Plani i Thaçit për ta “zhvleftësuar” raportin e Dick Marty-t, duke bërë marrëveshje me Serbinë

Politika

Plani i Thaçit për ta “zhvleftësuar” raportin e Dick Marty-t, duke bërë marrëveshje me Serbinë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 4 prill 2019 Në ora: 08:01
Hashim Thaçi dhe Dick Marty

Raporti i Senatorit zviceran Dick Marty i paraqitur më 2011, me pretendime se pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për krime lufte nuk është asgjë tjetër, përveçse një raport i hartuar nga prokurorë serb, të cilët e kanë përgatitur sipas dëshirës së tyre.

Ndonëse, pikërisht në bazë të këtij Raporti është formuar Gjykata Speciale, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po mundohet që pa zhurmë të arrijë marrëveshje politike, me Serbinë.

Por, ajo që e vlen të theksohet është se askush, madje as Hashim Thaçi, nuk ka mundur ta padisë Dick Martyn për shpifje, sepse ai si anëtar i Parlamentit të Evropës, ka pasur gjithmonë imunitet nga çfarëdo padie, qoftë padi penale apo qoftë civile. E kërcënimet për padi kundër Martyt nga Presidenti Thaçi nuk kanë munguar asnjëherë.

Njohësit e çështjeve politike në vend vlerësojnë, se paaftësia udhëheqësve të Kosovës, bën që Serbia nga një shtet agresor të cilësohet viktimë e luftës, kurse Kosova nga viktimë të cilësohet agresor.

Ata akuzojnë Thaçin, si sponzorizues kryesor të formimit të Gjykatës Speciale për arsye që vetëm ai i din.

Gashi: “Kërcënimi“ me padi ka qenë një blof

Image
Tomë Gashi

Për avokatin Tomë Gashi, kërcënimi me padi për shpifje ka qenë një deklaratë e Hashim Thaçit në kohën kur është bërë publike raporti i senatorit zviceran Dick Marty me 2011.

Sipas tij, kjo deklaratë e Thaçit, në atë kohë kryeministër i Kosovës ka qenë boshe, e cila kurrë as formalisht nuk është realizuar e as tentuar nga askush për 8 vite nga dalja e Raportit të Dick Martyt.

“Pasi që Këshilli i Evropës e aprovoi këtë raport si rezolutë pretendimet e Dick Martyt nga një raport politik u shndërruan në një raport juridiko - penal, raport ky i cili u bë obligativ që të hetohet. Dhe pas këtyre hetimeve penale nga prokurori amerikan Clint Ëiliamson i cili erdhi në përfundim se ka prova të përsëritshme për pretendimet e Dick Martyt atëherë u hap rruga e formimit të Gjykatës Speciale. Dhe kjo u bë me votën e deputetëve të Kosovës me 3 gusht të vitit 2015. Dhe për të përmbyllur asnjëherë Hashim Thaçi nuk ka ngritur padi kundër Dick Martyt për arsye që vetëm ai i din. Dhe tani më as që mundet të ngritët një padi e tillë për Dick Martyn së paku për dy arsye. Nën një se tashmë ka kaluar kohë e gjatë dhe tani nuk mundet të ngritet padi për shpifje. Nën dy, padia nuk mund të bëhet pasi Këshilli i Evropës e ka aprovuar Raportin e Dick Martyt”, ka thënë avokati Gashi.

Sipas tij, pikërisht në bazë të këtij Raporti është formuar edhe Gjykata Speciale dhe ajo që është edhe më esenciale dhe më e forta është se askush dhe as Hashim Thaçi nuk ka mundur ta padisë Dick Martyn për shpifje.

“E them këtë sepse Marty si anëtar i Parlamentit të Evropës ka pasur gjithmonë imunitet nga çfarëdo padie, qoftë penale apo qoftë padi civile. Dhe këtë e ka ditur madje edhe vet Hashim Thaçi. Por “kërcënimi “ me padi ka qenë një blof për një përdorim dhe për përdorim të brendshëm në Kosovë. Pastaj e dimë që Hashim Thaçi u bë vet sponzorizuesi kryesor i formimit të Gjykatës Speciale për arsye që vetëm ai i din”, ka thënë avokati Tomë Gashi.

Burjani: Kanë mbetur vetëm fjalë publike, kjo gjykatë vazhdon të mbledhë komandantë dhe gjithë njerëzit e UÇK-së

Image
Blerim Burjani

Njohësi i çështjeve juridike e politike, Blerim Burjani, ka thënë se fjalët e Thaçit për Dick Martin gjithmonë ishin vetëm fjalë të thëna në ajër për marketing publik në Kosovë.

Sipas tij, deri më tani asnjë padi në asnjë Gjykatë ndërkombëtare nuk ka ndodhë prandaj si të tilla edhe kanë mbetur jo serioze.

“Me aprovimin e ligjit për Gjykatë Speciale nga Kuvendi, janë mbetur vetëm fjalë publike, përplot jo seriozitet dhe marketing, kurse në anën tjetër kjo gjykatë vazhdon të mbledhë komandantë dhe gjithë njerëzit e UÇK-së pa asnjë problem. Dhe deri më tash kjo Gjykatë ka intervistuar shumë persona, madje deri në 150 raste pritet të ngritën aktakuza. Në anën tjetër Kosova mbetet pa liberalizim të vizave dhe pa perspektivë të qartë euro-atlantike. Pati përplot fjalë të mëdha të këtyre njerëzve si Hashim Thaçit dhe Kadriut kurse në anën tjetër pa ndal lulëzon korrupsioni e nepotizmi për çdo ditë fjalor i njëjtë politik dhe pa perspektivë fare”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike e politike Blerim Burjani.

Krasniqi: Padia nuk do të ndodhë

Image
Faik Krasniqi

Kurse, politologu Faik Krasniqi, ka thënë padia e premtuar ndaj senatorit Dick Martit për shpifje, ka qenë vetëm një premtim koti dhe asgjë serioze.

“Nuk e mbaj në mend që Presidenti Thaçi ta ketë mbajtur ndonjë premtim që ka dhënë, madje nuk besoj që kjo padi do të ndodh ndonjëherë. Sepse sikur ta kishte seriozisht Presidenti Thaçi, kjo padi veçse do të kishte ndodhur dhe nuk do të themelohej Gjykata Speciale për Kosovën. Krijimi i Gjykatës Speciale për Kosovën do ta dëmtojë shumë Kosovën, sepse Serbia dhe Bashkësia Ndërkombëtare do të na vlerësojnë si shtet që kemi kryer krime lufte. Paaftësia e këtyre cubave tanë bën që Serbia nga një shtet agresor të cilësohet viktimë e luftës, kurse Kosova nga viktimë të cilësohet agresor”, ka thënë politologu Faik Krasniqi.

Mehmeti: Nuk pritet që Thaçi të padisë Dick Marty

Image
Faton Mehmeti

Kurse, analisti politik Faton Mehmeti, ka thënë se Thaçi nuk e padit Dick Maryt pasi nuk dëshiron që kjo çështje të përhapet edhe më shumë dhe të bëhet edhe më tepër mediatike.

Sipas tij,  Thaçi po punon me Serbinë që të arrijë një marrëveshje, në bazë të së cilës edhe do të bie Raporti i Dick Martytit.

“Dihet se ky raport është hartuar nga prokurorë serb dhe pikërisht ata e kanë përgatitur këtë gjë. Në këtë sens Thaçi po mundohet që pa zhurmë të arrijë marrëveshje politike, e cila do të barte edhe atë juridike, me Vuçiqin, i cili ka premtuar se prokurorët serbë do të heqin këtë raport të hartuar nga ata, e të paraqitur nga Dick Marty. Në këtë logjikë, nuk pritet që Thaçi të padisë Dick Marty, por të punoj që akuzat e tij të bëhen të pavlefshme”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.

Shahu: Thaçi ka frikë nga hetimet e organeve

Image
Rexhep Shahu

Ndërsa, analisti politik Rexhep Shahu, ka thënë se Thaçi në këtë kompleks ngjarjesh e historish, nuk është i sigurte në vetën e tij që ta padisë Dick Martin sepse ka frikë se nga hetimet që mund të bëhen mund të dalin probleme tjera e jo trafiku i organeve.

“Kam qenë gazetar mjaft i informuar për çdo lëvizje që ndodhte në Kukës, Has e Tropojë. Dhe duke e ditur se nga rajoni i Kukësit vetëm përmes një urë në Drinin e Zi në dalje të Kukësit lidhesh me pjesën tjetër të Shqipërisë. Kaluan vitet dhe Thaçi pati gjithë kohën e mundësinë e Zotit pasi sipas meje, gjithë të drejtën e Zotit që ta padiste për shpifje Dick Martyn. Por, Thaçi u frikua mbase u frikua se duke e paditë Dick Martyn, i cili ishte furnizuar për akuzën ndaj UÇK-së nga Ambasadori serb në Zvicër, nga prokuroria e shërbimeve serbe, mos serbet po i bëjnë akuza të tjera Thaçit dhe Thaçi nuk është gati të përballet me çdo akuzë. Gazetarët nuk bëjnë historinë por shpesh janë dëshmitarë të rëndësishëm dhe unë kështu e ndjej veten. Dhe si i tillë në mbrojtje të Thaçit e të luftës, kam shkruar qysh moti se në Kosovë ka pasur luftë e jo mbrëmje vallëzimi dhe se lufta nuk është bërë me fjalë por me plumba. Por, lufta ka qenë kundër serbëve e jo luftë mes shqiptarëve që të eliminojnë kundërshtarët politik dhe luftë me marr pushtetin pas luftës njëjtë si lufta partizane në Shqipëri në Luftën e Dytë Botërore”, ka thënë analisti politik Rexhep Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat