Emigrimet trend, apo mungesë e perspektivës për të rinjtë në Republikën e Kosovës?

Politika

Emigrimet trend, apo mungesë e perspektivës për të rinjtë në Republikën e Kosovës?

Kushtrim Maliqi Nga Kushtrim Maliqi Më 17 prill 2019 Në ora: 22:29
Qytetarë të shumtë duke pritur për viza pranë ambasadës së Gjermanisë për vizë

Me dekada, e ndoshta edhe me shekuj, shqiptarët si popull kanë qenë të detyruar për arsye të ndryshme, herë politike, ekonomike e gjithë çfarë arsye tjera, të migrojnë e të emigrojnë nëpër vende të ndryshme të botës, duke mos e pasur mirëqenie në vendlindjen e tyre.

Një vlug jashtëzakonisht i madh i qytetarëve që po kërkonin mundësi më të mira jete jashtë vendit ishte shfaqur edhe në vitin 2014, kur ishin larguar mbi 100 mijë qytetarë të vendit, përmes Serbisë, nëpër Hungari duke tentuar një jetë më të mirë në shtetet evropiane si Gjermani, Belgjikë, Austri e vende tjera.

Kur ishte menduar se trendi ishte ndalur dhe po ktheheshin edhe ata që kishin shkuar në vitin 2014, kjo dukuri është riaktivizuar, madje fuqishëm, vitin e kaluar e sidomos në fillim të këtij viti.

Ditëve të sotme, çdo ditë para ambasadave të huaja në Prishtinë shohim radhë të gjata pritjesh të qytetarëve të cilët presin për një vizë pune, të cilën së fundi mund ta fitojnë më thjeshtë, pasi që këto shtete kanë nevojë për punëtorë të rinj në sektorë të ndryshëm të jetës.

Një fat i keq, i cili mund ta përcjell Republikën e Kosovës si pasojë e kësaj që po ndodhë, është edhe ajo se këto “marshime” të qytetarëve drejt vendeve të BE-së, mund të ndikojë drejtpërdrejt në shfaqjen e pengesave në liberalizimin e vizave, gjë të cilën e kanë pohuar edhe profesori Avni Mazreku , njohës ky i mirë i integrimeve evropiane.

Mazreku: Sistemi arsimorë duhet të lirohet nga oligarkë, të cilët e kanë ngulfatur atë

Image
Avni Mazreku

Profesori Avni Mazreku, njohës i mirë i çështjeve që kanë të bëjnë me integrimet evropiane, në një pronondcim për “Bota sot” ka deklaruar se problemet me emigracion, janë problem të cilat po i shkaktojnë kokëçarje edhe vendeve të cilat janë të integruara tashmë në Bashkimi Evropian si për shembull Kroacisë, e lëre më Kosovës. Ai ka thënë se faji është edhe i qeverisë, pasi që sipas tij duhet të ndërhyhet seriozisht sidomos në sistemin e arsimit, i cili profesori Mazreku thotë se momentalisht udhëhiqet nga oligark të cilët e kanë ngulfatur atë.

“Unë mendoj që çështja e vendimit për viza, kryesisht tashmë varet nga vullneti i anëtarëve të Bashkimit Evropian, ajo nuk mund të ndërlidhet esencialisht ose jo esencialisht, pasi që të rinjtë tani po largohen përmes një procesi krejtësisht legal, sepse tanimë njerëzit po aplikojnë për viza të ndryshme studimore, politike apo të punës dhe normalisht vetë këto shtete anëtare të Bashkimit Evropian, duket se kanë interes për këto grupe njerëzish dhe kjo është arsyeja pse ata i marrin kështu në mënyrë selektive. Unë kjo që po ndodhë tani, këtë trend nuk do ta kisha ndërlidhë me liberalizimin e vizave, pasi që kjo nuk është trend vetëm për Kosovën, por nga ky proces po goditen edhe vetë shtetet e BE, shembull e kemi edhe Kroacinë e cila ka probleme në këtë fushë me disa pjesë të shoqërisë si për shembull me mjekët e infermierët të cilët gjejnë perspektivë dhe kushte më të mira në shtetet më të zhvilluara. E mos të flasim shtete si Romania e Bullgaria që kanë probleme serioze me këto çështje. Unë mendoj që Republika e Kosovës pa ndryshuar kapacitetet e mirëfillta kompetitive në tregun e saj të punës, me apo pa liberalizim të vizave nuk mund ta ruaj strukturën e popullsisë.

Unë do të sugjeroja organizmat shtetërorë që të fokusohen sa më shumë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar sidomos në sektorin e arsimit, agjensionet, të cilat e përbëjnë atë, pasi që sektori i arsimit në çdo shtet është ai i cili ofron fuqinë punëtorë në zhvillimin e industrializimit e vendit. Derisa ne kemi një sistem në sektorin e arsimit i cili udhëhiqet nga oligark, ne nuk mund të presim diçka më mirë”, ka thënë profesori Avni Mazreku.

Rugova: Trendi i emigrimeve, si rezultat i korrupsionit, nepotizmit dhe keqqeverisja

Image
Naser Rugova

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova i kontaktuar nga “Bota sot” ka thënë se shkaktari kryesorë i emigrimeve është keqqeverisja, korrupsioni dhe nepotizmi, të cilat sipas Rugovës, vijnë si rezultat i keqqeverisjes.

“Vlerësoj se trendi i emigrimeve është rritur në mënyrë drastike, sidomos në këtë vitin e fundit. Si pasojë e keqqeverisjes, mungesës së sundimit të rendit dhe ligjit, korrupsionit, nepotizmit dhe mungesa e shanseve të barabarta çdo ditë po e vret shpresën, sidomos tek të rinjtë. Gjasat që ky trend të ndalet derisa të mbizotëroj kjo amulli dhe pasiguri për jetë më të mirë, janë shumë të vogla. Sigurisht që ky trend ndikon negativisht edhe në proceset integruese”, është shprehur deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Naser Rugova.

Agim Shahini: Shqetësues fakti që vetëm për tre muaj, në Kosovë janë mbyllur më shumë se 500 biznese

Image
Agim Shahini

Edhe kryetari i Aleancës Kosovarë të Bizneseve, Agim Shahini përmes një prononcimi për “Bota sot” ka shprehur shqetësimin e tij lidhje me emigrimet në vend, ku si shqetësues e ka ngriturfaktin që vetëm gjatë vitit 2018, para se të filloj ky trendi i madh, mbi 13 mijë qytetarë të vendit kanë aplikuar për viza punë në shtetet perëndimore.

“Trendi i emigracionit në Kosovë ka filluar qysh në vitin 2014 dhe kjo është në vazhdim e sipër. Vetëm brenda vitit 2018, mbi 13 mijë qytetarët të Republikës së Kosovës kanë aplikuar për viza punë në shtetet perëndimore , për ta lëshuar vendin si mundësi e vetme për të gjet një vend punë. Kjo neve na bën edhe më të parëndësishëm për vetë qytetarët tanë, e bënë më të parëndësishme Kosovën karshi ndërkombëtarëve ku një numër i madh i qytetarëve të vetë me çdo kusht dëshirojnë ta lëshojnë vendin për një strehë punë. Kosova duhet të ketë një strategji e cila supozohet të jetë afatgjatë, me qëllim për punësimin e të rinjve. Diaspora kosovare ka dhënë kontributin e vetë gjatë gjithë kohës në ngritjen e ekonomisë së vendit, por është shqetësim për të gjithë neve kur secili I ri ka pretendim ta lëshoj vendin, ky shqetësim duhet të jetë sidomos për institucionet e shtetit”, ka thënë Shahini.

Sipas tij, pakënaqësitë e qytetarëve janë të orientuara në shumë drejtime, duke u nisur nga institucionet e vendit, të cilat janë të thirrura për të krijuar më shumë mundësi punësimi, faktori ndërkombëtarë të cilët e kanë izoluar Kosovën e etj.

“E vetmja mundësi për të ndalur trendin e emigracionit apo ikjes nga Kosova, është që shteti të investoje drejtpërsëdrejti tek sektori privat, duke dhënë mundësinë e hapjes së vendeve të reja të punës dhe shumë mjete të cilat tashmë po dedikohen për infrastrukturë të ndalen, pasi që më me prioritet është të ndalen qytetarët dhe trendi i ikjes, se sa autostradat të cilat pastaj nuk kanë se kujt t’i shërbejnë”, ka thënë Shahini.

Kryetari i AKB, në vazhdim ka thënë se Qeveria e vendit jo vetëm se duhet të fokusohet në prurjen e investitorëve të rinj, por duhet të kujdeset edhe për ata që aktualisht janë, pasi që janë disa politika që po aplikohen nga institucionet, e që po e dëmtojnë biznesin

“Qeveria e Republikës së Kosovës jo vetëm se duhet të fokusohet në prurjen e investitorëve të rinjë, por gjithashtu edhe të kujdeset që të krijoj kushte që këta që i kemi të mos na ikin. Tre muajt e parë të këtij viti, në Republikën e Kosovës janë mbyllur mbi 500 biznese dhe shumë investitorë të huaj e shohin vendin, Kosovën si jo mundësi e mirë për investime. Qeveria e Kosovës duhet të jetë më e vëmendshme ndaj investitorëve, bizneseve pasi që kohëve të fundit kemi ankesa të shumta nga bizneset pasi që po trajtohen në mënyrë të vrazhdë dhe kjo bënë që të krijohet një frikë nga investitorët e huaj.

Shembull e kemi veprim e fundit të Qeverisë së vendit, e cila duke dashur të tregoj gjoja fuqinë kundër krimit të organizuar, ka urdhëruar mbylljen e të gjitha lojërave të fatit, sigurisht se ato nuk do të mbyllen, përkundrazi do të vazhdojnë fshehurazi. Qeveria nuk është dashur të merr kësi vendimi të prerë, që e dëmton edhe investitorët por edhe vetë shtetin”, ka përfunduar Shahini.

Millaku: Për pengimin e liberalizimit të vizave, faktori kryesorë korrupsioni dhe mos-luftimi i tij

Image
Drita Millaku

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Drita Millaku, gjithashtu është kontaktuar nga gazeta jonë, ku ajo ka deklaruar se qeveria klienteliste e ka shtrënguar lakun në qafën e popullit, duke thënë se gjëja më e mirë që mund ta bëjë kjo qeveri, do të ishte dorëheqja e menjëhershme.

“Emigrimi i popullsisë është produkt i politikave të gabuara të qeverisë dhe i punës me plot gafa. Skandalet dhe orientimet klienteliste të qeverisë sonë janë ato që e kanë shtrënguar lakun në qafën e popullit, prandaj shërbimi më i mire që do të bënte qeveria është dorëheqja dhe vetëm me këtë akt do ti bëhej shërbim popullit. Kjo qeveri edhe ato para kësaj po e jetësojnë planin e Çubriloviqit, Rankoviqit e Millosheviqit për shpërnguljen e shqiptarëve. Sa i përket mos liberalizimit të vizave, pengesë kryesore është korrupsioni dhe mos luftimi i tij. Kjo qeveri nuk ka strategji për ndaljen e të rinjve, andaj edhe duhet të dorëhiqet dhe të kemi zgjedhje të reja. Duhet kuptuar se askush nuk largohet nga vendi me dëshirë, por kësaj popullate i është humbur shpresa se bëhet mirë”, ka thënë deputetja Millaku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat