A po stagnon Kosova dhe Serbia në raport me Maqedoninë në integrimet Evropiane

Politika

A po stagnon Kosova dhe Serbia në raport me Maqedoninë në integrimet Evropiane

Nga: D. B. Më: 11 prill 2019 Në ora: 19:17
Ibrahim Mehmeti

Në fushën e Euro-integrimeve, situata në Maqedoni, Kosovë dhe Serbi është vërtet interesante për analizë dhe krahasime, së pari për shkak të paraleles së kontesteve që Maqedonia e kishte me Greqinë dhe që Kosova e ka me Serbinë.

Kështu ka vlerësuar analisti politik në Maqedoni Ibrahim Mehmeti, i cili në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se kishte periudha kur dukej se Kosova dhe Serbia janë shumë më afër gjetjes së kompromisit se sa, tanimë Maqedonia e Veriut dhe Greqia, mirëpo këto situata ndryshojnë dukshëm me ndryshimin e qeverive.

“Për momentin edhe pse Serbia është një hap para Maqedonisë së Veriut në procesin e Euro-integrimeve, për shkak të insistimit të qeverisë së këtij shteti, nuk do të jetë për t'u habitur nëse Maqedonia e Veriut del sërish në krye të "kolonës" Euro-integruese. Për fat të keq, duket se Kosova është edhe më larg këtyre proceseve, pjesërisht edhe për shkak të ndasive brenda subjekteve kryesore politike të Kosovës, por pjesërisht edhe për shkak të mungesës së sensit në disa qendra Evropiane”, ka thënë analisti politik Ibrahim Mehmeti.

Sipas tij, Nisma më e re e Gjermanisë dhe e Francës jep shpresë se edhe Kosova dhe Serbia do t'i tejkalojnë dallimet e thella dhe do të nisen më me vendosmëri drejt integrimit në BE, por kjo edhe më tutje kryesisht varet nga politikat e këtyre dy shteteve.

“Sidoqoftë ka gjasa që BE-ja të mos nxitojë në integrimin e njërit ose shtetit tjetër, por në vend të kësaj mund të ndodh që këto shtete bashkë me Shqipërinë (e cila nuk ka konteste të jashtme, por ka probleme të thella brenda shtetit), të anëtarësohen në BE në pako, me qëllim që të mos e pengojnë njëra-tjetrën. Megjithatë gjithçka do të varet nga zhvillimi i proceseve të bisedimeve dhe nga vullneti i klasave politike në këto vende”, ka thënë analisti politik Ibrahim Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat