LDK e kërcënuar edhe 20 vjet pas lufte

Politika

LDK e kërcënuar edhe 20 vjet pas lufte

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 10 prill 2019 Në ora: 11:44
LDK

“LDK-ja duhet ta kuptojë se vazhdon të jetë e kërcënuar nga paramilitarët shqiptarë, të cilët edhe 20 vjet pas luftës, po sillen dhe po veprojnë sipas modelit të paramilitarëve serbë. Nasim Haradinaj e din se është turpi i OVL të UÇK-së, prandaj, nga sikleti me urrejtje po përpiqet t’i fsheh faqezezëllëqet e veta”, ka thënë analisti politik Skender Zogaj.

Nënkryetari i OVL UÇK-së, Nasim Haradinaj, sërish ka shprehur urrejtjen që e posedon ndaj zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe ish presidentit, Ibrahim Rugova. Haradinaj ka thënë se nuk e njeh Ibrahim Rugovën, si ish president të vendit.

Ai më parë ka bërë edhe një deklaratë skandaloze ndaj zyrtarëve dhe veprimtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kur ishte shprehu: “punë e madhe që u vranë njerëzit e LDK-së.

Analistët politik kanë vlerësuar se Kosova edhe 20 vjet pas luftës është në krizë të thellë, gati të njëjtë sikurse në kohën e regjimit të Millosheviqit, ngase po vazhdon të jetë nën kthetrat e huliganëve që në emër të luftës, të cilët po ia pinë gjakun me pambuk, ngjashëm me paramilitarët serbë në kohën e luftës.

Rrahmani: Deklarata e Haradinajt e parëndësishme

Deputeti i Kuvendit të Kosovës na radhët e LDK-së Imet Rrahmani ka thënë për “Bota sot” se pak ka rëndësi se a e pranojnë kundërshtarët politik, figurën e Presidentit Rugova.

Image
Imet Rrahmani

“Pak ka rëndësi që të tillët të mund të gjejnë kurajën e të e pranojnë realitetin. E rëndësishme për mua është që Lidhja Demokratike e Kosovës të vazhdojë në frymën rugoviane dhe të jetë pikë referente e demokracisë dhe shtet ndërtimit”, ka thënë deputeti I LDK-së Imet Rrahmani.

Salihaj: Vlerat demokratike dhe patriotike të Presidentit Rugova po rriten çdo ditë e më shumë

Kurse, ish deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, ka thënë për “Bota sot” se ndoshta kjo mund të ketë një anë pozitive, sepse disa njerëz me "vlera" "të mëdha" të luftës po e tregojnë fytyrën e tyre të vërtetë.

Image
Adem Salihaj

“Asgjë nuk flet me shumë për njeriun se sa gjuha e tij, gjuha është vetë njeriu. Këta, me gjuhën e tyre po mundohen t'ia ulin vlerën LDK-së dhe Presidentit historik, doktor Ibrahim Rugovës. Por, të tillët po e arrijnë të kundërtën. Vlerat demokratike dhe patriotike të Presidentit Rugova po rriten çdo ditë e më shumë, në ndërkohë që një grumbull budallenjsh, po e tregojnë çdo ditë e më shumë se sa janë, dhe jo vetëm të padijshëm, por edhe anti-shqiptarë. Këto i shoh si zhvillime pozitive, sepse populli i Kosovës duhet të vetëdijesohet dhe ta shoh qartë se cilët janë patriotët e vërtetë, ata që i ngritën themelet e shtetit të Kosovës, e cilët janë matrapazët , profiterët dhe në kuptimin politik, të padijshmit, ata që sot po i luhasin themelet e këtij shteti”, ka thënë ish deputeti i LDK-së, Adem Salihaj.

Zogaj: Njohja e njerëzve si ky, nuk i bën nder Rugovës

Analisti polik Skender Zogaj, ka thënë se Kosova edhe 20 vjet pas luftës është në krizë të thellë, gati të njëjtë sikurse në kohën e regjimit të Millosheviqit, ngase po vazhdon të jetë nën kthetrat e huliganëve që në emër të luftës, po ia pinë gjakun me pambuk, ngjashëm me paramilitarët serbë në kohën e luftës.

Ai ka thënë se një nga të këtillët është edhe Nasim Haradinaj, një ndotës i lirisë dhe i pavarësisë së Kosovës.

Image
Skender Zogaj

“Ky person me deklaratat e tij të fëlliqura e bind edhe njëherë publikun se fjala është për një person të çekuilibruar, me prirje të rrezikshme kriminal, derisa nuk e konsideron asgjë “vrasjen e njerëzve të LDK-së” që dihet se ishin figurat më brilante të atdhetarisë shqiptare. Kurse sa i përket deklaratës se nuk e njeh për president Ibrahim Rugovën, këtë e konsideroj nderimin më të madh të mundshëm që ky person ia bën Rugovës, sepse, njohja e njerëzve si ky, nuk i bën nder Rugovës, kur dihet se për të me adhurim flasin dhe i përkulen burrat më të mëdhenj e më të shquar të planetit, figurat më brilante të mendjes njerëzore, diturisë, diplomacisë, trimërisë, shkencës, kulturës”, ka thënë Zogaj.

Sipas tij, krrokamat e sorrave të larme nuk kanë vend te Ibrahim Rugova.

“LDK-ja duhet ta kuptojë se vazhdon të jetë e kërcënuar nga paramilitarët shqiptarë, të cilët edhe 20 vjet pas luftës, po sillen dhe po veprojnë sipas modelit të paramilitarëve serbë. Nasim Haradinaj e din se është turpi i OVL të UÇK-së, prandaj, nga sikleti me urrejtje po përpiqet t’i fsheh faqezezëllëqet e veta”, ka thënë analisti politik Skender Zogaj.

Krasniqi: Haradinaj ka urrejtje fshatareske

Kurse, politologu Faik Krasniqi, duke folur rreth kësaj çështjë fillimisht ka cekur një thëne të një krijuesi të njohur ku thotë: “E keqja e demokracisë është se duhet të dëgjosh edhe mendimin e budallenjve dhe idioteve, por në vendet postkomuniste demokracia është keqkuptuar”.

Sipas tij, Nasim Haradinaj nuk është fajtor që mban një post kaq të lartë pasi faj ka shoqëria, mediat, dhe politika e fëlliqur.

Image
Faik Krasniqi

“E them fajin e ka shoqëria, sepse një shoqëri e mirë dhe e edukuar, nuk do të toleronte të udhëhiqej prej dy dekadash nga lloj-lloj krimineli, mafiozi, rrugaçi, çobani, analfabeti etj. Po ashtu, faj kanë edhe mediat, sepse në vendet normale këtyre njerëzve nuk u jepet fare hapësire, sepse deklaratat e këtyre çobaneve me mendësi fshatareske, e terrorizojnë një popull të tërë. Për politikë s'kemi çfarë flasim, sepse ata janë fundërrinat më të mëdhenj. Dhe ky psikopat ka urrejtje jo vetëm ndaj Presidentit Rugova, por ndaj çdo njeriu që mendon ndryshe nga mendja e tij fshatareske. Të gjithëve na kujtohet deklarata e tij ndaj ish Ambasadorit Delaëie kur i tha palaço”, ka thënë politologu Faik Kransiqi.

Shahu: Edhe veprime të tilla shërbejnë për të treguar madhështinë e Rugovës

Ndërsa, analisti politik Rexhep Shahu, ka thënë se duhet gjetur një rrugë, dhe të bëhet diçka, një gjest, a një gjë që njeriu të shënohet se ka qenë dikur gjallë dhe se ka jetuar.

Sipas tij, Nasim Haradinaj nuk do të përmendej se ka jetuar në këtë botë kurrë po të mos shante Presidentin Rugova, arkitektin e Kosovës së lirë e të pavarur.

Image
Rexhep Shahu

“Është gjetje për shumë njerëz kjo që bën ky njeri, shaj dikë të madh, qëllo në gurë ndaj një të madhi që të mbahesh mend, që të të shkruhet emri në kronikat e kohës. Edhe veprime të tilla shërbejnë për të treguar madhështinë e Rugovës. Nesimat si ky e dinë se për asgjë në botë nuk do tu shkruhej emri në gazeta po të mos shanin Rugovën. Gjetje e zgjuar anonimesh. Nga ana tjetër edhe kontekste të tilla anonimesh ndihmojnë të çimentohet të përjetësia presidenti Rugova siç ndodh me Skënderbeun. Duke e sharë Rugovën ende ndjehen nën pushtetin e madh moral të tij, pasi si vetëm pushtet moral ka pasur se ai nuk kishte burgje që të ndëshkonte mashtruesit apo falsifikatorët e Lirisë apo të veteranëve. Duke thënë se punë e madhe që u vranë të LDK-së, vetëm sa rreshtohesh me vrasësit e tyre nuk bën gjë tjetër”, ka thënë analisti politik Rexhep Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat