Marrëveshja me Serbinë brenda vitit, në prani të Trump-it në Shtëpinë e Bardhë?

Politika

Marrëveshja me Serbinë brenda vitit, në prani të Trump-it në Shtëpinë e Bardhë?

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 13 prill 2019 Në ora: 14:07
Hashim Thaçi dhe Matthew Palmer

Që kur Qeveria e Kosovës vendosi taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe atyre të Bosnjës e Hercegovinës, dialogu është pezulluar dhe Serbia nuk dëshiron ta vazhdojë atë, derisa të hiqet taksa. Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se taksa nuk do të hiqet deri në njohjen e Kosovës si shtet nga ana e Serbisë.

Në anën tjetër, sa i përket dialogut, Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan që Kosova dhe Serbia të ulen dhe të vazhdojnë dialogun dhe të arrijnë marrëveshjen më të mirë që munden.

Kështu ka deklaruar Zëvendës Ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, gjatë vizitës në Tiranë të martën, derisa tha se SHBA-të nuk mbështesin ndonjë rezultat të caktuar apo ndonjë pjesë të caktuar përbërëse të një marrëveshjeje të mundshme midis Kosovës dhe Serbisë.

“Çështja e kufijve mund po ashtu të jetë pjesë e kësaj, por nuk është elementi kryesor i marrëveshjes sado që ta imagjinojmë këtë. Ajo që është e rëndësishme për SHBA është që çfarëdo marrëveshjeje të ketë pronësi vendase, të jetë diçka që të dyja palët ndjejnë se mund ta mbështesin, të dyja palët besojnë se mbron interesat e tyre thelbësore, dhe ajo që kemi bërë ne është që i kemi nxitur palët të ulen në tryezë dhe të negociojnë marrëveshjen më të mirë që munden”, tha Palmer.

Selimi: S’ka zgjidhje të kënaqshme, Kosova ose e pavarur nga Serbia ose jo

Image
Rexhep Selimi

Se cila do të ishte marrëveshje më e mirë për të dyja palët, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se nuk ka marrëveshje të mirë për të dyja palët, Kosova duhet të njihet nga Serbia si shtet, ndryshe nuk ka zgjidhje të kënaqshme për të dyja palët.

“Nuk ka marrëveshje të mirë për të dyja palët. Përderisa zgjidhje për Kosovën është Kosova jashtë Serbisë kurse për Serbinë Kosova nën Serbi, atëherë rrjedhimisht nuk ka zgjidhje të ndërmjetme. Kosova ose e pavarur nga Serbia ose jo. Kështu që nuk ka zgjidhje të kënaqshme për të dyja palët”, ka deklaruar deputeti Selimi për “Bota sot”.

Gecaj: Vështirë të arrihet marrëveshje e mirë për të dyja palët

Image
Bajram Gecaj

Kurse, zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, ka deklaruar se është e vështirë të arrihet një marrëveshje në të mirë të dyja palëve, por që marrëveshja duhet ta përfshijë njohjen nga Serbia, derisa shpreson se SHBA dhe BE do të mbesin fuqishëm në përkrahje të dialogut.

“Marrëveshje e mirë e cila do të ishte në të mirë të dyja palëve është mjaft vështirë të gjendet, por duhet gjithherë të jemi optimist se do të mund ta arrijmë. Marrëveshja duhet gjithsesi të përfshijë njohjen nga Serbia, duke respektuar plotësisht integritetin territorial, sovranitetin shtetëror, por edhe rregullimin e brendshëm të bazuar në vetëm dy nivele qeverisëse! Shpresoj që edhe SHBA por edhe BE të mbesin fuqishëm të involvuar si në ndërmjetësim ashtu edhe në përkrahje të fuqishme të dialogut, por edhe të proceseve tjera të rëndësishme për vendin tonë”, ka deklaruar Gecaj për “Bota sot”.

Haxholli: Kosova të mos pranojë kompromise jashtë pakos së Ahtisarit

Ndërsa, hulumtuesja nga KDI, Violeta Haxholli, vlerëson se kërkesa e Palmer është e ngjashme me kërkesën e Trump, që të ketë një marrëveshje të balancuar dhe se kërkesa vjen pasi përfaqësuesit e Kosovës nuk kanë bërë mjaftueshëm që të vënë në pah kompromiset në procesin e dialogut deri më tani.

Image
Violeta Haxholli

“Kërkesa e z. Palmer është e ngjashme me kërkesën e presidentit amerikan i cili ka kërkuar një marrëveshje të balancuar në mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo nënkupton që edhe Kosova edhe Serbia duhet të bëjnë kompromise në marrëveshjen finale. Unë besoj se kjo kërkesë vjen sepse përfaqësuesit e Kosovës nuk kanë bërë mjaftueshëm për të vënë në pah të gjitha kompromiset që ka bërë Kosova deri më tani jo vetëm në procesin e dialogut në Bruksel gjatë periudhës 2011-2016 por edhe gjatë negociatave me Serbinë për zgjidhjen e statusit në Vjenë gjatë periudhës 2004-2007. Gjatë këtyre viteve Kosova ka bërë më shumë se 40 kompromise në pakon e Ahtisarit nga negociatat e Vjenës dhe marrëveshjet e Brukselit ku ka garantuar të drejta të avancuara për komunitetin serb në Kosovë më shumë se çdo shtet tjetër në rajon dhe më gjerë”, ka theksuar ajo.

Sipas Haxhollit, Kosova nuk duhet të pranojnë kompromise të reja në raport me Serbinë, jashtë pakos së Ahtisait dhe assesi të bëjë marrëveshje në dëm të Kosovës.

“Prandaj, përfaqësuesit e Kosovës duhet të fuqizojnë aktivitetet e tyre diplomatike dhe në takimet e tyre me partnerët ndërkombëtarë tua rikujtojnë atyre kompromiset që Kosova ka bërë në raport me Serbinë. Kosova nuk duhet të pranojë kompromise të reja dhe kompromisi i fundit duhet të jetë marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe e arritur në vitin 2015 sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese. Argumenti mbrojtës i përfaqësuesve të Kosovës rreth kësaj duhet të jetë që çdo kompromis i ri përtej pakos së Ahtisarit dhe marrëveshjeve të Brukselit rrezikon karakterin unitar dhe funksionalitetin e brendshëm të Kosovës në të cilin shtetet partnere duke përfshirë edhe SHBA-të kanë investuar shumë”, ka deklaruar Violeta Haxholli për gazetën “Bota sot”.

Tahiri: Marrëveshja me Serbinë brenda vitit, në prani të Trump-it në Shtëpinë e Bardhë

Image
RamushTahiri

Ndërkaq, politologu RamushTahiri, vlerëson se marrëveshja më e mirëështë pranimi i realitetit që Kosova është shtet dhe të vendos marrëdhënie diplomatike.

“Marrëveshja më e mirë dhe më e drejtë ndërmjet Kosovës e Serbisë është pranimi i realitetitekzistues, pra njohja e shtetit të Kosovës dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike e pas kësaj arritja e marrëveshjeve shtetërore, konkrete në të gjitha fushat me interes që nënshkruhen ndërmjet ministrive përkatëse. Kosova dhe Serbia duhet të kenë kufijtë e hapur dhe të mos kenë asnjë pengesë në bashkëpunim dhe në qarkullim të njerëzve, mallrave e kapitalit”, ka thënë Tahiri për “Bota sot”.

Sipas tij, pavarësisht se dialogu ndërmjetësohet nga BE, SHBA-të kanë rolin kyç në dialog dhe se Trump do të jetë dëshmitar i nënshkrimit të marrëveshjes mes dyja shteteve në Shtëpinë e Bardhë.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe pse ndërmjetësimi dhe lehtësimi i dialogut është nga Bashkimi Evropian, e kanë dhe do ta mbajnë një rol kyç në inkuadrimin e palëve që të arrijnë marrëveshjen gjithëpërfshirëse në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja shteteve dhe ndërmjet të dy popujve dhe do të jenë garantues të marrëveshjes duke e ofruar presidentin Donald Trump dëshmitar të nënshkrimit në Shtëpinë e Bardhë të marrëveshjes nga presidentët Thaçi dhe Vuçiq”, ka vlerësuar politologu Tahiri.

Ai shprehet i bindur se kjo punë do të arrihet brenda këtij viti, duke mos u hapur çështje të reja apo të panjohura deri më tani.

“Unë e kam bindjen se e gjithë kjo punë do të arrihet brenda këtij viti, pra për pak muaj duke e pasur parasysh se të gjitha çështje si nga ana e Kosovës poashtu edhe nga ana e Serbisë dihen dhe janë të evidencuara dhe nuk pritet të hapet asnjë çështje e re dhe asnjë çështje ose temë e panjohur deri më tash. Në ndërkohë dallimet ndërmjet Kryeministri dhe Presidentit të Kosovës do të përfundojnë duke pasur një qëndrim unifikues karshi Serbisë dhe karshi bashkësisë ndërkombëtare”, ka deklaruar Ramush Tahiri për “Bota sot”.

Ndryshe, me 29 prill në Berlin me ftesë të gjermanëve do të takohen presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat