Haraçi për gabimet e së shkuarës apo kthim të dialogut me Serbinë në pikën zero?

Politika

Haraçi për gabimet e së shkuarës apo kthim të dialogut me Serbinë në pikën zero?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 8 prill 2019 Në ora: 10:34
Hashim Thaçi, Federica Mogherini, Aleksandar Vuçiq, foto arkiv

Dialogu me Serbinë duhet të kthehet në pikën zero, dhe bashkë me këtë duhet të shkohet në zgjedhje të reja për të fituar legjitimitetin politik dhe se ekipi dialogues dhe Ligji për Dialogun janë antikushtetues. Kështu është thënë ditë më parë, në tryezën që grupi Parlamentar i LDK-së dhe grupi Parlamentar i LVV-së, kanë organizuar për kushtetutshmërinë dhe përgjegjësitë institucionale në procesin e Dialogut me Serbinë.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se dialogu me Serbinë nuk duhet të udhëhiqet nga siç i cilësoi ai “pseudo ekipe”, por nga institucionet legjitime, sepse në këtë formë përveç që e kthen Kosovën prapa, është dhe antikushtetuese.

“Shqetësuese është mentaliteti i kësaj klase politike, për neve ka qenë e qartë se qeveria duhet të udhëheqë dialogun. Nuk mundemi me ekipe dialoguese, zgjidhja nuk vjen me to sepse kthehemi prapë. Ky dialog duhet të udhëhiqet nga institucionet legjitime, dhe jo nga pseudo ekipe sepse janë jo kushtetuese. Nuk negociohet kufijtë, Kosova duhet të ketë një platformë, por vetëm duke i pasur parimet kryesore të dialogut”, ka thënë Hoti.

Kthimi i dialogut në pikën zero, tani që i njëjti ka mbetur i pezulluar, do të ishte një hap i duhur sipas përfaqësusëve të opozitës. Ndërsa, analistët politik kanë mendime të ndryshme rreth kësaj.

Rrahmani: Opozita kërkon legjitimitet të ekipit negociator nëpërmjet zgjedhjeve

Image
Imet Rrahmani

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Imet Rrahmani, ka thënë për “Bota sot” se dialogu në mes dy shteteve që për qëllim ka përfundimin e armiqësive shekullore duhet të trajtohet shumë me seriozisht sesa kështu si ka ndodh deri tash.

Sipas tij, natyra e tillë aq serioze e bisedimeve të udhëhiqet nga një grup bisedues me legjitimitet të kontestuar nuk garanton sukses dhe siguri.

“Në rrethana të ngjashme në një demokraci të konsoliduar qeveria do të kërkonte vet ri legjitimim. Opozita me kërkesën për zgjedhje po kërkon që të krijohen rrethana ku çdo kush që ulet në tavolinë të bisedimeve të ketë legjitimitet dhe kompetencë për vendime të rënda. Kështu si është nuk është mirë”, ka thënë Imet Rrahmani.

Millaku: Ky grup negociator është i dështuar

Image
Drita Millaku

Kurse, deputetja e VV-së Drita Millaku, ka pohuar se fakti që Serbia nuk i ka respektuar fare marrëveshjet e arritura me Kosovën i jep të drejtë idesë së kthimit të dialogut në pikën zero, dhe ky do të ishte avantazh për Kosovën me kusht që të përfaqësohej nga njerëz me integritet, me bagazh intelektual, kombëtar dhe diplomatik.

Sipas saj, dialogu i deritashëm ka shkuar vetëm në favor të Serbisë, dhe fatkeqësisht edhe "grupi negociator" i tanishëm do ta ketë fatin e njëjtë sikur ai i më mëhershëm.

“Ky grup dhe të gjitha lojërat e deritanishme, kanë vetëm një qëllim shtyrjen e zgjedhjeve parlamentare dhe mbajtjen në politikë të Thaçit. Ky grup negociator është i dështuar që në start sepse ka filluar mbrapsht qysh nga themelimi i tij dhe u pa se ka për qëllim dialogun por mbetjen në skenën politike madje edhe për një kohë të shkurtër. Vlen të theksohet se të gjitha këto pazare janë bërë me marrëveshje të Hashim Thaçit dhe PSD-së me "msitni" të Baton Haxhiut”, ka thënë deputetja Millaku.

Makolli: Për dialogun duhet unitet

Image
Vesel Makolli

Kurse, sekretari i Përgjithshëm në AKR, Vesel Makolli, ka thënë se kur ka të bëjë me interesat jetike të shtetit të Kosovës, të gjitha partitë politike vendore dhe liderët e tyre duhet ti lëne anash interesat partiake, klanore e vetjake dhe të jenë unik.

“Të gjitha partitë politike vendor, në këtë rast duhet të jenë në mbrojtjen e interesit të shtetit si dhe në synimet e tjera që dalin nga vendimet apo platformat të miratuara në Kuvendin e Kosovës. Madje, këtë duhet të kenë parasysh të gjitha partitë politike dhe liderët e tyre, sidomos kur është rasti i bisedimeve me Serbinë të monitoruara nga faktori ndërkombëtar, për një zgjedhje që do të nënkuptonte pranimin reciprok të të dy shteteve”, ka thënë Makolli.

Ai ka shtuar se, çdo vendim që merret në Kuvendin e Kosovës është legjitim dhe duhet të respektohet edhe nga opozita.

“Kjo situatë në të cilën gjendemi kur faktori ndërkombëtar kërkon bisedime me Serbinë për zgjidhjen e problemit shekullor shqiptaro-serb, nuk bënë të përdoret për interesa politike, e partiake, apo për të kërkuar zgjedhje, duke menduar që do të jenë të favorshme për opozitën, pasi që kjo do të thotë humbje kohe dhe bllokim të iniciativës së miqve tanë ndërkombëtar, e posaçërisht SHBA-ave”, ka thënë Makolli.

Makolli: Opozita nuk do të mund të vepronte e vetme

Sipas tij, në çdo rrethanë dhe në çdo situatë grupi punues që është caktuar për bisedime duhet të jete i kompletuar nga të gjitha partitë relevante të Kosovës.

“Nëse hipotetikisht supozojmë që opozita e tashme kishte me qenë në pushtet, ajo prapë do ta kërkonte ndihmën e të tjerëve që kishin me mbet jashtë pushtetit, pasi që për këtë lloje të bisedimeve që janë jetike për Kosovën duhet të jemi të përfaqësuar të gjithë dhe të jemi unik. Kjo situatë nuk jep arsye për të shkuar në zgjedhje të parakohshme”, nënvizuar ai.

Makolli ka thënë se nuk ka rëndësi a kthehen bisedimet në fillim apo vazhdojnë, por me rëndësi është uniteti i politikanëve.

“Sidoqoftë zyrtarisht nuk kemi asnjë para marrëveshje , por të gjitha ato që kanë dal në mjetet e informimit kanë qenë supozime apo mendime pa asnjë frazë të shkruar në letër”, ka thënë Makolli.

Ai konsideron se fillimi i bisedimeve do të jetë edhe po të fillohet tani, apo fillim do të jetë edhe pas disa muajve pas zgjedhjeve eventuale që po i kërkon opozita.

“Synimet tona për njohjen reciproke mes shtetit tonë dhe Serbisë, si dhe arritjen e karriges së dyte shqiptare në kombet e bashkuara , duhet te jenë alfa dhe omega e çdo grupi punues dhe e çdo lideri tonë, pa marrë parasysh se a është në pushtet, apo në opozitë”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm në AKR Vesel Makolli.

Krasniqi: Duhet të zgjidhet një ekip legjitim dhe profesional për të udhëhequr bisedimet me Kosovën

Image
Faik Krasniqi

Kurse, politologu Faik Krasniqi ka thënë se dialogu me Serbinë në këtë format nuk mund të vazhdojë, sepse nuk po prodhon asnjë efekt pozitiv e sidomos për shtetin e Kosovës dhe proceset Evropiane.

Sipas tij, nuk mund të kthehet dialogu në pikën zero pa shkuar në zgjedhje, pasi pikë së pari vendi që të shkojë në zgjedhje, duhet të konstituohet Kuvendi dhe të formohet Qeveria.

“Pas kësaj më pas duhet të zgjidhet një ekip legjitim dhe profesional për të udhëhequr bisedimet me Kosovën, ku duhet të diskutohet për të gjitha çështjet me Serbinë, nga dëmet e luftës e deri tek të pagjeturit. Kjo është e mundur, sepse nga qershori do të kemi udhëheqje të re në Bashkimin Evropian, dhe me udhëheqjen e re çdo gjë është më e lehtë dhe më e favorshme për Kosovën. Kryesorja proruset Mogherini, Hahn dhe Juncker nuk do ti kemi më në udhëheqjen e BE-së, që ishin shumë të dëmshëm dhe negative për Kosovën dhe zëdhënës të denjë të Serbisë” ka thënë politologu Faik Krasniqi.

Zogaj: Nuk do të ketë kthim mbrapa, por do të ketë haraç për gabimet e bëra

Image
Skender Zogaj

Kurse, për analistin politik Skender Zogaj, kthimi i dialogut në pikën zero është i pamundur.

“Derisa kemi vite që bisedohet dhe është llomotitur aq shumë sa që, suksesin e ka marrë lumi, kurrën e kurrës nuk do të mund të arrihet suksesi që ka qenë i mundshëm të arrihet sikur të mos i kishim hy kësaj pune me kaq papërgjegjësi brutale. Pra, nuk mund të ketë kthim prapa, por do të ketë haraç për gabimet e bëra nga pala Kosovare, që i ka përsëritur gabimet e së kaluarës duke i shkaktuar dëme të mëdha popullit të Kosovës”, ka thënë Zogaj.

Ideja e Thaçit e parealizueshme

Kurse, sa i përket idesë së Thaçit, për korrigjimin e kufijve, Zogaj ka thënë se nuk ka nevojë për kurrfarë distancimi, sepse është e parealizueshme, jo pse mund ta ndalojnë shqiptarët, por sepse nuk është aktualisht e pranueshme për bashkësinë ndërkombëtare!

“Thaçit këtë e di por, ka pasur qëllim vetëm të provokojë publikun shqiptar që të harroj hallet e përditshme dhe të rimerret me tema të forta atdhetare dhe patriotizmin banal, për çka jemi shembulli më eklatant i planetit! Në fakt Kosova është një luadh i shkret shumë i përshtatshëm për me kullot kuajt e verbët! Partitë politike të gjitha pa dallim, janë në lajthitje të plotë sepse janë kapluar nga “rriqrat” zhvatëse, që Kosovën e duan për plaçkë tregu! Zgjedhjet aktualisht nuk sjellin zgjidhjen e halleve”, ka thënë analisti politik Skender Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat