Ramush Haradinaj, “NonGrata” te Amerikanët

Politika

Ramush Haradinaj, “NonGrata” te Amerikanët

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 9 prill 2019 Në ora: 07:24
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas refuzimit të disahershëm të vizës, shkoi në Amerikë për vizitë zyrtare. Ndonëse udhëtimi ishte zyrtarë dhe i paralajmëruar, atë nuk e priti askush nga zyrtarët amerikanë atje, shkruan “Bota sot”.

Në njoftimin e qeverisë së Kosovës, thuhet se Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me ftesë të Komunitetit Katolik Shqiptar, Shën Pali, në Detroit, për të marrë pjesë në shënimin e 108-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë.

“Me këtë rast, kryeministri Haradinaj do të ketë takime edhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar katolik në Amerikë dhe autoritete të Detroitit. Gjatë kësaj vizite, kryeministri Haradinaj do të takojë edhe zyrtarë të tjerë të ShBA-së”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra e Kryeministrit para nisjes së tij në SHBA.

Në komunikatë jepen detaje për Kryengritjen e Malësisë, e cila ishte vazhdimësi e kryengritjeve anti-osmane në Kosovë, 1908-1910 dhe i parapriu ngritjes së flamurit në Vlorë nga Ismail - Qemal Vlora si dhe shpalljes së mëvetësisë së shtetit shqiptar më 1912.

“Në nderim të kësaj date dhe gjithë rrugëtimit historik të popullit shqiptar për liri dhe, në nderim të rolit dhe kontributit të ShBA-së po në këtë rrugëtim, kryeministri Haradinaj do të zhvillojë takime me përfaqësues të shumtë të organizatave shqiptaro-amerikane dhe personalitete të tjera që kanë dhënë kontribut në këtë drejtim”, përfuindon komunikata.

Por, që ndonëse ka paralajmëruar takime me zyrtarë të tjerë të SHBA-së, Haradinaj deri tash është takuar vetëm me shqiptarët e Malsisë së Madhe në Detroit.

Taksa 100% e vendosur nga vet ai për prodhimet që vijnë nga Serbia e B e H, si duket iu ka dhënë përfundimisht fund raporteve miqësore mes tij dhe SHBA-së, pasi këta të fundit kanë kërkuar disa herë që Haradinaj të ndërrojë qëndrim.

Pothuajse që nga ardhja e tij në qeveri, Haradinaj ka qenë i padëshiruar për Amerikanët. Edhe vitin e kaluar i është refuzuar viza shefit të qeverisë së Kosovës, ndonëse kjo u mundua të mbahet fshehurazi. Përveç kritikave për taksën, SHBA-ja ka nisur kritika për qeverinë edhe për skandalet e saja, si për numrin e madh të veteranëve, korrupsionin etj.

Megjithatë, kryeministri Haradinaj u tregua i përmbajtur karshi presionit ndërkombëtar, për dallim nga ministri i tij, Pal Lekaj, i cili tha se po të kishte mundësi do ta dëbonte ambasadorin zviceran, pasi ky i fundit kritikoi shtetin për numrin e madhe të veteranëve të rrejshëm.

Rugova: Injorimi i në SHBA, tregon realitetin e marrëdhënieve të ftohura

Image
Naser Rugova

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova ka thënë për “Bota sot” se ky koalicion qeverisës ka zbehur shumë raportet e Kosovës me SHBA-në, dhe injorimi i Haradinajt nga Amerikanët në vizitën e tij në SHBA, tregon realitetin e këtyre marrëdhënieve.

“Po ne jemi dëshmitarë që partnerët e këtij koalicioni qeverisës kanë zbehur shumë raportet e Kosovës me SHBA-në, prandaj edhe kjo vizitë e kryeministrit atje e tregon realitetin e këtyre marrëdhënieve”, ka thënë ai.

Rugova mendon se prishja e marrëdhënieve me SHBA-në, ka ndikim negativ në shtet ndërtimin e Kosovës.

“Ftohja e marrëdhënieve me partnerin me strategjik të vendit tonë me një superfuqi globale siç është SHBA ka ndikim substancial në etapat e shtet ndërtimit dhe prosperitetin e gjithëmbarshëm të Kosovës”, është shprehur deputeti i LDK-së.

Millaku: Skandalet e qeverisë, prishje e raporteve me SHBA-në

Image
Drita Millaku

Ndërsa, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosjes, Drita Millaku, mendon se arsye e mos pritjes së Haradinajt nga Amerikanët, qëndron në faktin se SHBA-ja ka kritikuar qeverinë për skandalet e saja.

“Qeveria Haradinaj tashmë ka dhënë prova se është qeveri e reahatimit të dostave familjarë dhe partiak e korrupsionit dhe e krimit të organizuar gjëra për të cilat është kritikuar edhe nga Amerikanët dhe prandaj ata nuk e takuan dhe nuk do ta takojnë. Haradinaj ka probleme serioze në menaxhimin e parasë publike, në menaxhim tëarsimit, shëndetësisë, por mbi të gjitha tëdrejtësisë, sektor ky më i korruptuari i cili ka shkaktuar dëme të mëdha”, thekson ajo.

Millaku tutje shton se, kryeministri Haradinaj ka rënë në grackën e Thaçit dhe fakti se dhënia e vizës për kryeministrin është bërë top lajm, tregon se vendi ka rënë në nivel të ulët.

“Haradinaj ka rënë në grackën e Hashim Thaçit nga lakmia për pushtet, por kjo e ka vënë në konflikt me interesat amerikane. Se në çfarë derexhe ka rënë vendi, tregon fakti se për një kohë top lajm ka qenë se një kryeministrit iu ka dhënë viza për SHBA, gjë e cila duhej të ishte normale”, ka potencuar ajo.

Krasniqi: Vizita e Haradinajt, t'i shuaj zërat për shkak të refuzimit të vizës për lutjen e mëngjesit

Image
Faik Krasniqi

Analisti politik Faik Krasniqi, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se injorimi i Haradinajt nga zyrtarët amerikanë, do të thotë që ke shkuar për vizitë private, e jo zyrtare siç e paralajmëroi.

“Kur shkon në SHBA dhe nuk takohesh me asnjë zyrtarë amerikan, qofshin edhe zyrtarë të thjeshtë amerikanë, do të thotë që ke shkuar për vizitë private. Ose për të shëtitur. Unë them se vizita e kryeministrit Haradinaj në SHBA është bërë për një arsye të vetme, t'i shuaj zërat për shkak të refuzimit të vizës për lutjen e mëngjesit. Menjëherë si shkoi atje nxori një foto nga një ndërtesë e një hoteli ku qëndronte”, tha ai.

Krasniqi mendon se SHBA-të po e refuzojnë edhe për shkak të keqqeverisjes në Kosovë, e jo vetëm për shkak të qëndrimit për taksën.

“Kryeministri Haradinaj s'ka pse t'i dëshmoj askujt fantazi dhe përralla. Nëse SHBA të injoron, s'do të thotë që e ka injoruar për shkak të taksës ndaj Serbisë, por për shkak të mos punës brenda Kosovës. EliotEngel është mik i madh i shqiptarëve, dhe mos të takohet me një njeri të tille që ka peshë të madhe në politikën amerikane, është sinjal shumë negativë për kryeministrin”, ka theksuar Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat