Paralajmëron opozita, së shpejti mocioni për rrëzimin e Qeverisë

Politika

Paralajmëron opozita, së shpejti mocioni për rrëzimin e Qeverisë

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 23 prill 2019 Në ora: 11:10
Kuvendi i Kosovës

Opozita edhe me tej po e ka të pamundur sigurimin e numrave të nevojshëm për rrëzimin e qeverisë aktuale, shkruan gazeta “Bota sot”.

Mirëpo, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka shfaqur pritjet e saja se një pjesë e pozitës do të votojë për rrëzimin e Qeverisë aktuale.

Është zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa, ai i cili ka deklaruar se pret që një pjesë e pozitës do të votojë për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Mustafa ka thënë se shteti i Kosovës po rrezikohet nga shkatërrimi dhe izolimi ndërkombëtar si rezultat i papërgjegjësisë së koalicionit qeverisës.

Zëdhënësi i LDK-së për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se në mos u bashkofshin partitë në pushtet, të paktën janë të sigurt që politikanët e mësipërm do t’ju bashkohen në largimin e kësaj Qeverie, të cilën e ka quajtur edhe si skandaloze.

Edhe pjesa tjetër e opozitës shprehet se skandalet e njëpasnjëshme të kësaj qeveri do ta bënë që kjo e fundit të mos e dërgojë mandatin deri në fund. Sipas tyre, me apo pa deputetët e pozitës kjo qeveri do të bie.

Ndërsa, njohësi i zhvillimeve politike në vend konsideron se vetëm me votat e Listës Serbe mund të rrëzohet Qeveria Haradinaj, por, sipas tij, kjo është e pandershme që krijimi dhe rrëzimi i Qeverive në Kosovë të ndodhë nga kjo listë, respektivisht nga Beogradi zyrtar.

Mustafa: Asnjë politikani apo partie politike nuk i duhet pushteti në dëm të shtetit

Image
Besian Mustafa

Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka thënë se fatmirësisht, ka njerëz që kanë vënë interesin shtetëror të Kosovës mbi çdo interes tjetër.

Mustafa pohon se nga radhët e partive politike të pushtetit kanë filluar të shfaqin, gjithnjë e më zëshëm, pakënaqësitë e tyre me veprimet e papërgjegjshme dhe të dëmshme të PAN-it.

“Brenda secilës parti, fatmirësisht, ka njerëz që, qysh në fillim të aktivitetit të tyre politik, e kanë vënë interesin shtetëror të Kosovës mbi çdo interes tjetër. Të njëjtit, partinë politike të cilës i përkasin nuk e shohin si qëllim në vete, por thjeshtë si një organizim politik, me ide e program politik, për të avancuar interesat e shtetit të Kosovës, jo të partisë apo anëtarëve të saj. Politikanët e tillë, nga radhët e partive aktualisht në pushtet, kanë filluar të shfaqin, gjithnjë e më zëshëm, pakënaqësitë e tyre me veprimet e papërgjegjshme dhe të dëmshme të PAN-it”, ka thënë Mustafa, për gazetën “Bota sot”.

Tutje, ai ka theksuar se nëse nuk bashkohen partitë e pushtetit, janë të sigurt që politikanët e mësipërm do na bashkohen në largimin e kësaj Qeverie, të cilën e ka quajtura si skandaloze.

“Në mos u bashkofshin partitë në pushtet, të paktën jemi të sigurt që politikanët e mësipërm do na bashkohen në largimin e kësaj Qeverie skandaloze. Asnjë politikani apo partie politike nuk i duhet pushteti në dëm të shtetit”, ka deklaruar zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, për gazetën “Bota sot”.

Deputetja e VV-së: Shumë shpejtë do të ketë edhe mocion

Image
Drita Millaku

Në anën tjetër, edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, në një përgjigje për gazetën “Bota sot”, ka thënë se është e bindur se kjo qeveri nuk e dërgojë mandatin deri në fund.

Millaku ka thënë se Vetëvendosja do të intensifikoj veprimet e veta dhe përveç protestave që do të jenë, shumë shpejtë do të ketë edhe mocion mosbesimi.

“Me siguri të plotë e them se kjo qeveri nuk e dërgon mandatin deri në fund, edhe Ramush Haradinaj por edhe të gjithë e dinë që zgjedhjet janë në vitin 2019. Opozita e sidomos Vetëvendosja do të intensifikoj veprimet e veta , përveç protestave që do të jenë shumë shpejtë do të ketë edhe mocion”, ka thënë Millaku, për gazetën “Bota sot”.

Sipas Millakut, me apo pa deputetët e pozitës Qeveria Haradinaj do të bie.

“Skandalet e njëpasnjëshme të kësaj qeverie do ta bënë që kjo qeveri të mos e dërgojë mandatin deri në fund. Pra me, apo pa deputetë të pozitës kjo qeveri do të bie”, ka përfunduar Millaku për gazetën “Bota sot”.

Krasniqi: Një Qeveri e tillë duhet të ik sa më shpejt!

Image
Faik Krasniqi

Ndërsa, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Faik Krasniqi, duke folur për gazetën “Bota sot”, ka thënë se me votat e Listës Serbe mund të rrëzohet Qeveria, por, sipas tij, është e pandershme që krijimi dhe rrëzimi i Qeverive në Kosovë të ndodhë nga kjo listë.

“Opozita nuk i ka numrat e nevojshme për ta rrëzuar Qeverinë, edhe nëse deputetët e PSD-së i bashkohen mocionit. Me votat e Listës Serbe mund të rrëzohet Qeveria, por është e pandershme që krijimi dhe rrëzimi i Qeverive në Kosovë të ndodhë nga kjo listë, respektivisht nga Beogradi zyrtar, kur e dimë që Vuçiq është themeluesi i kësaj liste”, ka thënë ai për gazetën “Bota sot”.

Krasniqi me tej është shprehur se nuk beson se deputetët nga pozita do t’i bashkohen nismës së pozitës për rrëzimin e Qeverisë.

Ai ka potencuar krejt në fund se një Qeveri e tillë duhet të ik sa më shpejt.

“Nuk besoj që deputetë të pozitës i bashkohen nismës së pozitës për rrëzimin e Qeverisë. Kryeministri Haradinaj e dinë fare mirë që vetëm PDK do ta rrëzonte nga pushteti, por PDK-ja në sondazhe është shumë keq, dhe zgjedhjet do ta dërgonin në opozitë. Sidoqoftë, një Qeveri e tillë duhet të ik sa më shpejt”, ka thënë krejt në fund, analisti politik Faik Krasniqi, për gazetën “Bota sot”.

Ndryshe, partitë opozitare në vazhdimësi janë duke bërë thirrje që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme për të siguruar legjitimitetin e munguar politik përballë bisedimeve me Serbinë.

Opozita po vazhdon të kundërshtojë edhe me tej qasjen e institucioneve ndaj të gjitha zhvillimeve të fundit, me theks të veçantë ndaj bisedimeve me Serbinë dhe formimin e delegacionit shtetëror për të udhëhequr këtë proces.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat