Ideja e Hashim Thaçit për ndryshimin e kufijve do të “varroset” në takimin e Berlinit - Bota Sot
Ideja e Hashim Thaçit për ndryshimin e kufijve do të “varroset” në takimin e Berlinit

Politika

Ideja e Hashim Thaçit për ndryshimin e kufijve do të “varroset” në takimin e Berlinit

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 18 prill 2019 Në ora: 08:02
Hashim Thaçi dhe Angela Merkel

Samiti i Ballkanit në Berlin i organizuar nga kancelaria Angela Merkel që do të mbahet me 29 prill, duket se do të shënojë fundin e idesë për ndarjen e Kosovës. Kështu ka shkruar gazeta austriake “Der Standard”, ku sipas diplomatëve qëllimi i këtij takimi ku do të marrin pjesë dhe presidenti francez Emmanuel Macron, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai serb, AleksandarVuçiq, është që t’i jepet fundit shkëmbimit të territoreve apo ndarjes së Kosovës.

Se si komentohet kjo dhe fakti që Gjermania po e mbron Kosovën më shumë se ajo veten nga ndarja, deputetë dhe analistë kanë dhënë vlerësimet e tyre.

Rugova: Këtë ide e ka varrosur vullneti i popullit të Kosovës

Image
Naser Rugova

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, ka thënë për gazetën “Bota sot” se kjo ide për ndarje është varrosur nga vullneti i popullit, deklarata e Pavarësisë dhe miqtë ndërkombëtarë.

”Këtë ide e ka varrosur vullneti i popullit të Kosovës, Deklarata e Pavarësisë e 17 shkurtit dhe miqtë strategjiktë shtetit tonë. Nuk ka president as udhëheqës politik që del mbi vullnetin e popullit”, është shprehur ai.

Sipas Rugovës, Gjermania nuk heq dorë nga investimi i tyre afatgjatë për një Kosovë unike.

“Gjermania është një nga partnerët strategjik të vendit tonë, shumë meritor për pavarësinë e Kosovës dhe nuk heqin dorë nga investimi i tyre afatgjatë për një Kosovë unike”, ka vlerësuar deputeti  Rugova për “Bota sot”.

Millaku: Çka duhet të ndodhë akoma që ky president të shporret

Image
Drita Millaku

Ndërsa, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, e quan tragjedi faktin që për ta mbrojtur Kosovën nga presidenti Thaçi po lufton një vend mik.

“Pikërisht kjo është ajo që unë e quaj tragjike kur për kufijtë e Kosovës lufton një vend mik për ta mbrojtur nga Presidenti i vendit Hashim Thaçi. Çka duhet të ndodhë akoma që ky president të shporret”, është shprehur ajo.

Sipas Millakut, ideja e Thaçit tashmë është varrosur nga vendosmëria e popullit të Kosovës.

“Ideja e Hashim Thaçit është e varrosur tashmë nga vendosmëria e popullit të Kosovës dhe unë besoj se ky popull do ta gjejë fuqinë për ta mbrojtur territorin e saj me të gjitha format”, ka deklaruar deputetja Millaku për “Bota sot”.

Abazi: Thaçi ka provuar me çdo kusht të tejkalojë Gjermaninë

Image
Haki Abazi

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike Haki Abazi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Gjermania dhe Merkel ka qenë e qartë që nga dita e parë dhe e ka parë që tashmë dialogu ka devijuar dhe nuk është dialog për normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja shteteve.

“Gjermania dhe Kancelarja Gjermane Merkel ka qenë e qartë që nga dita e parë. Në mungesë të lidershipit dhe konsensusit përbrenda BE-së dhe në procesin e BREXIT Gjermania ka parë se në fakt dialogu Prishtinë-Beograd ka devijuar plotësisht dhe nuk është dialog i normalizimit të marrëdhënieve por është përdorur për pazare”, ka vlerësuar Abazi.

Sipas tij, gjermanët e kanë parë që Thaçi nuk ka përkrahje për ndryshim të territoreve.

“Thaçi ka provuar me çdo kusht të tejkalojë Gjermaninë duke bërë të pamundura investimet gjermane në Kosovë, skandalin me pjesëtarët e BND-së sepse e ka pasur të qartë që gjermanët nuk do të lejojnë lojë me kufijtë. Thaçi gjithashtu ka sabotuar edhe procesin e Berlinit që ka qenë mekanizmi i integrimeve Evropiane. Gjermanët gjithashtu e kanë parë që Thaçi nuk ka asnjë përkrahje për atë që është duke bërë dhe veprimet për ndryshime të territoreve, lojërat me Preshevën në momentin e fundit kanë rrezikuar sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan”, është shprehur Abazi më tej.

Ai mendon se në Berlin do të paraqitet se si duhet të ecet në integrimet evropiane.

“Jam shumë i bindur që Thaçi do të provojë të bishtnojë edhe takimin në Berlin por hapësira manovruese për të është shumë e limituar. Në Berlin do të paraqitet qartazi rruga se si duhet ecur në integrimet evropiane për rajonin dhe kjo gjë nuk ka alternativë”, ka deklaruar Haki Abazi për gazetën “Bota sot”.

Shahu: Gjermania bën më shumë se sa Thaçi për Kosovën

Image
Rexhep Shahu

Kurse, njohësi publicisti Rexhep Shahu mendon se Gjermani bën më shumë për Kosovën se sa Thaçi, pasi e mbron investimin e vet.

“Gjermania bën më shumë se sa Thaçi për Kosovën se Gjermania ka investuar në Kosovë dhe mbron me dinjitet investimin e vet. Gjermania e di simpatinë e shqiptarëve për të, e di se për herë të parë pas Luftës sëDyte Botërore trupat gjermane erdhën në Prizren, Kosovë për ta mbrojtur Kosovën prej Serbisë, e di se Kosova është e ndërtuar nga djersa e shqiptarëve me dojçemarkat gjermane. Në 1998 kur humanisti i madh Rupert Neudeck pa nga Qafa e Prushit se si po digjeshin shtëpitë e shqiptarëve, pyeti çfarë po ndodhë. Dhe shoqëruesi shqiptar Kadri Bala i thotë po digjen shtëpitë e shqiptarëve e dojçmarkat gjermane... Gjermania pra mbron investimin e vet në Kosovë me dinjitet, përkundër pazareve të padinjitetshme të presidentit Thaçi dhe matrapazëve të tjerë që janë përfshirë në këtë trafik trojesh shqiptare për interesa jo fisnike e jo kombëtare”, ka vlerësuar Shahu.

Sa i përket faktit së varrosjes së kësaj ideje për ndarjen e Kosovës, Shahu thotë se Thaçit i këputën gishtat e lapsit dhe nuk mund ta firmosë dhënien e trojeve shqiptare.

“Nuk e di a varroset ideja e Thaçit apo e arkitekteve që kanë projektuar Thaçin president, por besoj se Thaçit i këputën gishtat e lapsit dhe nuk mund ta firmosë dhënie të trojeve shqiptare as Serbisë e as Turqisë e as dreqit e të birit”, është shprehur Rexhep Shahu për “Bota sot”.

Zogaj: Këmbimi i territoreve është me rrezik për gjithë Ballkanin

Image
Skënder Zogaj

Ndërkaq, njohësi i çështjeve Skënder Zogaj ka vlerësuar që ideja për ndryshimin e kufijve është e përfunduar pasi Gjermania e ka thënë fjalën e saj dhe se ideja është e varrosur pasi përbën rrezik për gjithë Ballkanin.

“Ideja për ndryshimin e kufijve (që e ka lansuar Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi), ka qenë një proklamatë sprovuese për publikun vendor dhe ndërkombëtar, që të ballafaqohen me mundësitë absurde të prodhimit të ideve, që ndër shqiptarët kanë qenë shkaku kryesor i robërisë së tyre dhe i copëtimit të tokës së tyre! Mirëpo kjo ide tashmë është e përfunduar dhe në Berlin nuk do të jetë fare temë, sepse Merkel e ka thënë fjalën e saj dhe dihet, se Gjermania flet vetëm një herë!Pra, ideja e Hashim Thaçit për ndryshimin e kufijve është e varrosur sepse këmbimi i territoreve është me rrezik për gjithë Ballkanin”, ka deklaruar Skënder Zogaj për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...