A po i vjen fundi Ramush Haradinajt dhe PAN hajnisë me protestat gjithpopullore!?

Politika

A po i vjen fundi Ramush Haradinajt dhe PAN hajnisë me protestat gjithpopullore!?

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 4 prill 2019 Në ora: 18:06
Ramush Haradinaj

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka paralajmëruar protesta kundër Qeverisë së Ramush Haradinajt.

Kosova në vazhdimësi që nga paslufta është përballur me protesta të cilat ishin gjithherë kundër Qeverive, e në veçanti ndaj Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, mirëpo kësaj radhe do të jenë kundër Ramush Haradinaj dhe dhe PAN hajnisë.

Megjithatë, pas protestave edhe pse disa prej tyre kanë qenë të dhunshme nuk ka ndodhur asnjëherë rrëzimi i ndonjë Qeverie.

Por, a mund të jenë këto protesta aq të forta sa të rrëzohet Qeveria?

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka drejtuar akuza të rënda ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj dhe presidentit Hashim Thaçi, duke kërkuar mobilizim popullor për të çuar vendin në zgjedhje të reja.

Për këtë, ai ka bërë të ditur se ka nisur takimet me qytetarë në gjitha qytetet e Kosovës, pastaj përmes mocionit të mosbesimit në Kuvend të rrëzojnë këtë qeveri dhe ta shkarkojnë presidentin Thaçi.

Image
Albin Kurti

“Kryeministrin dhe presidentin e Kosovës i ndan taksa ndaj Serbisë, por i bashkon korrupsioni në Kosovë. Dhe, ajo që i bashkon është më e fuqishme sesa ajo që i ndan, meqë po rrinë bashkë në pushtet. Prandaj, këta duhet të shkojnë bashkë. Ne kërkojmë dorëheqjen si të presidentit, ashtu dhe të kryeministrit. 100 ditë në vitin 2004 Haradinajt mund t’i jenë dukur pak për të treguar vetën, mirëpo gati 600 ditë në vitet 2017, 2018 dhe tash 2019 janë tepër shumë për të pasur çfarëdo dilema rreth tij. Korrupsioni, papunësia e migrimi po rriten, kurse investimet, rendimentet dhe arsimi po bien. Mbi të gjitha po shtohet hajnia, e po zvogëlohet durimi. Kjo kundërthënie midis Thaçit dhe Haradinajt është kundërthënie e kontrolluar dhe kontrollueshme. Shikoni hajnat në pushtet kur kanë mosmarrëveshje, e zgjidhin atë, vjedhin më shumë”, tha ai

Për tubimet me qytetarë, Kurti u shpreh se kjo do të dërgojë drejt mocionit të mosbesimit në Kuvend  dhe do t’i bëjnë numrat, por fillimisht duhet mobilizim popullor kundër Thaçit e Haradinajt.

“Taksa duhet të mbetet, por kjo qeveri duhet të shkojë. Taksën e vendosën 10 për qind e mandej 100 për qind, pa plan, pa strategji pa përllogaritje e pa mbikëqyrje të zbatimit, në vend se të marrin vendim për reciprocitet të plotë politik ekonomik e tregtar ndaj Serbisë, nga i cili hoqën dorë. Sidoqoftë, tash që Vuçiqi, na kushtëzon kurrsesi nuk bën të hiqet kjo taksë”, tha Kurti.

Politologu dhe njohësi i çështjeve politike, Ramush Tahiri thekson se, protestat qytetare të organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje të paralajmëruara sipas një orari të caktuar që do të mbahen në sheshet kryesore të të gjitha qyteteve të Kosovës dhe që kanë për qëllim rrëzimin e Qeverisë Haradinaj ose të PAN it janë e drejtë themelore e shprehjes së vullnetit qytetar.

Image
Ramush Tahiri

“Për dallim nga protestat e së kaluarës kur u vranë dy qytetarë nga policia rumune e UNMIK ut tash policia nuk duhet të ketë kurrfarë urdhri për intervenim apo për bllokim të demonstratave apo për shpërndarjen e tyre. Kjo do të ishte kundërdemokratike dhe do të ishte keqpërdorim i saj nga ana e pushtetit aktual”, thotë Tahiri për gazetën “Bota sot”.

Tahiri thekson se, mbetët të shihet nëse këto protesta do ta rrëzojnë Qeverinë e Kosovës.

“A do të jenë këto tubime e protesta masovike dhe a do të krijojnë masën kritike për të detyruar Qeverinë e Republikës së Kosovës të jap dorëheqje, mbetet të shihet. Kjo varet nga mënyra e organizimit dhe nga çasja... Nëse Vetëvendosje nuk vepron vetëm nga vijat partiake por del me kërkesa gjithëpopullore dhe me argumente konkrete ne kritika atëherë masoviteti nuk do të mungojë”, potencon ai.

Ndërsa, analisti politik Haki Abazi thekson se, protesta është instrument demokratik.

“Qytetarët duhet te jenë aktiv dhe nuk e besoj që ndonjëherë ka qenë kaq i unifikuar zëri i kundërshtimeve kundrejt keqqeverisjes, keqmenagjimit, nepotizmit, krimit politik dhe korrupsionit. Janë qytetaret, partitë opozitare, intelektuale, diaspora dhe edhe ambasadat më të fuqishme dhe ambasadorët që është shumë rëndësi që kanë hedhur një seri deklaratash kundrejt këtyre fenomeneve që kanë sjellur vendin përballë me krizën”, thotë Abazi.

Image
Haki Abazi

Abazi shton se, me kapjen e shteti nga disa individ dhe keqpërdorimet me injorancë dhe arrgoancë atëherë nuk mbetet gjë tjetër përpos që qytetarët të protestojnë për të krijuar kushtet për zgjedhje të reja.

“Nuk ka se si të shihet ndryshe kjo punë dhe natyrisht që po të bëhet bashkë opozita me qytetarët këto kanë një masë kritike që po refleketohet edhe në matjen e opinionit publik dhe sigurisht që pas të gjitha manipulimeve që ka bërë presidenti duke e futur vendin në qorrsokak me dialogun më Serbinë dhe gjitha keqpërdorimet e qeverisë sidoms të fondeve publike pa pas legjitimitetin e plotë, natyrisht që ndryshimet janë të patjetërsueshme”, përfundon Haki Abazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat