Refuzimi i protestave, tradhti e radhës e klanorëve butakë

Politika

Refuzimi i protestave, tradhti e radhës e klanorëve butakë

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 12 prill 2019 Në ora: 08:31
Protestat në Prishtinë

Ndërhyrja konspirative e SHIK-ut, brenda Lëvizjes Vetëvendosje, shkaktoi ndarjen e saj. Paradoksalisht, kjo ndodhi në kulmin e suksesit të kësaj organizate, partie. Për rrjedhojë, pasoi heshtja e panatyrshme, për këtë forcë politike dhe shpresë e vetme e shqiptarëve, pas zhgënjimit të madh nga udhëheqja klanore e LDK-së, e bërë bishtore e PDK-së.

Lëvizja Vetëvendosje, edhe pse, jo rrallë, ka qenë e dyzuar, pro dhe kundër krimit, sidomos në votimin e disa ligjeve apo raste të tjera. tashmë, është këndellur, me bindjen se rrëzimi i kësaj qeverie hajnore e kriminale PAN-iste, nuk ka alternativë. Ftesa, sa e dëlirë e serioze, aq edhe atdhetare, e bërë për LDK-në, ka rënë në veshë të shurdhër të butakëve klanorë të LDK-së, të cilët kanë asfikësuar, ngulfatur partinë, anëtarësinë, elektoratin besnikë e fisnikë të LDK-së të Presidentit historik të Dr. Ibrahim Rugovës.

"Nëse qeveria degradon krejtësisht, edhe ne protestojmë", - është përgjigja shokuese dhe alogjike e Bajram Gecaj, në TV 7, në bisedë me Buzhalën dhe Kërçukun, pjesë e klanit Mustafa, cili, dikur, kërcënonte deputetët e LDK-së, me përjashtim nga partia, pse nuk donin të votonin Hashimin president dhe Demarkacionin, humbës të territorit shqiptar.

Edhe çfarë duhet të ndodhë tjetër, që kjo qeveri të degradon me fund?!

1) A nuk mjafton makro-fakti se kjo qeveri e shtet, udhëhiqen nga kryekriminelë, të cilët, si militantë të Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), kanë përçarë popullin, para, gjatë dhe pas luftës;

2) Kanë zhvatur, vjedhur paratë e dy Fondeve të Mërgatës: 3 % -shit qeveritar dhe "Vendlindja thërret";

3) Kanë sabotuar luftën, deri në dështimin e plotë të saj;

4) Kanë abuzuar e vjedhur pasuritë të brezave shqiptarë;

5) Kanë tjetërsuar territorin tokësor të Kosovës, në favor të Malit të Zi dhe kërkojnë ta bëjnë të njëjtën gjë edhe me Serbinë;

6) Kanë kidnapuar, burgosur, torturuar, deri në mbytje, shqiptarë të pafajshëm;

7) Kanë hartuar lista vrastare dhe kanë ekzekutuar shumë qindra shqiptarë, të paktën, 1.820 të evidentuar me emër, kryesisht, kundërshtarë politikë, veprimtarë e kuadro të LDK-së dhe ushtarakë të FARK-ut të Ibrahim Rugovës;

8) Kanë listuar, falsifikuar "dëshminë e veteranit", për 33.600 "veteranë" të rrejshëm, me qëllim të përfitimit, nga shitja e dëshmive dhe për të siguruar klientelë elektorale afatgjate, duke i kushtuar buxhetit shtetëror, deri sot, miliona euro, ndërsa, nesër, kjo kuotë do të rritet në miliarda euro;

9) Kanë fryrë qeverinë dhe administratën shtetërore, si dhe institucionet tjera vitale, me shumë qindra zyrtarë militantë partiakë, profanë e injorantë, kriminelë të faktuar;

10) Kanë kapur shtetin, institucionet e tij, kanë rrënuar drejtësinë, sistemin zgjedhor, duke e goditur demokracinë, madje, pakthyeshëm nga ata.

11) Dhe, mbi të gjitha, kanë vrarë shpresën e shqiptarëve, për të ndërtuar një jetë normale, një të ardhme të sigurtë, në shenjtërinë e Atdheut të tyre, duke marrë rrugën e migrimit të përjetshëm. Ndërkohë, këshilltarët lakej e me ndjesi kriminale të ngeshme, të kryeministrit monstër e fatal, ikjet e përlotshme masive të rinisë shqiptare, i quajnë turizëm dhe lëvizje të lirë e relaksuese!?

I një mendjeje me vartësin e tij Gecaj, është edhe eprori i tij, nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, i cili refuzon pjesëmarrjen në protesta, përkrah simotrës në opozitë, Vetëvendosjes, me arsyetimin sa bajat, aq edhe fodull se "ne nuk bëhemi bisht i askujt!" Atëherë, shtrohet pyetja, kush e pengon LDK-në të bëhet kreu i protestës?! Përgjigja , absolutisht e saktë është: shantazhi, kërcënimi i SHIK-ut, me dosjet për klanin, brenda Kryesisë Qendrore. Dhe, kjo, tashmë, është një e fshehtë publike, të paktën, për shqiptarët në përgjithësi, për ata të Kosovës, në veçanti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat