e koalicionit që udhëheq.”, ka vlerësuar ai.

Politologu më tej vlerëson se sa i përket sanksioneve është bërë më shumë zhurmë se realiteti, derisa sa i përket SHBA-ve, vendimet e tyre nuk janë të nxituara asnjëherë dhe kryeministri është i vetmi që mund të pësojë.

“Sa i përket sanksioneve konsideroj që është bërë shumë më shumë zhurmë se sa realiteti faktik, sidomos raporti ynë më SHBA-të të cilat kanë investuar aq shumë në Kosovë si financiarisht, politikisht dhe në aspektin strategjik, andaj vendimet e tyre asnjëherë nuk kanë qenë dhe as nuk do të jenë të nxituara, por gjithmonë bazuar në racionalitet dhe interes afatgjatë. I vetmi që mund të pësojë nga kjo është kryeministri por asnjëherë Kosova”, ka deklaruar Musa Preteni për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat