Raportet Kosovë - BE përballë dialogut me Serbinë dhe rasti Maqedonisë Veriore 

Politika

Raportet Kosovë - BE përballë dialogut me Serbinë dhe rasti Maqedonisë Veriore 

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 17 prill 2019 Në ora: 20:01
Hashim Thaçi, Mogherini dhe Vuçiqi

Marrëveshja e Prespës që rrumbullaksoi kontestin tre dekadësh mes Republikës së Maqedonisë Veriore dhe Greqisë ishte tregues se vendi është i gatshëm të bëhet anëtare e NATO-së dhe të jetë kandidatë serioz për në BE.

Se a duhet të merret ky shembull për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për gazetën “Bota sot” kanë dhënë mendime të ndryshme njohës të fushës së politikës dhe integrimeve evropiane.

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se Kosova dhe Serbia nuk përmbushin kushtet e konventës se Kopenhagës për fqinjësi të mirë, sepse pa raporte korrekte normale, dhe të zhvilluara në frymën evropiane të ekonomisë së tregut, nuk ka asgjë.

Ata kanë vlerësuar, se Kosova të vazhdojë të tregoj gatishmëri për bisedime me Serbinë, ndërsa Serbia duhet të heqë dorë nga pengesat që ia paraqet Kosovës brenda dhe në instanca ndërkombëtare.

Blakaj: Ngecjet në dialog dhe raportet armiqësore, pengesa kryesore

Image
Sami Blakaj

Sami Blakaj, njohës i Integrimeve Evropiane ka thënë se zgjidhja e kontestit për emrin në mes Greqisë dhe Maqedonisë në mënyrë paqësore i ka hapur kësaj të fundit perspektiven e qartë drejt BE-së.

Sipas tij, Republika e Maqedonisë së Veriut, kohëve të fundit përveç arritjes së fqinjësisë së mirë, ajo ka shënuar rezultate të prekshme edhe në proceset e tjera reformuese, siç janë reforma në gjyqësi, në shërbimet e sigurisë, lufta kundër korrupsionit si dhe reforma tek administrata publike.

“Të gjitha këto arritje shtetërore kanë bërë që shteti maqedonas sot të konsiderohet një partner serioz dhe shembull i mirë, jo vetëm për rajonin por edhe për vetë Bashkimin Evropian. Përderisa Republika e Maqedonisë së Veriut ka shënuar progres në rrugën e saj drejt integrimit evropian duke dhënë shembullin e shtetësisë së qëndrueshme dhe fqinjësisë së mirë, Kosova dhe Serbia vazhdojnë ta dëshmojnë të kundërtën. Ngecjet në dialog dhe raportet e ndërsjella armiqësore janë dhe do të mbesin pengesat kryesore për të dyja vendet. Kjo tashmë është bërë e qartë edhe nga BE, që do të thotë se përderisa nuk do të ketë normalizim marrëdhëniesh dhe hapje dyersh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, edhe dyert e anëtarësimit në BE do të jenë të mbyllura për të dyja vendet”, ka thënë njohësi i Integrimeve Evropiane Blakaj.

Sulimani: Serbia nuk gëzon një qeveri me frymë liberale

Image
Xhenis Sulimani

Njohësi i çështjeve politike, Xhenis Sulimani ka thënë për “Bota sot” se kapaciteti i shteteve matet me dhuntinë dhe vullnetin për të bashkëpunuar, së pari me fqinjët e pastaj me rajonin e deri organizatat ndërkombëtare, të fushës ekonomiko-politike.

Ai ka thënë së Republika e Maqedonisë së Veriut, u dëshmua të jetë progresive në rrugëtimit Euro-integrues në moment kur arriti marrëveshje me fqinj jugorë- Greqinë.

“Marrëveshja e Prespës që rrumbullaksoi kontestin 3 dekadësh mes RMV-së dhe Greqisë ishte tregues se vendi është i gatshëm të bëhet anëtare e NATO-së dhe të jetë kandidatë serioz për në BE. Marrëveshja e Prespës duhet të jetë shembull për Kosovën dhe Serbinë. Gjuha e argumenteve duhet të flet për një marrëveshje finale, sepse Serbia njëjtë si Kosova e kanë të qartë se Euro-integrimet, por edhe liberalizimi i vizave është i kushtëzuar me nivelin e bisedimeve. Që Kosova dhe Serbia, nuk janë “problematic guys”, duhet të dëshmojë në vepër”, ka thënë Sulimani.

Sipas tij, Bashkësia Ndërkombëtare bindet vetëm me vepra, kjo për faktin se Republika e Maqedonisë së Veriut, tani nuk do të kishte ulëse në NATO, pa e bindur Bashkësinë Ndërkombëtare paraprakisht që është e gatshme t’i shërbejë rajonit dhe organizatave ndërkombëtare.

“Fatkeqësisht, për dallim nga RMV, Serbia nuk gëzon një qeveri me frymë liberale, për të cilën shoqëria e hapur, qytetari dhe fqinjësia e mirë janë prioritet dhe kjo i frynë politikës regresive”, ka thënë njohësi i çështjeve politike gazetari Xhenis Sulimani.

Mehazi: Të merret shembull Zaevi

Image
Sulejman Mehazi

Kurse, njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi, ka pohuar se politika inatçore e dy shteteve fqinje, Serbia dhe Kosova, normalisht se janë inferiore e jo autoritative karshi politikës së Kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev.

Sipas tij, dallimet politike konservative- inatçore - krekosëse Serbi-Kosovë janë statike e stagnuese para politikës liberale të mençur ‘zaeviste maqedonase’.

“Politika e egër nacionaliste e autoriteteve serbe dhe atyre nga Kosova është e neveritshme, dhe jo e kapshme për demokracinë evropiane. Kurse politika liberale maqedonase është e mirëseardhur, e dobishme dhe e frytshme jo vetëm për evropianët, por edhe për tërë shtetet Ballkanike. Politika e ngushtë e qeverisë Serbi-Kosovë ngjason me atë të ish-kryeministrit maqedonas në azil, Nikolla Gruevskin. Politikat e tilla bien korrupsione e skandale të llojeve të ndryshme, ngushtësi sociale, ekonomike, nacionale e shtetërore”, ka thënë profesor Mehazi.

Sipas tij, marrëveshja liberale greko-maqedonase në Prespë ishte sakrifikuese e toleruese për ndërrimin e emrit të Maqedonisë nacionale në atë gjeografike Republika e Veriut.

“Lind pyetja se ç ‘bëri Zaevi? Ai bëri atë që donte Greqia e BE-ja, sakrifikoi kombin e vet për hir të shtetit të tij. Pra politika liberale e autoriteteve maqedonase përvetësoi Greqinë dhe diplomacinë botërore. Zaevi e kuptoi se verbëria historike nacionale e Gruevskit ushqente vetëm urrejtje fqinjësore, kurse Greqia s'pranonte territorin e Maqedonisë, Bullgarët, gjuhën maqedonase, ndërsa serbët, kishën maqedonase. Dhe me ndërrimin e emrit gjeografik, qeveria e Zaevit pastroi të gjitha dilemat nacionale, fetare e kishtare maqedonase. Zaevi e kuptoi se politika moderne botërore kërkon patriotizëm shtetëror e jo nacional. Dhe në fund e kuptoi se nëse Republika e Maqedonisë Veriore bëhet anëtare e BE-së, atëherë dhe populli i tij maqedonas do bëhet evropian. Motoja e sotme politike e Zaevit është: Shteti i fortë dhe populli i tij i fortë i integruar në BE”, ka thënë njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi.

Xhelili: Serbia duhet të heqë dorë nga pengesat që ia shkakton Kosovës

Image
Zudi Xhelili

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Zudi Xhelili ka thënë se vitin që kaloi Maqedonia arriti një marrëveshje me Greqinë, marrëveshje kjo që vlerësohet si historike meqenëse u gjet zgjidhje për një problem shumë vjeçar.

Sipas tij, përmirësimi i raporteve me fqinjët dhe kohezioni i brendshëm ishin pengesë për Maqedoninë në integrimin e vendit në strukturat Euro-atlantike.

“Maqedonia e Veriut, sot është në prag të anëtarësimit në NATO dhe njëkohësisht në pritje të datës për bisedime nga Këshilli i Evropës. Në këtë drejtim Kosova dhe Serbia po stagnojnë. Serbia vazhdon me opstrukcione ndaj Kosovës dhe kjo ka ndikuar në ndërprerjen e bisedimeve që zhvilloheshin në Bruksel. Meqenëse anëtarësimi në NATO dhe BE janë e vetmja perspektivë për vendet e Ballkanit perëndimor, janë shpresë për të ardhme më të mirë, për mirëqenie ekonomike dhe sociale, garanci për paqe dhe siguri atëherë duhet kjo mundësi të shfrytëzohet sa më parë. Kosova të vazhdojë të tregoj gatishmëri për bisedime me Serbinë, ndërsa Serbia do të heq dorë nga pengesat që ia paraqet Kosovës brenda dhe në instanca ndërkombëtare”, ka thënë politikani Zudi Xhelili.

Burjani: Kosova ka edhe kushtet tjera që e ndalin

Image
Blerim Burjani

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike dhe juridike Blerim Burjani, ka thënë se problemi më i madh është se Kosova dhe Serbia nuk përmbushin kushtet e konventës se Kopenhagës për fqinjësi të mirë, sepse pa raporte korrekte normale, dhe të zhvilluara në frymën evropiane të ekonomisë së tregut, nuk ka asgjë.

“Kosova ka edhe kushtet tjera që e ndalin si mos luftimin e korrupsionit, nepotizmit, ikjes së të rinjve, që vjen si rezultat i qeverisjes së keqe, prandaj edhe janë disa kushte tjera ekstra për Kosovën. Ka shumë probleme që lidhen për rendin e ligjit, edukimit të dobët, standardit ekonomik si dhe varfëria e madhe. Andaj, nuk duhet harruar se Kosova është shtet i vetëm pa sigurim shëndetësor në Ballkan dhe në Evropë. Dhe askush deri më tash nuk është marr me sigurime shëndetësore që shkatërron në një masë të madhe shëndetin publik. Dhe do të kishte qenë më e udhës se në vend që të ndërtojnë shkolla, dhe spitale pa barna, më mirë të merren urgjentisht me sigurime shëndetësore”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike dhe politike Blerim Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat