Gaxherri kritikon ashpër Thaçin e Haradinajn: E kallën vendin për interesa personale

Politika

Gaxherri kritikon ashpër Thaçin e Haradinajn: E kallën vendin për interesa personale

Nga: A.ZH Më: 21 prill 2019 Në ora: 12:10
Besa Gaxherri, Hashim Thaçi

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Besa Gaxherri, ka kritikuar kryeministrin e vendit Ramush Haradinaj, për demarkacionin me Malin e Zi, që ishte kusht për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Gaxherri në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka thënë se çështja e demarkacionit, ishte hapi i parë i dështimit të kësaj qeverie, e cila sipas saj, erdhi në pushtet me këtë kauzë.

Ajo ka akuzuar liderët politikë se po shesin patriotizëm, derisa kjo çështje “po fle” dhe qytetarët ende nuk mund të lëvizinin lirshëm në zonën Schengen.

“Ky është ndoshta çelësi apo hapi i parë i dështimit të kësaj qeverie, e cila ka ardhur në pushtet me këtë kauzë. E ka rrëzuar dhe kallë vendin, bashkë edhe me VV-në për këtë temë dhe erdhi në pushtet me arysetimin se e kanë bërë një aneks kontratë me Malin e Zi që do të rishikohen dy pika dhe me kusht që do të kemi liberalizimin e vizave. Për këtë edhe LDK-ja e ka votuar këtë marrëveshje dhe çka ka ndodhur? As nuk kemi liberalizim të vizave dhe as rishikim të demarkacionit. Kjo çështje po fle dhe ne kemi përfaqësues të vendit që na shesin patriotizëm çdo ditë, ndërsa në aspektin faktik, nuk kemi asgjë”, ka deklaruar deputetja e LDK-së.

Gaxherri ka kritikuar edhe presidentin Hashim Thaçi, për përplasjet me Haradinajn, duke thënë se ata po përdorin forma jo transparente për ta stopuar njëri-tjetrin, derisa temat e nisura i kanë lënë në gjysmë.

“Njëri lider përplaset atje se do t’ia marrë Serbisë një pjesë e do t’ia falë një pjesë tjetër, tjetri përplaset se do t’ia bëjë këtë e do t’ia ndalojë këtë. Kryeministri e ka përgjegjësi edhe demarkacionin me Serbinë, pasi kur erdhi në pushtet tha që do të merret me çështje të brendshme, ndërsa me ato të jashtmet presidenti, ndërsa sot përdorin forma jo transparente për ta stopuar njëri-tjetrin, ndërsa ato tema që i kanë nisur i kanë lënë përgjysmë”, është shprehur më tej deputetja e LDK-së.

Ajo e ka quajtur Qeverinë të paaftë, e cila sipas saj, ka dëmtuar edhe raportet me ndërkombëtarët për interesa personale.

“Nuk ka asgjë të shëndetshme, gjithçka është politikë brenda llojit të tyre dhe nuk po bëjnë asgjë të mirë për vendin, në raport me Serbinë apo me miqtë ndërkombëtarë. Sjelljet dhe veprimet e tyre i kanë dëmtuar raportet me shtetet mike. Kjo qeveri është e paaftë, ky president është një njeri, i cili problemet e tij personale don t’i zgjedh përmes pazareve me popullin e vet e që këto janë të papranueshme”, ka shtuar Besa Gaxherri.

Sipas saj, vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

“Zgjidhja e vetme për këto probleme, janë zgjedhjet. Shpresojmë që edhe vet koalicioni ta kuptojë këtë dhe të shkojmë në zgjedhje”, ka deklaruar deputetja e LDK-së për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat