Monstruoziteti politik PAN+PSD duhet të marrë fund

Politika

Monstruoziteti politik PAN+PSD duhet të marrë fund

Nga: N.H Më: 17 prill 2019 Në ora: 14:36
Besian Mustafa

Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka thënë se politika që po udhëheqë koalicioni PAN është një politikë shterpë nga parimet, andaj edhe nevoja për zgjedhje të parakohshme është e domosdoshme.

“Medoemos, vendi duhet të shkoj në zgjedhje sa më parë. Politika që po udhëheqë koalicioni PAN është një politikë shterpë nga parimet, idetë, kreativiteti, përkushtimi dhe sensi historik i vendimeve dhe veprimeve të tyre. E tyre është një politikë e fuqisë së numrave që nuk i ka opozita shqiptare në Kuvendin e Kosovës. Në demokraci kërkohet shumica e votave për të qeverisur vendin, e jo për të qenë në opozitë; pushteti duhet të ketë të paktën 61 vota në Kuvend, jo opozita”, ka deklaruar Mustafa për gazetën "Bota sot".

Tutje, Mustafa është shprehur se po të ishte koalicioni aktual i përgjegjshëm, do të i shpallte zgjedhjet vet, për të kërkuar legjitimitetin demokratik.

“Koalicioni PAN, në mungesë të 61 votave, nuk ka legjitimitet demokratik, të dalë nga votat e qytetarëve, për të qeverisur vendin. Për të arnuar gjendjen, kanë krijuar një monstruozitet politik PAN+PSD, pushtet e opozitë pushtetarë bashkë, duke delegjitimuar tërësisht veten para popullit dhe institucionet shtetërore të Kosovës para komunitetit ndërkombëtarë. Po të ishte koalicioni PAN i përgjegjshëm, do të i shpallte zgjedhjet vet, për të kërkuar legjitimitetin demokratik për të udhëhequr me vendin, siç bëhet rëndom në shtetet demokratike perëndimore”, është shprehur Mustafa.

Ndryshe, përveç Lidhjes Demokratike të Kosovës edhe Lëvizja “Vetëvendosje” ka shprehur gatishmërinë e saj që të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat